Ekspertët: Skema e shtimit të tatimpaguesve të TVSH-së, e dështuar
Ekspertët e financave mendojnë se kjo nismë do të dështojë duke vënë në pikëpyetje sipas tyre edhe sistemin fiskal. Ish-Nëndrejtori i Tatimeve, Xhavit Curri shpjegon se, sot niveli i bizneseve që paguajnë TVSH-në është i ulët dhe ndryshimi i kufirit nuk po shoqërohet me rritjen e kapaciteteve të administratës tatimore. Sipas Currit, “nga rreth 17 mijë biznese që janë sot të regjistruar si subjekt i TVSH-së, vetëm 6 mijë prej tyre paguajnë këtë tatim, çka tregon një performancë të ulët të administratës tatimore”. Por ndryshimi i kufirit pritet ta çojë në 40 mijë numrin e biznesit të madh dhe ky fakt sipas Currit nuk mund të përballohet nga administrata. Mbi të gjitha ky vendim vjen në kundërshtim edhe me frymën dhe politikën që ka ndjekur kjo qeveri, e cila thotë se ka ulur ndjeshëm barrën fiskale. Gjatë këtij viti Ministria e Financave u përball me një ritëm të ulët të mbledhjes së taksave dhe tatimeve, si pasojë e efekteve që dha kriza ekonomike. Ndaj nisma e fundit ka për qëllim rritjen e të ardhurave në buxhet, por nga ana tjetër kjo ka sjellë reagimin e vendorëve, pasi shumë biznese nuk do të jenë më nën administrimin e bashkive apo komunave duke ndikuar direkt te buxhetet e tyre.
Kryeministri Berisha takon përfaqësuesit e lartë të kompanisë “CEZ”
Kryeministri, Sali Berisha, priti dje në një takim pune nënkryetarin e Bordit të Drejtorëve të “CEZ grup”, Tomas Pleskac. Ky i fundit e informoi kryeministrin Berisha mbi punën e deritanishme, të bërë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, kompania “CEZ”, si dhe prezantoi planin 2 vjeçar të investimeve. Ai u shpreh se “qëllimi i veprimtarisë së kësaj kompanie në Shqipëri, zhvillohet sipas parimit të përfitimit të dyanshëm, të konsumatorëve shqiptarë dhe kompanisë”. Nënkryetari i Bordit të drejtorëve të “CEZ grup”, Pleskac, tha se “kompania ka një plan ambicioz investimesh për vitin 2009-2010, të cilat do të jenë rreth 8 miliard lekë”. Nga ana e tij, kryeministri Berisha garantoi Pleskac, për transparencë dhe përkushtim nga ana e qeverisë shqiptare, për realizmin e planeve të tyre në dobi të shqiptarëve. Ndër të tjera, Berisha shprehu besimin që bashkëpunimi i qeverisë shqiptare dhe i ERE-s, do të jetë gjithmonë transparent, profesional dhe në përfitim dypalësh, si dhe modeli i tregut i prezantuar në këtë sektor do të vazhdojë të mbështetet dhe të përmirësohet më tej. Duke sugjeruar që investimeve në Shqipëri i duhen dhënë nxitje për ti zhvilluar më tej, kryeministri u shpreh se konsumatorët në nevojë do të ndihmohen në mënyrë më efektive nëpërmjet skemave sociale që do të zbatohen nga qeveria.
Komisioni i Ekonomisë miraton hetimin nga AK-ja për bankat private
Rënia e aktivitetit gjatë vitit 2009 ka bërë që bankat të jenë mjaft agresive në maksimizimin e fitimit, madje duke fshehur dhe kostot për shërbime të caktuara. Shumë individë ankohen për tarifat shtesë që bankat vendosin pa i vënë në dijeni, kurse të tjerë për reklamat mashtruese, të cilat nuk tregojnë të vërtetën mbi koston e shërbimit. Për këto dhe të tjera fenomene, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim, i cili ndryshe nga rastet e tjera, konsiderohet tepër delikat, sikurse është sektori bankar. Hetimi i nisur në mars, në fillim me bonot e thesarit, duket se do të shtrihet edhe në fushat e tjera, si transaksionet dhe tarifat, apo shërbime të tjera që lidhen me depozitën dhe kredinë. Por për anëtarët e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Autoriteti i Konkurrencës duhet të jetë më i drejtpërdrejtë dhe i fortë në ndëshkimin e rasteve abuzuese në treg. Madje komisioni sugjeron që të sillen në formë liste të gjitha problematikat që has autoriteti gjatë hetimit mbi bankat, në mënyrë që të bëjë ndryshime në procedura. "Sistemin bankar e kemi në monitorim. E kemi nisur me bonot e thesarit dhe tani po shikojmë të gjithë trajtesën e vet, sa u takon shërbimeve dhe tarifave", thotë Lindita Lati, kryerja e Autoritetit të Konkurrencës. Sipas saj, në arritjen e një hetimi sa më produktiv, është shumë e rëndësishme të theksohet roli që luan konsumatori, i cili duhet i pari që të ankohet dhe të denoncojë rastin abuziv.
17 Nentor 2009