E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefektët shtabe pune për turistët, Basha: Ambiente më të sigurt për pushuesit

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha urdhëroi Prefektët e qarqeve të ngrenë shtabet e punës për çështjet e sigurisë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik, dhe të paraqesin planin konkret të masave brenda datës 5 korrik 2010.
"Detyra kryesore e shtabit të punës është të sigurojë një koordinim, një bashkërendim të institucioneve vendore dhe përfaqësuesve të institucioneve qendrore, me qëllim sigurimin e një ambienti sa më të sigurtë, sa më të qetë dhe sa më të mirë për pushuesit gjatë sezonit të verës", u shpreh ministri Basha në takimin që zhvilloi sot me Prefektët dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit,.

Plani i masave të shtabeve të punës në nivel qarku do të ndërtohet e zbatohet në bazë të udhëzimit të ministrit të Brendshëm.

Ministri Basha nënvizoi si detyra kryesore sigurinë gjatë sezonit turistik, lehtësimin e kalimit në kufi dhe lëvizjes së pushuesve përgjatë gjithë itinerarit të rrugëve të Shqipërisë, shënimin dhe kufizimin e hapësirave për përdorimin e motorëve të ujit, bashkëpunimin me Inspektoratin e Mjedisit për problematikën e zhurmave në zonat turistike dhe vendosjen e grupeve të dhënies së ndihmës së shpejtë kundër rrezikut të mbytjes.

"Shqipëria vitin e kaluar pati një bum rritjeje në numrin e turistëve dhe nuk shënoi asnjë incident domethënës sa i përket turistëve, pra mbetet jo vetëm në raport me rajonin, por në raport edhe me vendet e tjera të BE-së një vend shumë i sigurtë për të kaluar pushimet, madje po t'i referohemi statistikave më i sigurt se disa vende të tjera ku pushuesit mund të drejtohen ose mund të jenë drejtuar tradicionalisht", deklaroi z. Basha.

Ministri i Brendshëm udhëzoi Prefektët që të monitorojnë edhe kryerjen e detyrave nga pushteti vendor gjatë sezonit turistik.

"Detyrat e pushtetit lokal, si pastrimet e plazheve nga mbeturinat, sigurimi i ujit të pijshëm, sigurimi i shërbimit shëndetësor 24 orë, sigurimi i shesheve për parkimin e automjeteve, duhet të jenë të monitoruara hap pas hapi nga shtabi i punës", theksoi ai.

Ministri Basha u kërkoi Prefektëve të qarqeve që nga data 5 korrik e deri në datën 15 shtator, çdo të premte të raportojnë mbi aktivitetin, problematikat e trajtuara, vështirësitë, nevojat, në mënyrë që edhe nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe ministrive të tjera të bashkërendohet një mbështetje sa më e fuqishme e përpjekjeve të tyre në terren.

Duke përmendur si një përvojë të suksesshme bashkërendimin e veprimeve të të gjitha strukturave, të pushtetit qendror e vendor, për përballimin e situatës së përmbytjeve në fillim të këtij viti, Ministri Basha u shpreh:

"Në këtë rast bashkëpunimi të vlejë për përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së shërbimit ndaj pushuesve në veçanti dhe qytetarëve në tërësi dhe konsolidimin e imazhit të vendit tonë si një vend turistik që ofron shumë për qytetarët e vendit, të rajonit dhe më tej, gjatë sezonit të verës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›