Prapaskenat dhe kushtet e marrëveshjes Iran-Turqi-Brazil
Marrëveshja e cila u nënshkruar ditën e hënë është mirëpritur nga të gjitha organizmat ndërkombëtare. Por cilat kanë qenë kushtet dhe pikat kryesore të kësaj marrëveshje ?
Me deklaratën që nënshkroi ditën e hënë me Turqinë dhe Brazilin, Irani angazhohet të arrijë në një marrëveshje konkrete për të dorëzuar 1200 kilogramë uranium të pasuruar deri në 3.5 % ose 70 % të sasisë së uraniumit që është faktuar se disponon. Kjo përjashton mundësinë që Irani ta pasurojë këtë sasi uraniumi deri në 90 %, aq sa është e nevojshme për të prodhuar bombën bërthamore.
Në këmbim Irani do të marrë 120 kilogramë lëndë bërthamore të përftuar nga uranium të pasuruar deri në 20 % , që do të përdoret për të vënë në punë një reaktor bërthamor në Teheran, për qëllime mjekësore. Ky reaktor prodhon izotope radioaktivë që përdoren për trajtimin e kancerit në 200 spitale iraniane.
Marrëveshja e re ndryshon pjesërisht një projektmarrëveshje që u propozua në tetor të vitit 2009 nga IAEA, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, me aprovimin e SHBA-së, Rusisë dhe Francës, në bazë të së cilës, 1200 kilogramët e uraniumit do të pasuroheshin deri në 20 % në Rusi dhe më pas do të transformoheshin në karburant bërthamor në Francë dhe më pas do të riktheheshin në Teheran.
Por marrëveshja e re parashikon që uraniumi iranian të mbetet i depozituar në Turqi, në pritje që nga jashtë t'i dorëzohen Iranit 120 kilogramët e karburantit. Nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhte, Turqia duhet t'i kthejë "menjëherë" Iranit uraniumin që kishte marrë më parë.Deklarata e nënshkruar sot, do t'i komunikohet IAEA-s nga ana e Iranit brenda shtatë ditësh. Në rast të një përgjigje pozitive nga ana e IAEA-s, Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Francës, detajet e shkëmbimit do të përcaktohen nga palët.