E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapaskenat e mbledhjes së 45-s që ndryshoi datën Çlirimit

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Caktimi i 29 Nëntorit si festë kombëtare u bë në mbledhjen e 9 nëntorit të vitit 1945 të Kryesisë së Këshillit të ANÇ, e cila u mor kryesisht e caktimin e “të kremteve kombëtare, civile dhe fetare”. Kur shqyrton me kujdes procesverbalin e kësaj mbledhjeje për caktimin e 29 nëntorit si “e kremte kombëtare”, del prapaskena e maskuar mjeshtërisht dhe që të kujton letrën e E. Hoxhës drejtuar Gjin Markut më 15 shtator 1944, në të cilën e porosiste se si duhej t’i maskonte marrëdhëniet me majorin Voja apo kur i shkruan Miladin Popoviçit që të merrej me hetimin e veprimtarisë së Mustafa Gjinishit (Ash, Fondi KQKSh, v. 1943, D. 23/1). Ramadan Çitaku ka qenë ndër përkrahësit më të flaktë të vijës politike të E. Hoxhës për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Pra, federalist, titist i orëve të para. Ai më pas do të bëhej ambasadori i Shqipërisë në Beograd dhe nuk ka dyshim se ishte urdhëruar nga misionarët e Titos, që 29 nëntori të shpallej edhe në Shqipëri si ditë feste kombëtare. Këtë kërkesë Titoja ia kishte dërguar më parë Enver Hoxhës, qysh me telegramin e 28 nëntorit 1944, ku urdhëronte: “Tani edhe festat do t’i kemi të përbashkëta”.

Procesverbali i 9 nëntorit 1945

Mbledhjen e Kryesisë së Këshillit të ANÇ e ka hapur kryetari Omer Nishani, i cili ka kërkuar që të diskutohej mbi projektligjin “Për të kremtet zyrtare”. Diskutimet nisën më fjalën e Tuk Jakovës, i cili si përfaqësues i sindikatave kërkoi të shtohej si festë 1 Maji, sepse ishte harruar në projektligjin e propozuar. Pasi u votua, për të e mori fjalën baba Mustafa Xhani, i cili kërkoi të përfshihej dhe dita e Nevruzit… Më pas e mori fjalën Bedri Spahiu, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ, i cili kërkoi që në projektligj emërtimi i festës së 28 nëntorit të zgjerohej dhe të përfshinte edhe ditën e çlirimit të Shqipërisë.

Ja si është në procesverbal

Sh. Bedri Spahiu: Dita e 28 nëntorit konçidoi me Çlirimin e Shqipërisë, d.m.th, me rënien e Shkodrës, prandaj proponj që emërtimi i festës së 28 Nëntorit të bëhet: Dita e Indipendencës dhe e Çlirimit të Shqipërisë (nuk përkrahet)

Sh. Bedri insiston të vihet në votë.

Sh. kryetar e vë në votim dhe nuk pranohet (votojnë pro vetëm pesë)”.

Pas këtij votimi e mori fjalën baba Mustafa Xhani për çështje festash fetare si dhe Gjergj Kokoshi e Myslim Peza. Pas votmit për festat fetare u bë pesë minuta pushim, kur mbledhja thuajse sa kishte filluar, për të vazhduar pastaj gjatë e pa ndërprerje deri në fund… Këto 5 minuta pushim me sa nënkuptohet iu deshën E. Hoxhës si regjisor federatist titist të kurdiste papagallin R. Citakun, që ai të argumentonte se përse 29 Nëntori duhej caktuar si ditë feste për të kujtuar Çlirimin e Shqipërisë (koment i historianit K. Biçoku). Rreth saj u diskutua më shumë se për të gjitha festat e tjera të marra së bashku, sepse diskutantët nuk qenë të një mendjeje.

Në fjalën që mori pas pushimit R. Çitaku tha: “Në projektligj është harruar të vihet data e Çlirimit të Shqipërisë…Dita e 28 Nëntorit është e drejtë të festohet, por edhe kjo e Luftës së Dytë, e Luftës së Madhe, duhet të shtohet (përkrahet). Vetëm është çështja e datës. Me sa di unë, pas mesnatës së 28 nëntorit 1944, armiku qe zhdukur nga e gjithë Shqipëria, d.m. th. dita 29 nëntor u gdhi duke qenë Shqipëria e çliruar. Prandaj proponoj që dita e 29 Nëntorit të shtohet në ditën e festave kombëtare. Ne kemi vënë ditën e mbarimit të luftës së përbotshme e të mos vëmë ditën e Çlirimit të Shqipërisë, më duket se do të ishte gabim”.

Sh. Hasan Pulo: Nuk kam kundërshtim për sa tha baca. Por do të desha të di si e kanë ato shtete që kanë luftuar dhe kanë hequr të zezat më shumë sesa ne?

Sh. Ramadan Çitaku: Në Jugosllavi ditën e Çlirimit të Beligradit e mbajnë si festë të përgjithshme. Edhe në mos e kanë gjetkë, ne mund ta bëjmë. Edhe në kemi luftuar më shumë nga të tjerët.

Sh. Hasan Pulo: Gjithë shtetet një ditë kanë festë të indipendencës së tyre

Sh. Ramadan Çitaku. Pamë në Bullgari që megjithëse nuk kanë bërë luftë, ditën e Çlirimit e kanë bërë festë.”

Fryma e përgjithshme ishte për ta nxjerrë 29 nëntorin si ngjarjen më të madhe të historisë së Shqipërisë. Dhe nuk u përkrah nga shumica mendimi i B. Spahiut, që emërtimi i festës së 28 nëntorit si ditë e pavarësisë të zgjerohej edhe me atë të Çlirimit të Shqipërisë. Por asnjë nga anëtarët nuk e kundërshtoi mendimin e Bedri Spahiut se Shkodra ishte çliruar më 28 nëntor 1944. Këtë fakt e pranoi edhe titisti Gj. Kokoshi, që tregoi se “me sa di unë, pas mesnatës së 28 nëntorit 1944, armiku qe zhdukur nga e gjithë Shqipëria, d.m.th. dita e 29 nëntorit u gdhi duke qenë Shqipëria e çliruar.”

Që të arrinin kalimin e kufirit në kohën e përmendur nga R. Çitaku, ushtarët gjermanë, shumë prej të cilëve ishin këmbësorë, detyrimisht janë larguar shumë orë më parë nga qyteti i Shkodrës dhe rrethinat e tij. Bëhet fjalë për 35 km rrugë të paasfaltuar për të mbëritur në kufirin me Malin e Zi.

Në këtë takim, sipas procesverbalit, nuk kanë diskutuar për festën e Çlirimit, datën dhe kohën e saktë shumë nga anëtarët e Këshillit të ANÇ. Mes tyre baba Mustafa Xhani, Gogo Nushi, Dali Ndreu, Nako Spiro, Enver Hoxha etj. Enver Hoxha ishte ndër tri anëtarët më të informuar për këtë çështje…

Hileja

Sipas nenit 8 të ligjit “Mbi të kremtet zyrtare” ku përfshihej edhe 29 Nëntori si datë përkujtimore për Çlirimin e Shqipërisë, ai hynte në fuqi “ditën e botimit të saj në Gazetën e Zyrtare”. Dhe ky ligj qëllimisht u botua në nr. 75 të këtij organi, më 30 nëntor 1945 që të mënjanohej ndonjë kundërshtim ndaj falsifikimit dhe shtrembërimit që po i bëhej ditës së Çlirimit të Shkodrës dhe të të gjithë Shqipërisë. Ndërkohë që nga 9 nëntori deri më 30 nëntor kanë dalë nga shtypi katër numra të tjerë të Gazetës Zyrtare (23), në të cilat janë botuar ligje e vendime më të vona se ligji i datës 9.11. 1945 për festat zyrtare.

Burimet shkodrane

Çfarë thoshin traktet më 28 nëntor 1944

Burimet historike më të rëndësishme që dëshmojnë për Çlirimin e Shqipërisë më 28 nëntor 1944 janë ato që vijnë nga vetë qyteti i Shkodrës. Ata që i kanë përjetuar ngjarjet, kujtojnë se pasditen e 28 Nëntorit, kur në rrethinat e Shkodrës trupat gjermane ishin grumbulluar për të vazhduar marshimin, goditën me artileri forcat partizane në Urën e Mesit duke i larguar ata dhe vetë gjermanët vazhduan të pa shqetësuar nëpër rrugën e Hanit të Hotit. Pas aksionit të artilerisë gjermane, nuk ka pasur më asnjë episod luftarak me pushtuesit dhe armët heshtën. Gjatë muajit nëntor të vitit 1945 në gazetën “Koha e Re” të Shkodrës janë botuar disa shkrime që dëshmojnë se Shqipëria është çliruar më 28 nëntor 1944. Historiani Kasëm Biçoku sjell dokumente të kohës, si trakti i 28 nëntorit 1944 i Këshillit Nacional Çlirimtar të Shkodrës i cili thotë se në natën e 27-28 nëntorit të vitit 1944 trupat gjermane nuk ndodheshin në Shkodër dhe roje të qytetit kanë qenë banorët e tij. Po kështu, edhe trakti i 28 nëntorit 1944 i Komitetit Qendror për Shkodrën i Partisë Komuniste, i shtypur në shtypshkronjën e franceskanëve pas largimit të gjermanëve, në përmbajtjen e tij tregon se atë ditë Shqipëria konsiderohet e çliruar.

Ky lajm është publikuar: 29/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›