E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta prej një jave shitet me 110 lekë



Ka rreth një javë që nafta po shitet në treg me 10 lekë më shumë. Ajo është rritur në mënyrë të papritur dhe specialistët e administratës tatimore deklarojnë se kjo është rritje abuzive, pasi tregtarët e naftës po shesin ato sasi që kanë në depozita dhe nuk janë importuar tani. Administrata tatimore do të bëjë kontrolle të herëpashershme në pikat e tregtimit të naftës për të kontrolluar abuzimin me çmimin e naftës. Në pikat e tregtimit të karburantit në Tiranë, 1 litër naftë dizel dje u shit mesatarisht me 110 lekë, nafta eurodizel me 115 lekë/litër, ndërsa 1 litër benzinë me 108 lekë. Para se nafta të rritej me 10 lekë/litër, tregtimi i karburanteve prej më se dy muajsh kishte krijuar stabilitet për sa u përket çmimeve të shitjes. Nga ndryshimi i përditshëm që i ndodhte çmimit të naftës, për rreth dy muaj nafta pati stabilitet, duke mos e kaluar çmimin prej 100 lekë për litër. Në kryeqytet çmimet mesatare të karburanteve kanë nisur të pësojnë rritje, duke u shitur në këto kuota: 1 litër naftë 110 lekë, 1 litër benzinë dhe 1 litër Euro Diezel nga 115 lekë, ndërsa në tregjet ndërkombëtare çmimi i një fuçie nafte vazhdon të jetë i ulët. Ulja e fundit e çmimeve të karburanteve me 5 lekë për litër këtë vit është bërë me 12 janar, ashtu si dhe në fundin e vitit të kaluar po me 5 lekë për litër, por prej një javë nafta është rritur sërish.

Depozitat e siguruara në 25 mijë euro, p/ligji këtë javë në Kuvend

Kuvendi pritet të nisë këtë javë shqyrtimin e projektligjit të qeverisë, që synon kompensimin e plotë të depozitave deri në 25 mijë euro ose shumën e barabartë në monedhën e huaj, në rast falimentimi të bankës. Sipas projektit të qeverisë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) kompenson depozitat e siguruara kur autoriteti mbikëqyrës ndërhyn në bankën e siguruar, ose kur kjo e fundit likuidohet vullnetarisht.

Në ligj thuhet se "agjencia kompenson depozitën e siguruar në masën 100 për qind, por jo më shumë se 25 mijë euro. Kompensimi i depozitave fillon menjëherë pasi agjencia njoftohet me shkrim për ndërhyrjen apo likuidimin vullnetar të bankës". Ndërkohë, në projektligj janë parashikuar dhe afatet e kompensimit të plotë të shumave, duke mos lejuar shtyrjen e këtij procesi në një afat të tejzgjatur. Brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, ASD-ja duhet të njoftojë të gjitha bankat apo kompanitë e tjera për ndryshimet në ligj, si dhe për detyrimet që lindin prej tij. Referuar projektit të qeverisë, Autoriteti Mbikëqyrës do të ketë detyra më të rrepta ndaj bankave, duke marrë dhe kompetenca për të ndërhyrë, në rast se vërehen shkelje apo problem. Autoriteti gjithashtu mundet të urdhërojë bankën e siguruar për pushimin e menjëhershëm të veprimeve, të konsideruara si kundërvajtje dhe marrjen e masave korrigjuese. Vendimi i Këshillit të Ministrave synon të tërheqë në Shqipëri edhe kursimet e emigrantëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›