E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranohet kërkesa e Tadiçit për të vizituar Kosovën

Qeveria kosovare do të lejojë vizitën e presidentit serb, Boris Tadiç, në Kosovë, por vetëm si vizitë të karakterit fetar. Lajmi është bërë i ditur nga zëvendëskryeministri i Kosovës Ramë Manaj. Sipas Manajt, qeveria kosovare e ka marrë kërkesën nga Zyra e Përfaqësuesit të Bashkimit Europian dhe pasi e ka shqyrtuar, ka marrë vendim të lejojë vizitën, por me disa kushte. "Ai vjen në shtetin e Kosovës dhe nuk mund të keqpërdorë qëndrimin e tij për fjalime politike. Këto janë edhe vërejtjet që i janë bërë Zyrës së Përfaqësuesit të BE-së dhe në këtë kontekst, në këto rrethana, në këtë mënyrë, i lejohet vizita presidentit të Serbisë", ka deklaruar Manaj. Presidenti serb ka njoftuar përfaqësuesit e BE-së se dëshiron të vizitojë Kosovën më 7 janar, kur janë edhe Kërshëndellat ortodokse. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka qenë edhe në prill të vitit të kaluar në Kosovë, ku ka vizituar Manastirin e Deçanit. Gjatë asaj vizite, Tadiç nuk ka lënë pa bërë edhe komente politike, kur e quajti tokën kosovare pjesë të Serbisë. Autoritetet e Kosovës i tremben faktit se edhe këtë herë, Tadiç mund ta shfrytëzojë vizitën e tij për të lëshuar deklarata politike, që kanë të bëjnë edhe me pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›