SHBA, rritet prodhimi dhe ndërtimi
po rritet dhe po krijon vende të reja pune duke lënë në harresë edhe problemet financiare të Evropës. Megjithëse rritja e prodhimit nuk ishte në masën e regjistruar në prill, të dhënat e punësimit në këtë sektor treguan një normë rritje në pikën më të lartë 6 vjeçare. Edhe në Shtetet e Bashkuara ekziston frika, se shkurtimet e shpenzimeve në Evropë, do të prekin nivelin e konsumit të produkteve amerikane. Instituti Amerikan në Mbështetje të Biznesit, tregoi të martën se indeksi i aktivitetit kombëtar të fabrikave ra në 59.7 në maj, nga 60.4 që ishte në prill, por gjithsesi vlera është më e lartë nga pritshmërinë e analistëve. Porositë për eksporte ishin në nivelin më të lartë që nga dhjetori i vitit 2008. Departamentit Amerikan të Tregtisë, raportoi se shpenzimet në ndërtim në muajin prill u rritën me 2.7 për qind dhe kjo është vlera më e lartë që nga gushti i vitit 2000. Shpenzimet për ndërtim në mars, u rritën me vetëm 0.4 për qind.
Bankat do qëndrojnë në zonën euro
Disa nga Bankat Qendrore më të pasura të botës, nuk do të ndalin investimet në monedhën e bashkimit evropian, pavarësisht rënies së vazhdueshme të saj. Bankat Qendrore më të mëdha në botë, do të mbështesin statusin e rezervës së tyre pavarësisht krizës së borxheve sovrane në eurozonë. Pavarësisht se Eurozona dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përpara sfida të mëdha fiskale, likuiditeti i madh i monedhës së tyre dhe vështirësia e ndërrimit të portofolëve shumë të mëdha në këto monedha, do të thotë se nuk ka asnjë alternativë tjetër për termat afatshkurtër. Ky është edhe mesazhi që kanë përcjellë burime zyrtare nga Brazili, India, Japonia dhe Koreja e Jugut në intervista të dhëna për Reuters. "Pavarësisht se dollari dhe euro janë në vështirësi a ka ndonjë vend tjetër ku mund të investohet? Nuk ka asnjë dhe ndërkohë ka nevojë për një nivel të caktuar likuiditeti," tha një zyrtar i lartë i qeverisë japoneze pa pranuar të identifikohet për shkak të ndjeshmërisë politike të çështjes. "Monedhat e vendeve me kontroll mbi kapitalin janë të destinuara të mos funksionojnë dhe kjo na lë ne pa asnjë opsion tjetër," tha zyrtari.
Nafta bie në 72 dollarë për fuçi
Nafta ra poshtë 72 dollarëve të mërkurën, për të tretin sesion rresht, prej forcimit të dollarit nga blerjet e shumta prej investitorëve, të cilët gjithnjë e më shumë po i drejtohen atij si mjet i sigurt investimi, si dhe prej humorit negativ që po pushton tregjet financiare. Dollari u vërtit pranë kuotave të larta 4-vjeçare që preku ditën e kaluar në raport me euron, dhe u rrit me gati 0,33 për qind ndaj shportës së monedhave të tregtisë ndërkombëtare. Banka Qendrore Evropiane paralajmëroi të martën se bankat e rajonit mund të përballen me një valë të re humbjesh, në një kohë që forcimi i dollarit po realizohet falë të dhënave më të mira nga parashikimet në sektorin e ndërtimit dhe atë të prodhimit industrial, çka shkaktoi edhe një rritje të përkohshme të çmimeve të naftës të martën. Nafta bruto amerikane për qershorin ra 60 centë në 71,98 dollarë për fuçi, e ndodhur nën presionin e rënies së euros. Nafta Brent e Londrës ra 52 centë në 72,19 dollarë për fuçi. Tregu pritet të marrë edhe më shumë orientim nga të dhënat mbi depozitat amerikane, që publikohen të mërkurën dhe të enjten. Depozitat amerikane të naftës parashikohet të kenë rënë me 200 mijë fuçi javën e kaluar, pasi rafineritë kanë rritur përpunimin e brutos, teksa importet kanë rënë disi, tregon një sondazh i kryer së fundmi nga Reuters.