Runi, gëzime e dhimbje Ançeloti është i nxehur
Sulmuesi rifiton faqet e para të gazetave pas golit me Çelsin, ndërsa ofendimet ndaj Uest Hem i kushtojnë 2 ndeshje pezullim dhe kontratën me Coca-Cola. Trajneri i bluve nuk gjen paqe për penalltinë e mohuar
Uejni Runi rifiton faqet e para të gazetave, kësaj radhe për merita sportive. Pas polemikave për sharjet kundër Uest Hem, sulmuesi lavdërohet nga shtypi shtëpiak për golin që i dha fitoren Mançesterit në sfidën e së mërkurës të vlefshme për çerekfinalet e Champions League kundër Çelsit. Pra, “Smiles Better” titulli i “Daily Mail” që nënvizon buzëqeshjen e gëzimit që ka shoqëruar vrapimin e Roo pas golit që vulosi ndeshjen në “Stamford Bridge”, por që ka humbur sponsorizimin prej 600 mijë stërlinash në vit. Nga ana tjetër, Karlo Ançeloti e ka kapur me gjyqtarin spanjoll Alberto Undiano Majenko, i cili i mohoi një penallti fare të qartë në minutat finale skuadrës londineze, kur Evra ndërhyn keq ndaj Ramores.
Një vendim që në stolin tjetër është pritur me një pëshpërimë lehtësimi nga Sër Aleks Ferguson, që në fund të ndeshjes do të pranonte se skuadra e tij “ishte me fat”, por që më pas shton se ishte “vendimi i parë në favorin tonë pas 7 vitesh”. Si të thuash, këtë na e kishin borxh. Mund të jetë kështu, por shkoni dhe shpjegojani Ançelotit, që mendonte se i kishte lënë pas shpine të tilla “makthe italiane” dhe që e pa veten duke komentuar një vendim të arbitrit që mund t’u kushtojë kualifikimin bluve. “Është e qartë për të gjithë se bëhej fjalë për një penallti, por problemi qëndron se nuk është e thjeshtë që të japësh një penallti në minutat e fundit. Për ta bërë duhet personalitet, kurajë dhe karakter, e jo gjithmonë arbitrat i kanë këto cilësi. Jam i zhgënjyer, por fajin nuk e ka vetëm kryesori: edhe anësori ishte në vendin e duhur për të sinjalizuar për penalltinë. Ndeshja e kthimit nuk është e lehtë, por mendoj se ne duhet të përpiqemi. Dukshëm ne e dimë se do të jetë vështirë të fitojmë atje. Ne duhet të kemi vetëbesim ta bëjmë atë. Vitin e kaluar ishte e njëjta gjë – ne duhej të fitonim në “Old Trafford” dhe e bëmë këtë. Ne jemi në disavantazh, por paraqitja ishte e mirë. Jo 100%, por në përgjithësi ne kishim një kontroll të mirë, por pranuam gol shumë herët. Ne kishim mundësi, punuam fuqishëm dhe kishim shanse të pastra për të pasur një penallti në fund”.