E Diel, 1 Nëntor 2026

Vilat pa energji elektrike, OSSH faturon gjoba 3 milionë lekë

23/07/2010 Sipas punonjësve të kompanisë është ndërhyrë në matësa. Dhjetëra familje në errësirë

DURRES- Dhjetëra familje që jetojnë në ish-vilat e plazhit në lagjen numër 13 në Durrës që nga nata e së mërkurës nuk ka energji elektrike, pasi OSSH u ka prerë furnizimin. Banorët dje kanë protestuar duke pohuar se veprimi i punonjësve të OSSH-së është i padrejtë. Gjatë pasdites të së enjtes, në kohën që pjesa më e madhe e banorëve të këtyre apartamenteve kanë qenë në brezin e rërës punonjësit e OSSH-së u kanë prerë furnizimin me energji. Një grup pune nga OSSH ka ndërmarrë prej disa ditësh në zonën turistike të plazhit të Durrësit prerjen e lidhjeve me justifikimet se familjet nuk kanë paguar apo edhe faturimin e dhjetëra kilovatëve pa parë lexuesin si dhe kanë ndëshkuar me 2000 kilovat disa familje.

Ndërprerjet

Pretendimet që kanë afruar punonjësit e OSSH-së, të cilët nuk kanë asnjë varësi në Durrës apo në Kavajë në centralet elektrike të zonave e nënzonave janë të ndryshme. Të gjitha banesat, apartamentet, pallatet e hotelet në Plazhin e Durrësit janë të mbushur me pushues, ndërkohë që prej 24 orëve dhjetëra e dhjetëra familje nuk kanë energji. Të dërguarit e OSSH nuk kanë dhënë asnjë shpjegim. Ata u kanë lënë nën derë apo në oborr e në gardhe procesverbalet familjarëve, të cilët do të detyrohen të paguajnë nga 235 mijë lekë deri në 300 mijë lekë. Në këtë procesverbal për një pjesë të familjarëve thuhet se janë debitorë e për të tjerë se kanë bërë lidhje të paligjshme. Por OSSH dhe punonjësit e saj kanë hequr edhe matësit e energjisë pa marrë asnjë takim me pronarët e banesave dhe pasi i kanë dërguar në laborator familjarëve u ka ardhur fatura për pagesë të detyruar të 2000 kilovatëve si masë ndëshkimore. Ata kanë pretenduar se matësit e energjisë kanë qenë të dëmtuar. Banorët e ndërtesave që dikur kanë qenë konsideruar si vila pushimi një ditë pasi kanë parë procesverbalet janë përballur me prerjen e dritave në mënyrë kolektive. As KESH e as OSSH në këto blloqe banesash nuk kanë bërë investimin më të vogël. Pallatet që njihen si vila janë godina që rrezikojnë të shemben pasi duke mos u privatizuar banorët e tyre nuk kanë investuar për mirëmbajtje. Edhe Ministria e Ekonomisë që i ka në inventar nuk ka investuar duke lënë kështu dhjetëra objekte të tilla në Plazh në gjendje të keqe. Edhe elektriku nuk ka dhënë asnjë qindarkë për ndërtimin e kabinave elektrike, kasetave në shkallët e pallateve, linjën ajrore etj. Janë të vetmet objekte në Durrës që kanë sistemin e vjetër elektrik të instaluar. Para këtyre objekteve vërehet lehtësisht rrjeti i merimangave të telave elektrik e telefonik, të cilët rrezikojnë jetën e fëmijëve dhe të pushuesve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›