E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipja e dorëzuar

Tërheqja e shqipes në favor të anglishtes për funksione publike. Anglishtja po kthehet, me gjasë, në një gjuhë zyrtare pune, siç funksionon sot në disa vende të botës, por pa pasur për këtë një status ligjor të shpallur a të mbrojtur.


Nuk ka nevojë që të jesh doemos në kërkim të një pune, për t'u bindur që sot në Shqipëri një numër ofertash për punësim përmes shtypit bëhen më së shumti në gjuhë të tjera nga shqipja. Mjaft të shfletosh herë pas here disa nga gazetat kryesore të përditshme për të mbërritur në përfundimin se të tilla janë pa frikë më shumë se gjysma e lajmërimeve për punë.


Me përjashtim të shpalljeve për vende të lira pune pranë institucioneve shtetërore (ministri, bashki, agjensi e drejtori të ndryshme), të cilat dalin në gjuhën shqipe, të tjerat i gjen të shkruara në anglisht, në ndonjë rast edhe në italisht e gjermanisht.

Mund të mendohet se pas ofertave për punësim të shkruara në gjuhë të tjera duhet të qëndrojnë organizata, shoqata apo kompani ndërkombëtare, që veprojnë edhe në Shqipëri, të cilat kërkojnë të punësojnë edhe personel të huaj.


Por, nga një hetim i kujdesshëm i ofertave në fjalë, del se nuk është kështu. Vërtet punëdhënësit në shumicën e herëve janë organizata jofitimprurëse ndërkombëtare apo kompani të huaja që veprojnë në tregun shqiptar, por thuajse në të gjitha rastet bëhet fjalë për të punësuar një person që ka si gjuhë amtare shqipen. Çfarë e dëshmon këtë?


Para së gjithash, kërkesa për "rrjedhshmëri në gjuhën amtare të folur e të shkruar", si një prej cilësive apo kompetencave kryesore të kandidatit (dhe, afërmendsh, kjo gjuhë s'mund të jetë veçse shqipja). Së dyti, kërkesa për ta dorëzuar CV-në në dy gjuhë: në shqip dhe në anglisht. Së treti, kërkesa që kandidati të punojë në grup apo në skuadër, dhe kjo e fundit - është e kuptueshme - s'mund të ketë në përbërje të vet, në shumicën dërrmuese, të paktën, veçse shqiptarë.

E po ç'të keqe ka, mund të thotë ndokush, që lajmërimet për punë të kualifikuara këtu në Shqipëri të shpallen në anglisht, kur dihet se "destinacioni" i tyre janë persona që duhet ta njohin patjetër anglishten? Madje kjo e fundit përbën një nga kërkesat bazë për marrjen e tyre në punë. Të keqen e shkeljes së ligjit, do të thoshim përnjëherë.


Dhe jo të një ligji çfarëdo, por të ligjit themeltar të shtetit, siç është kushtetuta shqiptare, e cila, siç e kemi thënë e stërthënë, e ka shpallur shqipen gjuhë zyrtare të Republikës së Shqipërisë (Neni 14.1).


Një gjuhë zyrtare statutore do ta quanin në këtë rast shqipen planifikuesit gjuhësorë të sotëm; pra, një gjuhë që përcaktohet shprehimisht me ligj si gjuhë zyrtare (pa nënkuptuar doemos që funksionon si e tillë edhe në praktikë).


Duhet thënë se jo çdo shtet ka gjuhë zyrtare statutore. Anglia dhe SHBA - sa për të sjellë një shembull - historikisht e deri sot e kësaj dite nuk e kanë shpallur ndonjëherë ligjërisht statusin e anglishtes, por kjo nuk e ka penguar këtë të fundit të jetë realisht e tillë.
Shqipja, përkundrazi, edhe pse "nën mbrojtje ligjore", ka nisur të mos funksionojë si gjuhë zyrtare e njëmendtë.


Lajmërimet e shumta për punë dhe mesazhet e publicitetit të shkruara në anglisht; lënia në anglisht apo gjuhë të tjera të huaja, në pjesën dërrmuese të rasteve, e informacionit për konsumatorin; përdorimi i anglishtes në raportimet me gojë e me shkrim nga zyrtarët e disa ministrive shqiptare, që merren me çështjet e integrimit; emërtimet edhe në anglisht, krahas atyre në shqipe, të emërtimeve rrugore; përdorimi i teksteve në anglisht nga disa institucione arsimore publike; mbajtja në anglisht e bisedimeve apo fjalimeve zyrtare në takime me të huaj që zhvillohen në Shqipëri etj., s'janë veçse disa ndër shembujt e shumtë, që dëshmojnë tërheqjen e shqipes në favor të anglishtes sa i përket funksioneve publike.


Anglishtja po kthehet, me gjasë, në një gjuhë zyrtare pune, siç funksionon sot në disa vende të botës, por pa pasur për këtë një status ligjor të shpallur a të mbrojtur.


Anglishtja në Shqipëri funksionon si gjuha e parë e huaj, që mësohet në shkollat dhe universitetet shqiptare, por kjo nuk i njeh asaj, natyrisht, të drejtën e përdorimit në funksionet e shqipes, gjuhës zyrtare të shpallur për komunikim publik në territorin e Republikës së Shqipërisë.


Ndërkohë është një realitet i pamohueshëm që përdorimi i anglishtes është shtrirë e përhapur sot mjaft jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Evropën. Ajo po zë një vend gjithnjë e më të madh në arsim, në shkencë, në vendin e punës, në institucionet mbikombëtare (supranational) evropiane etj.


Në pjesën dërrmuese të vendeve evropiane anglishtja është bërë tashmë gjuha e huaj kryesore, që mësohet në shkollë. Madje, një mësim i detyrueshëm, i cili nis që në ciklin e shkollës fillore. Ajo ka marrë edhe statusin e gjuhës së dytë në disa prej vendeve të Evropës, siç janë vendet skandinave, Hollanda apo Gjermania, si dhe është bërë gjuhë e mësimdhënies në shumë institucione të arsimit të lartë, përfshirë edhe arsimin on-line.


Nuk mund të mohohet që ekziston tashmë një prirje e përgjithshme për të kërkuar e vlerësuar shumë më tepër të diplomuarit që kanë kryer studimet në gjuhën angleze në krahasim me ata në gjuhët kombëtare, çka justifikohet me përshtatjen e tyre më të mirë ndaj konteksteve globalizuese.

Edhe në fushën e kërkimit shkencor anglishtja është bërë sot një praktikë gjuhësore e zakonshme. Pjesa më e madhe e botimeve shkencore dalin në anglisht e po në këtë gjuhë mbahen pjesa dërrmuese e diskutimeve në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare.


Praktika e shkrimit të temës së doktoratës në anglisht, sidomos në shkencat e sakta, në inxhinieri e mjekësi është bërë po ashtu një praktikë e zakonshme në jo pak vende evropiane. Rrethet akademike po e nxisin gjithnjë e më shumë përdorimin e anglishtes edhe përmes funksionimit të rrjeteve e programeve përkatëse në këtë gjuhë.

Roli dhe vendi i anglishtes po njeh një rritje të madhe edhe si gjuhë në vendin e punës, kryesisht në kompanitë e huaja dhe ato shumëkombëshe, që veprojnë në shtete të ndryshme.

Ndërkombëtarizimi i ekonomive të vendeve evropiane ka bërë që anglishtja të përdoret gjithnjë e më shumë si mjet komunikimi me gojë e me shkrim brenda e midis tyre, aq sa të gëzojë sot shpesh statusin e të ashtuquajturës gjuhë e kompanisë (company language). Ndërsa status zyrtar të posaçëm si gjuhë për qëllime biznesi anglishtja gëzon vetëm në Suedi, deri më sot një rast ky i veçuar, i pandjekur nga shtete të tjera.


Po në institucionet mbikombëtare të vendeve evropiane, cila është pozita e anglishtes? Le të kujtojmë që, me pranimin e çdo shteti në Bashkimin Evropian, është rregull që gjuha e tij zyrtare shpallet gjuhë zyrtare dhe gjuhë pune e institucioneve të tij.


Kemi të bëjmë, pra, me një politikë që shpall, nxit e mbron plurilinguizmin, por që praktikisht nuk është gjithherë mbizotëruese. Anglishtja, siç dëshmojnë vëzhgimet, edhe pse nuk ka statusin e gjuhës së detyrueshme, ka një prirje të fortë për t'u përdorur si gjuha kryesore e komunikimit në institucionet mbikombëtare evropiane.


Në kushtet e një realiteti të tillë problemi nuk shtrohet që anglishtja "të zmbrapset" prej sferave që u përmendën më lart, por të mos shtrihet përdorimi i saj më tej, pra, në ato funksione, të cilat normalisht i kryejnë kudo gjuhët kombëtare.


Këto të fundit duhet të vijojnë të jenë mjeti i komunikimit (me shkrim e me gojë) në veprimtarinë e administratës shtetërore, në arsim, në media, në veprimtaritë shtetërore, në mbishkrimet e shpalljet publike si dhe në sfera të tjera, që çdo shtet e sheh të arsyeshme t'i përcaktojë në përputhje me politikat e tij gjuhësore.


Në të vërtetë, pjesa më e madhe e shteteve evropiane kanë hartuar dhe zbatojnë politika gjuhësore, të cilat promovojnë gjuhët kombëtare.


Në po këtë linjë ekziston tashmë edhe një politikë gjuhësore komunitare, e cila plurilinguizmin (ekzistencën e shumë gjuhëve) në kuadrin e Evropës së Bashkuar e konsideron si një gjë tepër të çmuar e që duhet mbrojtur me çdo kusht.


Dhe pikërisht zotërimi shumë i mirë i gjuhës kombëtare, si dhe ai i të paktën dy gjuhëve të tjera evropiane shihet sot si mënyra më efikase për ta ruajtur e kultivuar këtë diversitet gjuhësor, për më tepër, përballë rrezikut të "hegjemonizmit" të anglishtes. Ndaj këtij të fundit gjuhët e vogla afërmendsh që janë më të kërcënuara.


E tillë është edhe gjuha jonë, ndonëse një gjuhë e vjetër dhe krejt e veçantë në gjirin e familjes së gjuhëve indoevropiane, por me një traditë relativisht të re shkrimi e lëvrimi. Përballë globalizimit dhe proceseve integruese evropiane shqipja, si gjuha kombëtare e një populli të vogël dhe gjuha zyrtare e dy shteteve gjithaq të vegjël, është sot e kanosur prej përdorimit të tepruar, abuziv të anglishtes.


Në kushte të tilla hartimi dhe zbatimi i politikave proteksioniste do të ishte qëndrimi më i përshtatshëm. Do t'ishte e tillë ajo politikë që do të lejonte të hartohej një legjislacion i gjerë e i hollësishëm gjuhësor, ku vendi dhe funksionet e shqipes, ai i anglishtes si dhe raportet mes tyre, do të përcaktoheshin shumë qartë.


Atëherë dhe lajmërimet për punësim - për ta mbyllur me atë që e nisëm - të shpallura në gazeta, revista apo botime periodike për punë a shërbime që kryhen nga të huaj në territorin shqiptar, do të dilnin "më e pakta" vetëm në shqipe, por edhe në dy gjuhë njëherësh, në shqipe e në anglishte apo një tjetër gjuhë të huaj.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›