Prangoset oficeri i policisë, me 1 mln lekë u nxirrte automjetin nga pika e bllokimit qytetarëve

Struktura e Posaçme Anti Kurrupsion raportoi të enjten (25 maj) se pas hetimeve të bëra nga Byroja Kombëtare e Hetimit, Policia e Shtetit ekzekutoi urdhrin e arrestit për një oficer të Policisë Gjyqësore në Elbasan.
Sipas SPAK, oficeri Çelnik Toska dhe kolegu i tij Sefer Shuka në bashkëpunim me një tjetër person me Lulzim Hasën, kanë marrë në disa raste nga shtetasit Ilirjan Tragjini dhe Zenel Taragjini, ky i fundit anëtar i Këshillit bashkiak në Gramsh përfitime monetare të parregullta, në shuma monetare si dhe përfitime të tjera materiale, për të kryer veprime të lidhura me detyrën dhe funksionin e tyre.
Për këtë çështje ka qenë Prokuroria e Përgjithshme ajo që ka vënë në lëvizje BKH-në dhe SPAK-un.
Ndaj dy zyrtarëve të policisë rëndon akuza e korrupsionit, pasi në këmbim të parave, lejonin kthimin e automjeteve të bllokuara te qytetarët e ndryshëm.
Për çdo automjet të liruar nga pika e bllokimit, dy inspektorët merrnin 500 deri në 1 milion lekë. Përveç parave, dy oficerët kërkonin dhe sende materiale.
Ndonëse në njoftimi e SPAK nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera, ka dyshime se SPAK dhe BKH po hetojnë edhe dy prokurorë të Elbasanit, të cilët dyshohet se janë implikuar në këtë skemë, duke nxjerrë urdhrin për kthimin e automjeteve të bllokuara.
SPAK tha se, Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.
Gazetare: Flutura Tota
/RTSH/