E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria po ndryshon vetëm për oborrin kryeministror

Kreu socialist ka prezantuar programin në qytetin e Bilishtit. Bujqësia, papunësia, shëndetësia, pikat kryesore


Qyteti i vogël juglindor i Bilishtit ka qenë stacioni i radhës i turrit të prezantimit të programit politik dhe qeverisës nga ana e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.


Në një takim masiv zhvilluar në qendër të kësaj qyteze, shefi i selisë rozë, duke iu përmbajtur shtatë shtyllave kryesore mbi të cilat është ndërtuar ky program, u ka premtuar të pranishmëve ndryshimin e shumëpritur, që nga tryeza e bukës e deri tek cilësia e jetës. "Do të sjellim në shtëpitë e shqiptarëve ndryshimin e pritur, që nga tryeza e bukës deri tek cilësia e jetesës.


Shqipëria nuk mund të zvarritet më, por të ecë me ritme të reja, me zhvillim të ri,"- u shpreh Rama, duke nënvizuar se do të jetë Partia Socialiste dhe ekipi i saj i ri që do të punojnë ndryshe me një vullnet të ri dhe më zgjidhje krejt të reja për këtë vend.


Nga Bilishti, lideri i opozitës, ka atakuar Kryeministrin dhe oborrin e tij kryeministror, i cili, sipas tij, është i vetmi grup njerëzish që po jetojnë "ndryshimin" që solli kjo qeveri në këto katër vjet, pasi siç ka theksuar Rama, pjesa më e madhe e popullsisë po përjeton skamjen dhe indiferencën e strukturave të shtetit kundrejt tyre.


"Sali Berisha ju gënjeu, e, megjithatë, ne jemi këtu për t'ju thënë se, ndërkohë që pasi ju gënjeu, Sali Berisha kërkon që të jeni edhe të lumtur, sepse mendon që të gjithë ju, jetoni siç jeton familja e tij, që në fakt është e vetmja familje realisht përfituese në këto 4 vjet qeverisjeje të Sali Berishës. Sali Berisha thotë se Shqipëria po ndryshon.


Është e vërtetë që Shqipëria po ndryshon për një grusht njerëzish, të cilët sot janë shumë më të pasur, të cilët sot jetojnë shumë më mirë, të cilët sot i kanë zgjidhur të gjitha problemet e tyre dhe këta janë njerëzit e familjes së Kryeministrit dhe njerëzit e oborrit të Kryeministrit, ndërkohë që jashtë atij oborri, jeton një Shqipëri tjetër, e cila mezi arrin fundin e muajit, e cila sot, 4 vjet më vonë, me rrogat e dyfishuara të Sali Berishës, blen dy herë më pak se 4 vjet më parë", - tha Rama.


Duke shfletuar kapitujt e këtij programi, Rama është ndalur tek problematika që shqetëson sot popullsinë rurale, ku natyrisht ka evidentuar zgjidhjet që qeverisja socialiste do të ofrojë në rast se do të marrë pushtetin më 28 qershor, duke filluar që nga zgjidhja e çështjes së shitjes së produktit bujqësor, ulja e shpenzimeve, ujitja, etj.


E këtu ai ka premtuar edhe një herë se socialistët do të shpërndajnë naftë pa akcizë për të gjitha makineritë bujqësore, në mënyrë që të ulet kostoja e produktit bujqësor. "Ne nuk ju premtojmë, por angazhohemi solemnisht përpara jush, se pas 28 qershorit, naftën do ta keni pa akcizë", - u shpreh Rama.


Ai është ndalur edhe tek papunësia, e cila sipas tij, pavarësisht deklaratave, vijon të mbetet një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare, çka ka sjellë për rrjedhojë dhe një varfërim të mëtejshëm të këtyre familjeve.


Për të shëruar këtë plagë, kreu socialist ka premtuar politika të posaçme, duke reduktuar ndihmën ekonomike që jepet për të papunët dhe duke rritur investimin në qendrat profesionale. "Katër vjet të tjera me Sali Berishën dhe oborrin e tij, do të sjellin më shumë papunësi. Shqipëria nuk mund të vazhdojë më në këtë gjendje varfërie dhe papunësie", - tha Rama.


Ai ka folur edhe për programin e fushës së shëndetësisë, ku sipas tij, është parashikuar një ndërhyrje e fortë në sistemin e shërbimit shëndetësor. "Do ngremë shërbim shëndetësor universal, që do t'u shërbejë të gjithëve, pavarësisht kontributeve të paguara ose jo të sigurimeve shëndetësore", - tha më tej Rama.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›