Precedenti i Gjilanit

Kemi dëgjuar argumente pse Gjilani nuk duhet
të shkojë në rivotim. Por, nuk kemi dëgjuar asnjë të tillë pse duhet të shkojë
Nga Berat Buzhala*
Çka jemi duke hequr ne të tjerët që anëtarët e
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po e dinë rreth tiradës së zgjedhjeve në
Gjilan? Mos jemi duke i parë në mbrëmje dy palë lajme: njërën palë - që i kam parë unë
- ku Komisioni për Rinumërim dhe Hetim të votave ka konstatuar se prej rreth 35
mijë votave të Gjilanit, vetëm 14 syresh ishin të infektuara prej faktorit
keqdashës njeri; dhe një palë të tjera - që transmetohen në ndonjë kanal të
cilin e kapin vetëm anëtarët e KQZsë - ku flitet për batërdi vjedhjesh. Apo
mos rastësisht vëzhguesit ndërkombëtarë të IFESit, ndryshe flasin në opinion e
ndryshe para KQZsë?
Edhe diçka: kush janë nja dy këshilltarë amerikanë që shefi i KZAPit i
përmendi në një intervistë në Express, ku tha që KZAP është udhëzuar që Gjilani
të shkojë në rivotim bashkë më Prizrenin dhe Lipjanin, sepse ata këta
këshilltarë kishin konstatuar ashtu? Kurse, KZAP e kishte marrë si të mirëqenë
konstatimin e tyre pa e verifikuar fare. Tash po e shohim se sa shumë ka
degraduar situata, prandaj a ka mundësi që këta dy miq të Kosovës të dalin
publikisht dhe ti përmendin arsyet që ata i dinë, e ne nuk i dimë, se pse kjo
komunë duhet të votojë edhe njëherë? Nëse Tahir Rrecajt i ka ardhur keq ti
ngushtojë amerikanët për tiu kërkuar arsye shtesë për parregullsitë në Gjilan,
unë po ia lehtësoj pak me pyetjen time: tregoni pse duhet të rivotohet Gjilani,
në mënyrë që të gjithë së bashku të bindemi dhe ta zgjidhim këtë nyje. Mirëpo,
është e papranueshme edhe moralisht edhe legalisht që përgjigja të jetë: Sepse
ne po themi kështu. Kjo tingëllon pak nënçmuese.
Duket sikur për pastërtinë zgjedhore po i besojmë më shumë fallit të filxhanit
të kafesë se fletëvotimeve, që shyqyr Zotit ende janë të ruajtura. Ose, edhe
njëherë po e përsëris - nëse ata dinë diçka për të cilën ne të tjerët nuk jemi
të informuar le ti thërrasin mediat dhe ti bëjnë të ditura faktet. Na
shpëtojnë të gjithëve prej këtij sikleti, që sa duket se po merr fund vetëm sa
i shtohet një e panjohur edhe më e madhe.
Kështu ndodhi edhe dje.
KQZja ishte angazhuar që ta zbardhte enigmën e zgjedhjeve në Gjilan. Kishte
urdhëruar Qendrën e Numërimit të Votave ti rinumëronte votat prej fillimit,
një nga një. E njëkohësisht ti hetonte edhe procesverbalet, nënshkrimet dhe të
gjitha çivijat e mundshme, ku do të mund të fshihej ndonjë djallush që e kishte
komplikuar procesin. Në këto hetime morën pjesë edhe vëzhguesit ndërkombëtarë
të të gjitha niveleve. Pas disa ditësh pune, shumica dërmuese e pjesëmarrësve
në këtë proces konstatuan se nuk kishte parregullsi, përveç nja 14 votave. U
vërtetua se kandidati Qemajl Mustafa udhëheq me më shumë se 1000 vota, ose mbi
2 për qind, ndaj kundërkandidatit të tij. Mirëpo, për shkak se kërkohen 2/3 e
votave të anëtarëve të KQZsë, nuk ka mundur të aprovohet vendimi që në Gjilan
të shpallej fituesi pa pasur nevojë që të shkohet në rivotim. Prej 11 anëtarëve
të KQZsë, 7 kanë votuar në favor të shpalljes së fituesit, 3 kundër dhe 1 ka
abstenuar. Asnjë arsye nuk është dhënë pse saktësisht nuk është aprovuar puna
disaditore që është bërë në qendrën për numërimin e votave.
Cilat janë dyshimet e KQZsë?
Tash, ne qytetarët e thjeshtë nuk e dimë: a po dyshon KQZja nëse janë bërë
dallavere ditën e votimit në Gjilan, apo në qendrën e numërimit dhe hetimit të
votave? Apo as në njërën as në tjetrën, por disa anëtarë të këtij trupi po e
shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar kundër dhe për ta bllokuar
procesin, pa e ndier për obligim që të japin informata shtesë. Nëse ky ka qenë
qëllimi atëherë e kanë arritur atë, mirëpo nëse mendojnë se kështu do ta
zgjidhin problemin, atëherë gabohen rëndë. Gjilani tash me këmbë e me krye
është futur në një qorrsokak. Në njërën anë e kemi një fitues moral dhe
gjysmëligjor, kurse në anën tjetër një kandidat të cilit aspekti moral nuk i
bën aspak përshtypje, por e rëndësishme për të është që duke shfrytëzuar
partinë, ta pengojë rivalin që edhe për katër vjet ta drejtojë komunën.
Mirëpo, ajo që po ndodh sot me Gjilanin vetëm sa e krijon një precedent për
zgjedhjet që priten të mbahen në Prizren dhe Lipjan. Me 31 janar në këto dy
komuna do të rivotohet. E dimë se sa i ngushtë ka qenë rezultati me 13 dhjetor.
Meqë popullata nuk ka ndryshuar, po supozojmë që një garë po kaq e ashpër do të
jetë sërish.
Dhe sërish procesi do të bartet në KQZ.
Suksese!
(*) Kryeredaktor Express, Prishtinë