Prapë fiton Qosja

Pas problemeve që u shfaqen në konkursin e shpallur nga Qendra Kinematografike e Kosovës për subvencionimin e filmave, konkurs ky që u desh të përsëritej për shkak të parregullsive, prapë fitues ka dalë regjisori Isa Qosja.
Konkursi u desh të përsëritej për shkak se në juri kanë marrë pjesë pesë veta e jo shtatë siç duhet sipas Ligjit për Kinematografi.
Filmi “Tri dritare dhe një varje” në regji të Isa Qosjes e me skenar të Zymber Kelmendit, i shtëpive filmike N.SH. “CMB” dhe P.K. “ISSTRA”, do të subvencionohet me shumën prej 250 mijë euro.
Në një komunikatë për media, të dërguar nga QKK, thuhet se Këshilli Drejtues i Qendrës Kinematografike të Kosovës i përbërë nga Arben Zharku, kryesues, Burbuqe Berisha, Ilir Kabashi dhe Arben Apolloni, anëtarë, në mungesë të anëtarit Agron Vula, i tubuar me datë 19 nëntor, pasi shqyrtoi vendimin e jurisë vlerësuese të konkursit për projekte filmike të datës 19.11.2011 solli vendimin për subvencionimin e filmave të metrazhit të gjatë, të metrazhit të shkurtë, atij dokumentar si dhe të animuar.
Në kategorinë e filmit artistik të metrazhit të gjatë, përpos filmit të Qosjes, janë përzgjedhur edhe katër filma të tjerë.
“Babai” me skenar dhe regji të Visar Morinës, i shtëpisë filmike N.SH. “Produksioni Krusha”, subvencionohet me shumën prej 100 mijë euro; “Njerëz të tepërt” me skenar dhe regji të Arben I. Kastratit, i shtëpisë filmike N.SH. “Some Kind Of Productions”, subvencionohet me shumën prej 20 mijë euro për realizimin e post-produksionit; “Kthimi” me skenar dhe regji të Kastriot Abdylit, i shtëpisë filmike N.SH. “Shkupi Film”, subvencionohet me shumën prej 29 mijë euro për pagesën e grupit të aktorëve nga Kosova; “Autobusi” me skenar dhe regji të Jeton Budimës, i shtëpisë filmike “City Film”, subvencionohet me shumën prej 3,500 euro për zhvillimin e skenarit.
Ndërkaq, në kategorinë e filmit artistik të metrazhit të shkurtër janë përzgjedhur për realizim këta filma: “Zëvendësimi”, me skenar dhe regji të Ilirjan Himajt, i shtëpisë filmike N.SH. “Tri dritare”, subvencionohet me shumën prej 13 mijë euro; “Ne të tre”, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, i shtëpisë filmike N.T.SH.” Init Production”, subvencionohet me shumën prej: 8 mijë euro; “Përqafimi i fundit”, me skenar dhe regji të Lulzim Guhelli, i shtëpisë filmike N.T.SH. “CINEPRODUCTION”, subvencionohet me shumën prej 1,500 euro për zhvillimin e skenarit.
Në kategorinë e filmave dokumentarë përzgjidhen projektet: “Tingujt e rrënjës”, me skenar dhe regji të Shota Bukoshit, i shtëpisë filmike N.SH. “3V”, subvencionohet me shumën prej 15 mijë euro; “Heil Hitler”, me skenar dhe regji të Alban Mujaj, i shtëpisë filmike N.Sh. “MF GR Media Film Productions”, subvencionohet me shumën prej 5 mijë euro, ndërsa në kategorinë e filmit të animuar është përzgjedhur projekti “Përtej”, me skenar dhe regji të Nexhat Krasniqit, i shtëpisë filmike “Studio Nekra”, i cili subvencionohet me shumën prej 20 mijë euro.