Rihapen ambasadat amerikane dhe britanike në Jemen
Ambasada amerikane në Jemen thotë se është rihapur pasi forcat e Jemenit morën masa të suksesshme ndaj rrezikut të sigurisë që shkaktoi mbylljen e saj për dy ditë. Misioni amerikan në Sana tha se Jemeni kishte zgjidhur një shqetësim konkret, përmes një operacioni kundër terrorizmit dje në veri të Sanës. Po ashtu paralajmëroi se kërcënimi i terrorizmit kundër interesave amerikane në Jemen, vazhdon të jetë i lartë. Edhe ambasada britanike në Sana u rihap sot, por i mbajti të pezulluara shërbimet publike. Shtetet e Bashkuara dhe Britania i kishin mbyllur ambasadat në Jemen të dielën, pas paralajmërimeve për një sulm të mundshëm nga Al-Kaeda.
Vëmendja e botës është kthyer tani tek Jemeni, pas sulmit të dështuar në një avion amerikan në ditën e Krishtlindjes, nga një person që mesa duket kishte lidhje me Al-Kaedën në atë vend.
Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Jemenit që të ndihmojë në kufizimin e veprimtarive të Al Kaedës.