E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapaskenat e Tirana-Flamurtari

Ata nuk kanë dashur që të dilnin në fushë. Ndeshja Tirana-Flamurtari për pak ka dështuar pasi futbollistët bardheblu kanë qenë në prag bojkoti. Arsyeja, dihet. Çështja e parave të prapambetura.
Alarmi arriti deri aty sa u mendua të merreshin lojtarë nga të rinjtë, por në çastet e fundit, lojtarët u kandisën që të luanin.
Sesi luajtën dhe çfarë ndodhi është tjetër histori, ndërsa klubi bardheblu kaloi një tjetër moment të vështirë.
Trajneri Dede kishte vepruar në një farë mënyre ndërsa afrohej fundjava duke ftuar lojtarët e tij për një drekë para ndeshjes, si për të larguar tronditjen e braktisjes së stërvitjes në mesjavë nga një pjesë e skuadrës.
Tirana humbi madje rëndë, duke pësuar 6 gola, diçka që nuk i ndodhte prej të paktën 6 dhjetëvjeçarësh.
Nuk dihet sesi do të shkojë ky edicion për klubin me më shumë tituj në Shqipëri, i eleminuar prej kohësh nga Kupa e Shqipërisë dhe me shumë gjasa, jashtë Europës.
Duket se sot është koha e Skënderbeut, por edhe e Teutës, Flamurtarit, madje edhe e Kukësit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›