Pranvera e Frankofonisë ishte në Tiranë
Një ditë më parë në Akademinë e Filmit & Multimedias, kinematografia franceze ka sjellë nën logo pranverën e frankofonisë dhe ka shfaqur në një ditë kinemanë non stop. Katër filma që mbërrijnë nga vendet frankofone duke përfshirë dhe bashkëpunimin shqiptaro-francez “Kolonel Bunker” me regji të Kujtim Çashkut. “Një verë pa pikë apo gjuajtje të sigurt”, nga Francis Leclerc, produksion i 2008 e titruar në frëngjisht prezantoi komedinë dramatike të një djalë të ri që ëndërron të luajë për ekipin e ri të Bejzbollit “les Expos de Montreal”, por nuk pranohet te ekipi i lagjes së vet. I ati vendos të krijojë një ekip rezervë me gjithë ata që nuk janë pranuar...”.
Ndërsa ambasada zvicerane prezantoi filmin e Patricia Plattner “Ngjyra të vogla” Christelle, parukiere konformiste dhe e nënshtruar, ka shpikur
një makine për krehje futuriste. Por kur i shoqi i saj brutal, që është edhe administratori i sallonit të saj, do t’ia japi shpikjen e saj një tjetre, ajo e
godet në kokë dhe ia mbath. Ajo mbërrin në një motel-për shofer kamionësh. “Dancing e Monës”, një e ve plot jetë. A do ta gjej prapë dëshirën për jetën dhe dashuri? Filmi “Rrapi”, produksioni francezo-rumun, e vitit 1992, i gjinisë së dramës, flet për Bukureshtin e 1988, para rrëzimit të regjimit të Ceausescu-t. Atëherë kur humb të atin, Nela vendos të largohet nga Bukureshti, duke preferuar të japë mësim në një qytet të vogël.
E ka mbyllur ditën e kinemasë frankofone bashkëproduksioni shqiptaro-francez-polak “Kolonel Bunker”, e prodhuar më 1996, por e shfaqur shumë vonë në kinema, flet për Shqipërinë e 1974. Për Shqipërinë e Enver Hoxhës. Koloneli Muro Neto ngarkohet me misionin për të mbrojtur vendin ndaj armikut të padukshëm, duke ndërtuar pothuajse 800.000 bunkerë.
Historia e Shqipërisë mbi dru
Nëse kërkon të njohësh historinë e Shqipërisë nëpërmjet artit pamor, atëherë kjo mund të ofrohet prej veprave të piktorit dhe skulptorit që gdhend në dru, Gojart Kokalarit. Firma e tij është në portretet dhe bustet e qindra figurave të njohura të kombit. Ka një lloj patriotizmi dhe fryme kombëtare që e motivojnë Kokalarin të gdhendë. Por ky skulptor ndërhyn në fantazi deri në thesaret e legjendave tona, që shpreh një botë të pasur shpirtërore me plot trimëri dhe atdhedashuri.
Tipike në këto punime janë veshjet kombëtare ku piktori di të ruajë ngjyrën dhe qëndismën autoktone shqiptare, duke sjellë me finesë dhe hijeshi atë çfarë është trashëguar në këtë lëmë, si etnos. Por duke marrë frymëzime dhe nga historia e Shqipërisë Kokalari mishëron veti trimërie, fisnikërie, në punët e tij mbi shqiptarin. Në veprat e Kokalarit do të shohësh punime të shumta në pikturë dhe në skulpturë prej druri si: Skënderbeu me suitën e tij, kalorësi ilirian, luftëtari lab, Nënë Terezën, luftëtarin arbër të hipur në kalë.