E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyten në lumë nënë e bijë

FATKEQËSIA/ Selime Çapja dhe vajza e saj 8-vjeçare janë marrë nga rryma teksa tentonin të kalonin lumin Devoll

Djali 4-vjeçar ëshë shpëtuar mrekullisht nga një banor i zonës duke minimizuar kështu tragjedinë e familjes

ELBASAN- Një grua bashkë me të bijën 8-vjeçare janë mbytur në ujërat e lumit Devoll, ndërsa është shpëtuar mrekullisht nga një banor i zonës djali 4-vjeçar. Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 09:00 të së dielës në afërsi të fshatit Rrenas të komunës Gostimë.


Ky vend përdoret nga banorët e disa fshatrave për të kaluar në anën tjetër të lumit. Selime Çapja, 41 vjeç, me banim në fshatin Grekan, dhe vajza e saj 8-vjeçare Xhorxhina kanë ndërruar jetë teksa janë marrë nga rrjedha. Ndërkohë, i vetmi i mbijetuar është djali i saj Antonio. Vetëm një orë pas ngjarjes u arrit që të nxirrej nga uji trupi i gruas, ndërsa ende në kërkim ishte trupi i vajzës së mitur.


Ngjarja


Selime Çapja, bashkë me dy fëmijët e saj Xhorxhina, 8 vjeçe, dhe Antonio, 4 vjeç, ishte duke shkuar tek nëna e saj në Mollas. Gruaja ka përdorur rrugën përmes lumit, por nuk ka pritur karrocën duke hyrë menjëherë në ujë, pa e menduar se mund të ishte shumë e rrezikshme.


Ka mundur të bëjë disa hapa dhe njëherazi është përpirë nga uji bashkë me vajzën dhe djalin e vogël. Disa metra larg tyre ka qenë një banor i fshatit. Edhe pse iu ka thirrur disa herë, gruaja nuk e ka dëgjuar paralajmërimin për shkak të zhurmës së ujit dhe fundi ka qenë tragjik për të dhe vajzën.


Azem Mekshi, kur ka parë të gjithë skenën ka vrapuar për të shpëtuar njerëzit që po mbyteshin. Ai ka arritur të kapë vetëm djalin e vogël, i cili fatmirësisht mundi t'i shpëtojë vdekjes. Nuk kanë qenë kaq me fat motra e tij e mitur dhe nëna. Banorët kanë filluar kërkimet menjëherë në pjesë të lumit duke ndjekur rrjedhën.


Vetëm një orë më pas është gjetur trupi i gruas 41-vjeçare në dalje të fshatit Dëshiran, përgjatë shtratit, rreth 4 kilometra larg vendit ku u mbyt. Në vendin e ngjarjes mbërritën efektiva të policisë, ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët kanë këqyrur vendin dhe kanë marrë në pyetje dëshmitarët. Kërkimet e policisë dhe të banorëve janë shtrirë përgjatë gjithë rrjedhës për të gjetur trupin e vajzës së mitur, kërkime që kanë vijuar deri në orët e vona.


Hetimet


Pasi janë marrë në pyetje dëshmitarët dhe janë ekzaminuar prova në vendin e ngjarjes policia ka dalë në përfundimin se mbytja e gruas 41-vjeçare dhe vajzës së saj 8 vjeçe ka ardhur nga pakujdesia. Sipas policisë, gruaja ka tentuar të kalojë lumin, por është marrë nga rryma bashkë me fëmijët e saj.


Trupi i saj është dërguar në morgun e spitalit të Elbasanit për ekzaminim. Ndërkohë, pasditen e së dielës kanë mbërritur në zonën mes Rrenasit dhe Dëshiranit, segment ku u mbytën dy viktimat, polumbarë dhe oficerë të RENEA-s.


Kërkimet për gjetjen e trupit të vajzës vazhdojnë në një gjatësi prej 5 kilometrash ku mendohet ta ketë tërhequr uji. Në mbrëmje kërkimet janë ndërprerë për të vazhduar mëngjesin e së hënës.

Tregon dëshmitari i vetëm:
"Si e shpëtova djalin 4 vjeç"


Azem Mekshi është banor i fshatit Malasenj. Ai kishte vendosur të kalonte lumin për të shkuar në pazar. Ka qenë disa metra larg kur ka parë gruan të hyjë në ujë. "I thërrita disa herë të mos hynte, pasi uji ishte i rrëmbyeshëm dhe kishte shumë, edhe pse është vapë e duhet të kishte shterur. Nga uji ajo nuk më dëgjoi dhe hyri me gjithë fëmijët. Vazhdova të vrapoja pasi e pashë që kishte edhe të vegjël. Kur për pak momente uji i përfshiu.


Vrapova, hoqa këpucët dhe hyra në ujë për të kapur qoftë njërin, pasi të gjithë e dija që s'mundja. Djali ka qëndruar mbi ujë në një cep dhe unë arrita prej dore ta mbërthej. E nxora nga uji me ndihmën edhe të dy djemve të tjerë. Fëmija është shëndoshë e mirë, por për të tjerët s'u bë gjë. Më pas mësova që poshtë ishte gjetur trupi i gruas dhe po vazhdojnë kërkimet edhe për vajzën".


Azemi tregon se shumë banorë kalojnë në këtë pjesë, pasi është më e lehtë nga të tjerat dhe ka rrugë në anën tjetër që të çon në Mollas. Një pjesë kalojnë me karrocë dhe paguajnë 1 mijë lekë të vjetra, ndërsa pjesa tjetër kur nuk kanë vendosin të rrezikojnë duke e kaluar në këmbë. Vetëm një vit më parë në këtë zonë u mbyt një grua dhe trupi u gjet 3 muaj më vonë.

Karrocieri: Gruaja nuk priti që ta kaloja unë


Bardhyl Mançi bën punën e karrocierit. Ai trasporton çdo ditë pasagjerët e tij nga një anë e lumit në tjetrën. Këtë gjë ai e bën për të fituar diçka dhe çdo pasagjeri i merr 100 lekë.


Për ngjarjen ai tregon se ka qenë duke çuar disa pasagjerë në kohën kur gruaja ka qenë aty, sepse do ta kalonte me karrocë dhe kjo nuk do të kishte ndodhur. "Këtu është menduar një urë para 10 vjetësh, por gjithçka mbeti tek fjalët. Unë e kam shtëpinë shumë pranë lumit dhe sa herë që dëgjojmë ndonjë zë të thërrasë apo të bërtitura, dalim me shpejtësi pasi mendja na shkon tek mbytja.


Ura është gjëja më e domosdoshme për ne. Është shumë larg dhe kushton shumë për të ndjekur rrugën e gjatë dhe të keqe, prandaj zgjedhim lumin. Shumë familje janë të varfra, nuk kanë as lekë për mua dhe vendosin duke rrezikuar ta kalojnë me këmbë".

-------------------------------------------------------------------------

Banorët: Një urë mban të bllokuar 2 mijë vetë


Fatkeqësitë në këtë pjesë të lumit Devoll nuk janë as të parat, as të fundit. Banorët e fshatrave Rrenas, Grekan e Gjyralë ankohen se nuk kanë një urë për të kaluar në në fshatin Mollas, ku bëhet pazari i çdo jave, kanë lidhjet familjare dhe rruga është e mirë për të shkuar drejt qyteteve.


Kjo zonë nga Gostima e deri në Kuçovë vuan për një urë, mungesa e së cilës është kthyer në burim të vazhdueshëm fatkeqësish. Mustafa Senja, 50 vjeç, shprehet se ai ka shpëtuar disa ditë më parë nga mbytja, ndërsa uji i ka marrë karrocën, të vetmin mjet që kishte dhe i ka mbytur kalin.


Këtu në këtë pjesë tregon ai janë mbytur 22 kuaj dhe për të gjithë zonën ka mbetur vetëm një karrocë që bën punën e transportit. "Vjet desh u mbyt një karrocier bashkë me djemtë e tij, por rastet kur njerëzit rrezikojnë janë të shumta. Nuk di çfarë të them. Ky lumë po merr jetë njerëzish çdo ditë e më tepër.


Ne kemi kohë që kërkojmë një urë, pasi është e domosdoshme për ne. Për të shkuar një Mollas duhet të shkojmë një herë në Gostimë. Rruga ështe e keqe dhe të gjitha këto fshatra janë në mëshirë të Zotit dhe të shiut.


Nëse nuk merren masa, atëherë raste si këto do të dëgjoni prapë. Politika bën ura e tunele me miliarda në Kukës, ndërsa ne 2 mijë banorëve askush nuk na ndihmon qoftë edhe vetëm për një urë".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›