E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranimet, 2000 vende për studentët e rinj

23/07/2010 Qyteti Studenti, regjistrimet do të bëhen në muajin shtator, pas shpalljes së fituesve në universitete

Tarifa vjetore e strehimit për të gjithë banorët e këtij qyteti do të jetë 35 mijë lekë

Për vitin e ardhshëm akademik pranë godinave të Qytetit Studenti do të akomodohen 2000 banorë të rinj, të cilët do të vijojnë për herë të parë studimet e larta pranë fakulteteve publike të kryeqytetit. Drejtuesit e këtij institucioni tashmë kanë nisur përgatitjet për ndarjen e godinave që do të jepen për studentët e rinj dhe ata të viteve të ndërmjetme, ku për rreth 4500 prej tyre janë përcaktuar edhe ndarjet nëpër dhoma.

Regjistrimet për studentët e rinj do të zhvillohen gjatë muajit shtator, kohë në të cilën do të ketë përfunduar edhe shpallja e kandidatëve fitues që do të pranohen në universitete për vitin akademik 2010-2011.

Regjistrimet

Regjistrimet për ata që vijojnë studimet në vitet e ndërmjetme tashmë kanë përfunduar, ndërkohë që pritet të përcaktohet edhe data e regjistrimeve për studentët e viteve të para, që do të shpallen fitues nga programi i maturës. Me masat që ka marrë kjo drejtori, të rinjtë që do të banojnë në të 29 bujtinat (prej të cilave 17 janë për vajzat), nuk do të përballen me radhët e gjata të marrjes së numrit të dhomës. Ashtu siç është vepruar edhe gjatë vitit të kaluar, pranimet në godinat e Qytetit Studenti do të regjistrohen edhe on-line në faqen elektronike, ku do të hidhen të gjitha të dhënat për dhomën dhe godinën ku do të strehohen. Në këtë mënyrë, Qyteti i Studentit do ketë një faqe në websitin e vet, ku do të afishohen të gjithë emrat e studentëve, numri përkatës i dhomës dhe i godinës. Për të mësuar këto detaje studentëve do tu duhet vetëm të klikojnë në këtë faqe.

Tarifat

Tarifa vjetore e qëndrimit në Qytetin Studenti do të jetë rreth 35 mijë lekë dhe nuk do të ketë më shumë se tre persona në një dhomë. Dokumentacioni për të gjithë studentët e viteve të para që do të regjistrohen në fillim të vitit akademik duhet të përmbajë një certifikatë personale, 3 fotografi, një vërtetim nga fakulteti ku studion si dhe një raport mjekësor. Për studentët e vitit të parë pagesa e qirasë së strehimit do të bëhet pranë godinave përkatëse në prani të inspektorëve të regjistrimit dhe financës. Ndërsa studentët e viteve të dyta-gjashta, të cilët janë të shpallur në listë-pasaportat e drejtorisë sipas godinave përkatëse të planifikuar për vitin akademik 2010-2011, do ta derdhin pagesën pranë filialit të bankës, emri i së cilës gjithashtu do të publikohet gjatë muajit shtator. Investimet e kryera në katër vitet e fundit në godinat e Qytetit Studenti kanë përmirësuar kushtet e strehimit. Burime pranë drejtorisë bëjnë të ditur se në prag të fillimit të vitit të ri akademik kanë nisur punimet për rikonstruksionin e dy godinave të tjera për studentet vajza. Kjo pasi ka një rritje të kërkesave për regjistrim nga vajzat, ndërkohë që fluksi në rritje i regjistrimeve ka ardhur edhe si pasojë e përmirësimit të kushteve të jetesës në bujtina. Në planin e masave të marra përcaktohet se në të gjitha bujtinat do të ketë salla studimi. Ndërkohë që në dhomat e strehimit të studentëve po vijon procesi i vendosjes së lavamanëve, pasqyrave si dhe do të shtohen dushet në katet përkatëse të godinave. Po ashtu premtohet edhe furnizimi me ujë dhe energji elektrike në mënyrë të pandërprerë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›