Titujt e pronësisë mbajnë peng fshirjen e mbivendosjeve
Laureta Rryçi
Verifikimi i titujve të pronësisë po mban peng në të gjithë vendin procesin e fshirjes së mbivendosjeve. Kështu që ende pa u gëzuar mirë, pronarët e ligjshëm sërish nuk mund të quhen si të tillë pa mbaruar edhe një kalvar tjetër pritjeje për të marrë certifikatën e pronësisë. Burime pranë Zyrës qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme pohuan dje për gazetën “Albania” se kohët e fundit, procesi i fshirjes së mbivendosjeve është kthyer në një ngërç ligjor. Duket se hartuesit e ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë nuk i kanë bërë mirë kalkulimet që të mos bllokojnë procesin e regjistrimit të pronave. Me gjithë vrullin që pati nisur procesi i mbivendosjeve, sërish përgjigjja përfundimtare duke përcaktuar pronarin e ligjshëm do të vonojë dhe për shumë kohë tjera. Kryeregjistruesi ka saktësuar në vendimet e tij të fundit mbi animimet për mbivendosjet se këto prona pezullohen përkohësisht të regjistrohen për shkak se u mungon vendimi për verifikimin e titujve të pronësisë.
Ngërçi
Edhe pse mund të jesh pronari i ligjshëm, nga momenti në moment rrezikohesh t’i futesh “valles” për ta vërtetuar pronën si tënden. Ligji për verifikimin e titujve të pronësisë ka përcaktuar se për çdo ankesë, menjëherë bllokohet prona deri në saktësimin e pronarit të ligjshëm. Por, edhe nëse nuk i ke hyrë kësaj valleje, nëse ke probleme me regjistrimin e pronës për shkak të mbivendosjeve, sërish vendimi i kryeregjistruesit të detyron t’i drejtohesh për verifikim komisionit vendor për verifikimin e titujve të pronësisë. Derisa të marrë vendimin nga Komisioni Qendror për Verifikimin e Titujve të Pronësisë; më pas, nëse s’je dakord mund t’i drejtohesh gjykatës për të ankimuar këtë vendim. Në gjykatë duhet të kalosh të tria hallkat për të marrë vendimin e formës së prerë, proces që në rastet më të mira zgjat më shumë se katër vjet. Më tej, nëse sërish nuk jeni dakord, i drejtoheni Gjykatës së Strasburgut me objekt shfuqizimin e vendimeve të gjykatave shqiptare për objekt pronën. Për shkak këtij ngërçi që është krijuar rrezikoni të ndiqni gjithë këtë procedurë të stërzgjatur, edhe pse mund të jeni pronari i ligjshëm.
Verifikimi
Sipas komisioneve vendore për verifikimin e titujve të pronësisë, do të quhen të ligjshme aktet e pronësisë kur madhësia e sipërfaqes së dhënë për familjen bujqësore është mirëllogaritur si prodhim i normës për frymë të fshatit me numrin e frymëve të familjes, gjendje më 1.8.1991, në regjistrin e zyrës së Gjendjes Civile, pavarësisht shtesave ose pakësimeve të këtij numri në periudhën vijuese. Në rast se ka konflikte mes palëve, komisioni vendor rishqyrton, në rrugë administrative, konfliktet dhe mosmarrëveshjet ndërmjet palëve në rastet kur kjo është kërkuar me vendim të formës së prerë të organeve gjyqësore. Në këtë rast, KV (komisioni vendor), brenda 20 ditëve nga data e vendimit të organeve gjyqësore, merr vendimin përfundimtar për zgjidhjen e konfliktit, përmbajtja e të cili u njoftohet palëve. Evidenton madhësinë dhe vendndodhjen e sipërfaqes së tokës bujqësore, të liruara nga mbajtja dhe përdorimi i paligjshëm i tyre nga persona fizikë ose juridikë, pas procedurave të realizuara sipas përcaktimeve në ligjin për shqyrtimin e titujve të pronësisë. Për tokat e liruara, KV harton procesverbalin përkatës, në përmbajtje të të cilit pasqyrohen vendndodhja (fshati dhe komuna ose bashkia), numri kadastral i ngastrës, sipas regjistrit të SAMT-së dhe sipërfaqja, në metër katror, e shoqëruar me një planimetri manuale. Ky procesverbal i dorëzohet përgjegjësit të SAMT-së së qarkut përkatës. Në ligj është parashikuar gjithashtu mënyra se si do të realizohet procesi i verifikimit të titujve të pronësisë. Në bazë të ligjit, me këtë proces do të merret Komisioni Qeveritar i Tokës, që funksionon pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe kryesohet nga zëvendëskryeministri. Komisioni në fjalë do të drejtojë dhe do të mbikëqyrë veprimtarinë e komisioneve vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë nëpërmjet vendimeve që merren në mbledhje, akteve që përgatiten nga sekretariati i KQT-së, kontrolleve që ushtrohen nga KV-të, si dhe marrjes së informacionit për ndarjen e tokës nga struktura të ndryshme shtetërore dhe nga shtetas. Ky komision gjithashtu do të marrë vendime për zgjidhjen e konflikteve territoriale ndërmjet qarqeve për kufijtë e zërit kadastral të tokës bujqësore, si dhe do të shqyrtojë ecurinë e verifikimit nga KV-të për zbatimin e akteve të nxjerra gjatë periudhës së kryerjes së reformës së tokës nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për kalimet ose ndryshimet e sipërfaqes së tokës bujqësore nga njëri qark te tjetri, nga njëra komunë ose bashki të tjera, nga njëri fshat te tjetri dhe të ndryshimeve të tjera të tokës, të destinuar për ndarje. KQT-ja gjithashtu u propozon organeve eprore dhënien e masave disiplinore dhe administrative ndaj drejtuesve të organeve të qeverisjes vendore dhe strukturave të tjera shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me krijimin e titujve të pronësisë mbi tokën, për çdo rast, kur vëren moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet e tjera nënligjore, në zbatim të tij.
Vendimi më i fundit ndryshoi kompetencat
Me vendimin më të fundit që mori qeveria, kompetencat i hiqen zëvendëskryeministrit, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës. Tashmë ato menaxhohen nga ministri i Shtetit për Reformat. Gjithsesi, një ndryshim i tillë, ligjërisht duhej bërë me abrogimin e paketës ligjore për “Verifikimin e Titujve të Pronësisë”, ku të saktësohej kompetenca e shtuar e ministrit të Shtetit. Verifikimi i titujve të lëshuar sipas Ligjit 7501 është udhëhequr deri para disa kohësh nga zoti Genc Pollo, i cili ka qenë zëvendëskryeministër në kabinetin e kaluar të zotit Berisha. Ligji “Për verifikimin e titujve të pronësisë” është miratuar me kundërshtimet e opozitës, e cila votoi kundër paketës ligjore në korrikun e vitit 2008.
Titujt që nuk njihen
Nuk janë objekt i dhënies së tokës në pronësi dhe i krijimit të titujve të pronësisë të gjitha sipërfaqet e tjera që më 1.8.1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastralë në zërin “Tokë bujqësore”, si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore. Familjet fshatare ose individët që faktikisht e përdorin tokën bujqësore dhe e shfrytëzojnë atë në kufijtë e pretenduar prej tyre, si pronë e parakolektivizimit dhe që nuk kanë pranuar të pajisen me aktin e marrjes se tokës në pronësi, mund ta kërkojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë, sipas procedurave të përcaktuara në Ligjin Nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Nuk mund të bëhet kërkesë për t’u pajisur me dokumentacion pronësie kur sipërfaqja e tokës së pretenduar u është dhënë më parë në pronësi personave të tjerë, në bazë të dispozitave të Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”.
Procedura për fshirjen e mbivendosjeve
Këshilli i Ministrave, gjatë vitit 2008, miratoi procedurën që do të ndiqej për fshirjen e mbivendosjeve. Falë këtij vendimi, pritej që shumë prej qytetarëve do të humbin pronësinë mbi ato prona që kanë marrë regjistrimin duke abuzuar me ligjin. Sipas këtij ligji duhet të fshihej regjistrimi i të gjitha pronave kur për të njëjtën pasuri ishin bërë dy a më shumë regjistrime, të cilat nuk kanë rrjedhur nga njëri-tjetri, duke krijuar mbivendosje. Në këtë rast fshihen regjistrimet e kryera, pas regjistrimit të parë, kur ky i fundit është në përputhje me nenet 192-197 të Kodit Civil. Fshirja e regjistrimeve ishte kompetencë e kryeregjistruesit. Ky i fundit e merrte këtë vendim me kërkesë të regjistruesit të zyrës përkatëse të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin Nr. 8485, datë 12.4.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, në Nenin 10, të Ligjit Nr. 7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe në përputhje me përcaktimet e këtij udhëzimi. Kryeregjistruesi bën fshirje të regjistrimeve të bëra pas regjistrimit të parë, kur për të njëjtën pasuri ka më shumë se një regjistrim, pavarësisht faktit se për çdonjërën prej tyre, pas regjistrimit në origjinë (për herë të parë të titullit të pronësisë) janë kryer një apo më shumë transaksione, pjesore apo për të gjithë pronën dhe pavarësisht nëse ndonjëri apo të gjitha këto regjistrime janë kryer në regjistrat e ish-hipotekës apo regjistrat e krijuar nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.
17 Nentor 2009