Prapaskena zikaltër: Murinjo e Guardiola për stolin e Interit
Morati beson ende te Leonardo? Një gënjeshtër me bisht. Trajneri brazilian ka rënë me shpejtësi në ferr nga parajsa ku po ngjitej ngadalë. Dy humbje radhazi që kanë kushtëzuar sezonin zikaltër, kanë sjellë irritimin e tifozërisë interiste, që në përfundim të humbjes dramatike me Shalken (2-5), kanë ofenduar ish-trajnerin e Milanit dhe kanë kërkuar që ai të japë dorëheqjen. Në gadishullin Apenin mediat janë “tërbuar” për të gjetur zëvendësuesin e Leos, por të gjitha janë dakord se braziliani do të qëndrojë të paktën deri në fund të sezonit dhe Morati do ta bëjë në verë emërimin e madh.
Fitorja e thellë e Shalke 04 në Milano ndaj Interit ka bërë që Leonardo, trajneri zikaltër, të “mbytet” nga kritikat. Sipas gazetës italiane ‘La Repubblica’, Masimo Morati, presidenti i Interit, i ka vënë qëllim vetes rikthimin e Zhoze Murinjos në pankinën zikaltër. Trajneri aktual i Real Madrid u largua nga Interi menjëherë pas fitores në finalen e Ligës së Kampioneve (në majin e kaluar) dhe zëvendësimi i tij me Rafael Benitez nuk funksionoi. Më pas, me ardhjen e Leonardos në drejtim, ekipi u bashkua dhe filloi të merrte pikë në Serinë A dhe eliminoi Bajernin e Mynihut në 1/8 e Champions, por pas disfatës ndaj Milanit (3-0) dhe humbjes turpëruese ndaj Shalke 04 (2-5) duket se tekniku brazilian do të largohet në fund të këtij sezoni dhe Murinjo është trajneri që Morati do donte sërish.
Por, një tjetër gazetë italiane, “Tuttosport”, tregon një prapaskenë akoma më rrëqethëse: Guardiola mund ta lërë Barcelonën që këtë sezon dhe të pranojë stolin e Interit. Besohet se trajneri që ka arritur ta shndërrojë Barcelonën në skuadrën më spektakolare të historisë së fushave të futbollit, është pranë emërimit si trajner i Interit, ndërsa “Tuttosport” konfirmon në numrin e djeshëm të gazetës se ‘Pep’ është takuar me presidentin e Interit, Masimo Moratin. Morati kishte thënë se mendimi i tij për Leonardon pas dy humbjeve skandaloze ndaj Shalkes dhe Milanit nuk ka ndryshuar, duke e konfirmuar atë si trajner të Interit, por prapa kuintave ai ka filluar ta kërkojë zëvendësuesin. “Tuttosport” shkruan se veç Zhoze Murinjos, kandidat serioz për ta zëvendësuar Leonardon është edhe Pep Guardiola, i cili ka thënë kohë më parë se ndihet i lodhur te Barcelona duke parandjerë fundin e ciklit të tij te gjigantët katalanas. Mediat e tjera italiane ndërkohë pohojnë se gjatë një vizite të Guardiolas në Breshia për t’u takuar me disa miq, ai është kthyer në Milano për t’u takuar me Moratin, për të gjetur një zgjidhje për kontratën e tij, e cila skadon vetëm në verën e vitit 2012.
Eto’o do të largohet nga Interi?
E ardhmja e sulmuesit kamerunas, Samuel Eto’o te Interi është vënë në dyshim, me familjen e sulmuesit që po e shtyn për një largim nga Milano. “Marca” shkruan se Eto’o ishte viktimë e një plaçkitjeje në shtëpinë e tij ku humbi me miliona euro. Shoku nga ky incident vazhdon për bashkëshorten e tij e cila po e detyron Eto’o ta shqyrtojë të ardhmen te Interi. Eto’o është një prej futbollistëve më të paguar në botë me 12 milionë euro të ardhura në vit nga Interi, ndërsa do të duhej të pranonte një ulje drastike të pagës, nëse do të dëshironte të kalonte te një prej ekipeve të interesuara, Çelsi ose Mançester Siti.