Predikimi për “ringjalljen” në Deçan
Vizita e Presidentit të Serbisë shkeli Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo, për diplomatët perëndimorë, kredibiliteti i Boris Tadicit është më i rëndësishëm se i Hashim Thaçit në kontekstin rajonal, pas pavarësisë
Nxitës, mbresëlënës, është ambienti përreth dhe vetë Manastiri i Deçanit. Një duzinë klerikësh vazhdojnë të qëndrojnë aty edhe pas luftës, në stilin mesjetar të jetesës. Të mbrojtur nga ushtarët italianë të KFOR’it, sepse janë të rrethuar nga shqiptarët, ata punojnë tokën, mbajnë bagëti, bëjnë ritualet e tyre fetare, ziejnë raki dhe gatuajnë ëmbëlsira. Me legjislacionin e ri kosovar, Manastiri i Deçanit do të jetë një zonë e mbrojtur dhe është pa dyshim njëra ndër pjesët më interesante dhe më të bukura të trashëgimisë fetare në Kosovë. Po, një pikë reference e padiskutueshme e të ardhmes për çdo turist kurioz që do t’ia mësyjë Kosovës. Deri kur Peshkopi Artemije ia mohoi të drejtën të fliste, vitin e kaluar, për shkak se e pa që Kosova po pavarësohej, prej këtij ambienti Ati Sava shpesh jepte qëndrime publike të moderuara dhe të nevojshme për paqen e Kosovës. Ai ka hapur dyert për qindra delegacione të huaja, madje edhe për përfaqësues politikë shqiptarë, për debate për rolin e Kishës dhe të ardhmen ndëretnike.
Është hera e tretë brenda katër vjetësh që Vëllazëria e Manastirit pret Presidentin e Serbisë, Boris Tadic. Kësaj radhe, ai erdhi me rastin e të Premtes së Madhe, ditës së kryqëzimit të Jezusit, që të krishterët e kujtojnë me pikëllim. Ndezi qirinj, dëgjoi ligjërata dhe tha se po jep mesazhe paqeje, për të gjithë, “në Serbinë tonë”.
“Në Serbinë tonë”?! Boris Tadic vërtet mund të ketë qenë i pikëlluar, ama jo për ngjarjen e referencës nga më shumë se dy mijë vjet më parë. Për çfarë “Serbie tonën” po fliste i pikëlluari Tadic? Në një të ardhme të afërt, trashëgimia ortodokse, përfshirë Manastirin e Deçanit, do të jetë pjesë e integruar e trashëgimisë religjioze kosovare - që është një pasuri e çmueshme. Kosova është shembull unik në Ballkan për karakterin e saj fetar (në këtë kuptim ndoshta një ish-Jugosllavi e vogël) dhe një gurrë gjigante burimesh dhe motivimi për historianë të ndryshëm. Për koincidencë, bashkë me të Premten e Madhe, shkoi edhe afati i fundit për dorëzimin e deklaratave në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është ndër mjetet e fundit që Serbia mund të provojë ta luftojë pa dhunë pavarësinë. Edhe në rastin më ekstrem - të nxjerrjes së një deklarate pozitive për kauzën e saj – ajo nuk do të mund të ketë në dorë më shumë se një elegji për humbjen e “padrejtë të Kosovës”.
Tadic ka pasur arsye për të shtuar masën e pikëllimit të tij. Ai ka arritur të hyjë në territorin e Kosovës në kundërshtim me ligjet që shumica shqiptare tenton t’i aplikojë, duke mos çuar kërkesë në Prishtinë. Por, Tadic nuk mund të mohojë se presioni ndërkombëtar e bëri Kryeministrin e Kosovës të mos e pengonte vizitën e tij. Presidenti i Serbisë kishte bërë një lëvizje të rrezikshme mbi supet e tij me kërkesën për t’ia mësyrë Kosovës, duke e ditur se tri delegacione të mëhershme serbe ishin kthyer në kufi, ndonëse e kërkuar mençur nën arsyetimin se ishte “private dhe për arsye fetare”. Me siguri nuk do ta kishte vënë vetën në pozitë që të nisej dhe të përballej në kufi me Policinë e Kosovës, pasi edhe nuk e kishte publikuar tentimin për të vizituar Deçanin deri pak para mbërritjes atje. Tadiç ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës së pavarur dhe i ka dhënë një grusht kredibilitetit të Kryeministrit Hashim Thaçi, të cilit i përgjigjet Policia e Kosovës. Qeveria insistonte se do ta ndalte Tadiçin dhe promovonte me mburrje ndalimet e mëhershme të përfaqësuesve serbë.
Mirëpo, Presidenti i Serbisë do të bëjë gabim të shpallë vizitën e tij si dëshmi se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se ai udhëton lirshëm në çdo pjesë të “vendit të tij”. Rrëfimi i vërtetë është se vizita u mundësua pas ndërhyrjes diplomatike. Për teknokratët në diplomacitë perëndimore, kredibiliteti i Boris Tadicit ndoshta është edhe më i rëndësishëm se i Hashim Thaçit në kontekstin rajonal, pas pavarësisë së Kosovës. Është po ky lider serb që përfaqëson forcën që kishte rrëzuar mbetjet e regjimit të Slobodan Milosevicit, po ky udhëheqës serb që nuk kishte reaguar me dhunë ndaj shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, i njëjti që ishte pajtuar me shtrirjen e EULEX’it në tërë Kosovën dhe po ai që mund ta bashkojë Serbinë me Perëndimin në vitet e ardhshme duke u integruar në BE dhe NATO. Shumica shqiptare ka të drejtë të jetë e hidhëruar me shkeljen e sërishme të Kushtetutës së Kosovës nga vizita e Tadicit, sikurse edhe me rastin e Gjashtëpikëshit. Prapë me presionin e njëjtë diplomatik, para të cilit sërish lëshojnë pe drejtuesit kosovarë. Nëse bie në kundërshtim me këto kërkesa të diplomatëve, cilido lider, normalisht, mund të bjerë në kundërshtim edhe me ambiciet e veta politike. Dhe dilema se a duhet pranuar vazhdimisht koncesione në dëm të pavarësisë, është legjitime dhe do të fillojë kështu të bëhet argument i fuqishëm politik kur Kosova duhet të implementojë koncesionet bazike në procesin e statusit si decentralizimi.
Por, Boris Tadic duhet të jetë njeriu më i pikëlluar. Ai e di se dita e diel, që mbaron festimet e pashkëve, të cilat nisën të premten, dita e “ringjalljes”, nuk do të ndodhë kurrë. Përkundër efekteve të “imagologjisë” së çastit që shkakton vizita e tij, në kundërshtim me ligjet e Kosovës, ringjallja e autoritetit të Serbisë mbi Kosovën nuk është më temë e denjë as për një predikim futurist në netët e bukura të verës, në Manastirin e Deçanit. E mira e gjithë këtij rrëfimi është se përkundër hipokrizisë prapa lëvizjeve të tyre për raportet Kosovë-Serbi tek popujt respektivë, duke e ditur se realitetet janë tjera, as Boris Tadiç dhe as Hashim Thaçi nuk votohen për ngjarje të tilla.