E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranimet tek gjuhët e huaja nuk do shoqërohen me kritere seleksionuese

30/05/2011  Ky fakultet do të pranojë 850 studentë të rinj, ndarja sipas nivelit nis në vitin e dytë

Pranimet në Fakultetin e Gjuhëve të huaja në kryeqytet për vitin e ardhshëm akademik nuk do të shoqërohen me kritere seleksionimi. Pavarësisht kërkesës së bërë, drejtuesit e fakultetit bëjnë me dije se nuk do të ketë kritere seleksionimi mbi procesin e pranimeve të reja që do t’i shtohen këtij fakulteti në tetor. Megjithatë, ata bëjnë me dije se seleksionimi i studentëve, sipas nivelit do të bëhet në nisje të vitit të dytë. Kështu të gjithë kandidatët që do të përzgjidhen si fitues nga procesi i maturës shtetërore 2011 do të mund të vijojnë studimet e larta në degët e këtij fakulteti, pavarësisht nivelit që do të rezultojë. Për këtë ekspertët e fakultetit pohojnë se janë përshtatur edhe kurrikulat mësimore për një formim të përgjithshëm gjatë vitit të parë. Kërkesa për vendosjen e kritereve të seleksionimit është bërë edhe gjatë viteve të shkuara, kjo me qëllim shmangien e pranimeve të një cilësie të ulët. Megjithatë, kjo gjë nuk do të ndodhë as për pranimet e reja të këtij viti akademik, që do të iniciojë në tetor. Ndërkohë, lidhur me kuotat e pranimeve bëhet e ditur se në total do të kenë mundësi të vijojnë studimet e larta pranë këtij fakulteti rreth 850 studentë të rinj, të shpërndarë në degët përbërëse. Numrin më të lartë të pranimeve edhe për këtë vit do ta shënojë dega e anglishtes, e cila renditet si një ndër degët më të preferuara për maturantët. Gjithashtu kjo degë, sipas vlerësimeve të bëra nga ekspertët e arsimit, mbart edhe një koeficient të lartë, çka u lejon maturantëve që e zgjedhin këtë lëndë për provimet me zgjedhje të grumbullojnë më shumë pikë e për rrjedhojë kanë më shumë mundësi për të fituar një të drejtë studimi në shkollat e larta publike. Për të shmangur cilësinë e dobët të pranimeve, disa prej universiteteve të tjera në vend kanë aprovuar vendosjen e kritereve të pranimit. Konkretisht bëhet fjalë për pranimet në programet e Akademisë së Arteve, Arkitekturës, pranë Fakultetit të Inxhinerisë së Ndërtimit. Për të fituar një të drejtë studimi në këto programe, kandidati duhet që krahas rezultateve të larta në provimet e maturës shtetërore, të arrijë edhe pikë të larta në konkursin individual, që do të zhvillohet në mbyllje të muajit korrik ose fillim të gushtit për secilin nga programet. Gjithashtu, për Universitetin Politeknik, dhe veçanërisht në degët Inxhinieri Matematike dhe Inxhinieri Fizike, një tjetër kriter seleksionues për pranimet do të jetë edhe nota mesatare. Kështu, nxënësit për t’u pranuar në këto degë duhet të kenë notë mesatare më të lartë sesa gjashta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›