Apeli i KQZ-së, Ristani: PS dhe PR po cenojnë standardet
Partia Socialiste dhe ajo Republikane nuk janë treguar korrekte me detyrimet e Kodit Zgjedhor, duke cenuar standardet e zgjedhjeve. Bëhet fjalë për ngritjen e komisioneve zonale, për të cilat të dyja partitë kanë detyrim për të sjellë emrat përkatës të komisionerëve. Ndonëse afati ligjor ishte 13 marsi, të dyja partitë nuk e kanë respektuar. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, u bëri thirrje partive që të sjellin emrat përkatës, ndryshe cenohen standardet e kërkuara për zgjedhjet. Ai u dha si afat të fundit datën 27 mars. “Pa konstituimin e këtyre komisioneve nuk mund të nisë puna për përgatitjen e procesit zgjedhor. 27 marsi është afati i fundit për përzgjedhjen e anëtarëve të komisioneve zonale. Ne po bëjmë paralajmërimet, por deri tani nuk na kanë ardhur, prandaj kini parasysh se do të ketë kërkesa të tjera nga KQZ-ja”, - tha Ristani.
Në rang republike janë gjithsej 66 KZAZ, të cilat administrojnë zotat përkatëse rajonale. Anëtarët propozohen nga Partitë Demokratike, Socialiste, Republikane dhe Socialdemokrate. PSD-ja ka plotësuar me përfaqësuesit e saj në rreth 50 KZAZ nga 66 të tilla që do ngrihen në të gjithë vendin. Partia Demokratike ka qenë më korrekte, duke dorëzuar të gjithë emrat përkatës. Këto komisione kanë në përbërjen e tyre 7 anëtarë, 2 i ka PD-ja dhe po kaq PS-ja, ndërsa PR-ja dhe PSD-ja përfaqësohen secila me një anëtar. Në 33 KZAZ-të me numër tek, anëtarin e shtatë do ta ketë PS-ja dhe në 33 të tjerat me numër çift, PD-ja. Në total, të 66 komisionet do të kenë 462 anëtarë, prej të cilëve 165 do t’i kenë demokratët dhe po kaq socialistët. Socialdemokratët dhe republikanët do të kenë respektivisht nga 66 komisionerë gjithsej. Kodi Zgjedhor thotë se në rastin kur dy partitë e mëdha, që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ-të, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e përcaktuar, atëherë ajo u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend pas të parave, brenda grupimit përkatës. Njëkohësisht, dje në KQZ u miratua vendimi për mënyrën e funksionimit të formave të policisë gjatë zgjedhjeve. Policia Kriminale she ushtria përjashtohen nga shoqërimi i kutive të votimit, kurse për përdorimin e makinave private, Policia e Shtetit do të paraqesë në KQZ listën e makinave dhe shenjat dalluese 10 ditë para zgjedhjeve. Njëkohësisht ndalohet përdorimi i forcave komando dhe forcave të tjera të ushtrisë gjatë periudhës zgjedhore, përveçse me urdhër me shkrim të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Mbrojtjes. Urdhri i dërgohet me shkrim KQZ-së 5 ditë para, kur lëvizja është e planifikuar dhe menjëherë për rastet e veçanta.
3 kryetarë komunash dhe 150 anëtarë braktisin LSI-në
Lëvizja e anëtarëve drejt PS-së nga LSI-ja dhe anasjelltas vazhdon ende të mbajë ndezur marrëdhënien mes dy partive të majta. 150 anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Lushnje kanë dorëzuar dje publikisht teserën e kësaj partie, duke deklaruar se ka ardhur koha për të mbështetur Partinë Socialiste. Ndër pjesëtarët e larguar të LSI-së është edhe themeluesi i kësaj partie në Lushnjë, Ardian Suku, së bashku me krerët e komunave, Kolonjë, Rremas dhe Bubullimë. Ish-anëtarët e LSI-së kanë deklaruar se do të kalojnë në Partinë Socialiste, duke e konsideruar të përfunduar misionin e partisë së drejtuar nga Ilir Meta. “Ka ardhur koha të votojmë PS-në”, - deklaruan disa prej anëtarëve të larguar nga LSI-ja.