E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset e vogla, nga 1 janari ngarkohen me më shumë taksa



Ervin KOÇI

Subjektet e biznesit të vogël në të gjithë vendin do ta nisin vitin e ardhshëm me më shumë taksa, që do të rëndojnë mbi fitimet e tyre. Ky efekt financiar për këto subjekte, vjen pas uljes së pragut të xhiros vjetore nga 8 në 5 milionë lekë, çka bën që disa mijëra biznese të vegjël në të gjithë vendin, të klasifikohen si të mëdha. Propozimi i bërë disa kohë më parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka gjetur mbështetjen e qeverisë, e cila ka vendosur që ulja e pragut të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2010. Dyqanet e ushqimeve, ëmbëltoret, dyqanet e veshjeve dhe këpucëve, floktoret etj, të cilat deri tani janë klasifikuar si biznes i vogël, duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të përfshihen në skemën e TVSH-së. Bizneset që do të përfshihen në skemën e TVSH-së, do të paguajnë një nivel më të lartë taksash. Ato do të plotësojnë një dokumentacion më të zgjeruar dhe nuk do ti shlyejnë më të gjitha detyrimet pranë bashkive dhe komunave, por edhe në degët e DPT-së në rrethe. Kjo do të thotë që për shumë biznese në vend do të rritet barra fiskale. Por si efekt i gjithë kësaj skeme, nuk përjashtohet dhe një rritje e çmimeve të mallrave, produkteve dhe shërbimeve, apo e kostove fiskale shtesë mund të faturohen tek konsumatorët nga subjektet private.

Shtesa në taksa

Aktualisht kufiri i cili ndan biznesin e vogël nga ai i madh është 8 milionë lekë në vit. Përfaqësues të tatimeve shprehen se, ulja e kufirit do të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit, por një pjesë e këtyre taksave do të administrohen dhe do ti kalojnë sërish pushtetit vendor. Këtë gjë e ka deklaruar për mediat dy ditë më parë dhe deputeti dhe anëtari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Florian Mima, sipas të cilit “një pjesë e madhe e taksave që subjektet private do të paguajnë pas ndryshimit të pragut të xhiros, do të administrohen përsëri nga organet e pushtetit vendor”. Drejtorja e Tatimeve Indirekte, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Enkeleida Pipa, shprehet se, ky ndryshim ligjor erdhi në përputhje me standardet evropiane. “Kjo nismë do të rrisë numrin e tatimpaguesve në skemën e TVSH-së, por edhe te ardhurat në buxhetin e shtetit, por kjo do të ndodhë pa cenuar funksionimin e kësaj skeme”,- tha Pipa.

Investigimi

Prej kohësh tatimet kanë nisur një investigim në terren për bizneset dhe nga investigimi ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm biznesesh abuzonin me deklarimin e xhiros vjetore. Sipas tatimeve, nga investigimi tatimor janë zbuluar rreth 3500 biznese me xhiro më të lartë se 8 milionë lekë në vit dhe që sigurisht kanë raportuar më pak. Statusi i tyre do të ndryshojë që në fillim të vitit tjetër. Sipas zyrtarëve të administratës tatimore, nga investigimi që kanë bërë del se nuk është reale shifra e deklaruar në deklaratat që biznesi i vogël ka dorëzuar në mars. Rreth 10% e tatimpaguesve të biznesit të vogël në gjithë Shqipërinë doli me xhiro mbi 2 milionë lekë. Pas investigimeve, në gjithë territorin dolën të paktën 3500 subjekte që janë kontingjente gati për të kaluar në biznes të madh, të cilët nga investigimet e inspektorëve tatimorë e kanë kaluar atë shifër që kanë deklaruar në pushtetin lokal me 2-3 milionë lekë xhiro. Por ulja e pragut për futjen e bizneseve në skemën e TVSH-së pritet të rrisë ndjeshëm jo vetëm numrin e bizneseve të mëdha, por edhe të ardhurat në arkën e shtetit. Kjo, pasi të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar zënë një peshë kryesore në buxhetin e shtetit.

17 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›