E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranvera do të vijë në Rusi

13-05-2012 / Nga Guy Verhofstadt

Bashkësia ndërkombëtare duhet të flasë pa dorëza dhe të veprojë me vendosmëri në Rusi. Megjithatë, ndryshimet duhet dhe do të vijnë nga brenda. Kujdes Putin, pranvera po vjen

Inaugurimi i Vladimir Putinit, të hënën, për një mandat të tretë si president, paraqet kulmin e “demokracisë së menaxhuar” të Kremlinit, nën të cilin procesi politik mbetet arbitrar, mirëpo rezultati është i parapërcaktuar. Megjithatë, këtë radhë, Putin përballet me presionin e brendshëm politik. Madje as ai nuk mund ta parandalojë arritjen e një “Pranvere ruse”, po qe se pengohen reformat. Perëndimi po ashtu duhet të ketë gatishmëri dhe vullnet ta luajë rolin e vet në kërkesat për ndryshime. Një ditë pas zgjedhjeve presidenciale të 4 marsit, zyrtarët në kryeqytetet evropiane dhe në Washington kanë qenë të zënë me përpilimet e urimeve për Putinin, derisa dhjetëra e mijëra njerëz ishin mbledhur në sheshin “Pushkin” të Moskës, duke kërkuar të drejtat e tyre. Unë isha atje kur qytetarët rusë kërkuan zgjedhje të reja, të lira dhe të drejta dhe regjistrim të partive politike, që aktualisht janë shpallur të paligjshme nga regjimi. Isha atje kur populli rus bëri thirrje për drejtësi në rastet e Mikhail Khodorkovskyt dhe të ndjerëve Sergei Magnitsky dhe Anna Politkovskaya. Isha atje kur qytetarët rusë u shpërblyen mirë për pjesëmarrjen në farsën politike të tubimit zgjedhor pro-Putinit.
Si pasojë e demonstratave më të mëdha në historinë e Rusisë moderne, presidenti i atëhershëm, Dmitri Medvedev, u përkushtua për reforma politike, rishikim të ligjeve zgjedhore, liri më të mëdha politike dhe zgjedhje të drejtpërdrejta të guvernatorëve rajonalë. Ajo që mund të ketë qenë gjëja me të cilën Presidenca e Medvedevit do të mbahej në mend, doli të ishte iluzion. Putin e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të drejta; kufijtë u janë vënë zgjedhjeve për guvernatorë, derisa ndërtimi i bllokut zgjedhor është ndaluar. Ajo që u shit si pako e reformave politike ishte në të vërtetë ngushtim i lakut rreth opozitës politike. Kremlini ruan ndikim të konsiderueshëm në vendimmarrjen se cilat parti do të diskualifikohen. Prej ndryshimeve në sistemin aktual partiak përfiton vetëm Rusia e Bashkuar, partia qeverisëse, në një kohë kur elektorati i saj po bëhet gjithnjë e më i pakët. Shteti në krye të të cilit do të vihet Putin këtë radhë ndryshon nga shteti të cilin ia kishte dorëzuar Medvedevit më 2008, apo prej atij që u mundua ta bindë të votojë për “Rusinë e Bashkuar” në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të kaluar,
Premtimet për modernizim dhe sundim të ligjit ishin fjalë boshe, derisa po vazhdon rrënimi i sistemit politik, të korruptuar deri në rrënjë. Ky shtet ka një ekonomi të stagnuar, një klimë të pasigurt për biznese, infrastrukturë dhe sektor social të degraduar, një buxhet joreal dhe një sistem pensional të financuar kryesisht nga çmimet e larta të naftës, gjëra këto që nuk paraqesin bazë për avancimin e tij në një mënyrë të qëndrueshme. Për më tepër, tani atje ekziston një shoqëri e ringjallur civile, një klasë aktive e mesme ruse, moskovitë të arsimuar dhe një opozitë politike prej së majtës deri te e djathta, që refuzon të mbetet pasive.
Pra, çfarë duhet të presim, derisa shteti po e shikon të ardhmen? A mundet ujku ta harrojë zanatin? Transformimi i Rusisë është si i domosdoshëm, ashtu edhe i pashmangshëm. Ai është si në interes të Perëndimit, ashtu edhe të vetë Rusisë. Nuk ka alternativë karshi reformave serioze të sistemit politik dhe gjyqësorit, ndarjes së biznesit dhe qeverisë, racionalizimit të modelit federal, reduktimit drastik të burokracisë, luftës së sinqertë kundër korrupsionit dhe zëvendësimit të sistemit të vjetër sovjetik të sigurisë shoqërore. Rusia ka nevojë për një ndryshim tërësor të sistemit. Megjithatë, ndryshimet duhet të vijnë nga brenda dhe ato do të jenë të suksesshme vetëm po qe se janë legjitime në sytë e qytetarëve rusë.Çfarë mund të bëhet për ta shtyrë Rusinë në drejtimin e duhur? Deri më tani, politika jonë e sjelljeve të buta nuk ka funksionuar. Rusisë i duhet qasja dhe respekti në botën e jashtme, më shumë sesa që bota e jashtme ka nevojë për gazin rus apo lëndët e para. Po qe se ne besojmë vërtet, ashtu si edhe unë, në një të ardhme demokratike të Rusisë, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja duhet të ndjekin një qasje të bashkuar dhe ta përdorin ndikimin që e kanë për ta shtyrë Rusinë drejt reformave, zgjedhjeve fer dhe të lira si dhe konkurrencës së njëmendtë politike.Së pari, nuk duhet të mbahen më samite, në të cilin modernizimi diskutohet pa folur për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Së dyti, miratimi i ligjeve të njëjta në të dyja anët e Atlantikut për refuzimin e vizave dhe ngrirjen e pasurive të atyre zyrtarëve rusë dhe familjeve të ngushta, të përfshirë apo bashkëpunëtorë në vrasjen e Sergei Magnitskyt, avokatit që vdiq në burg pas bërjes së akuzave për evazion të përhapur fiskal nga zyrtarët, do të kishte një efekt të këndelljes. Së treti, ringjallja e procesit të Helsinkit për demokraci, të drejta të njeriut dhe sundim të ligjit në Rusi mund të jetë një mjet efektiv për promovimin e ndryshimeve. Bazuar në Marrëveshjen e Helsinkit të 1975-s, bashkësia ndërkombëtare duhet të bashkohet në përpjekjet e saj për mbështetjen e shoqërisë civile ruse. Rusia është shtet me një popull krenar. Bashkësia ndërkombëtare duhet të flasë pa dorëza dhe të veprojë me vendosmëri. Megjithatë, ndryshimet duhet dhe do të vijnë nga brenda. Kujdes Putin, pranvera po vjen.

Autori, ish-kryeministër Belgjikës, është udhëheqës i grupit të liberalëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›