E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefekti i Dibrës: Ka mungesë koordinimi me METE-n

Minierat

Në një takim pune të radhës, të Task-Forcës së ngritur për ndalimin e punës së jashtëligjshme në galeritë dhe stoqet e pellgut krommbajtës të Bulqizës, prefekti i Qarkut të Dibrës, Xhafer Seiti, ka kritikuar struktura të METE-s, të përfshira në këtë Task-Forcë, se nuk po angazhohen si duhet në përmbushje të detyrave të tyre. Në fjalën e tij, prefekti tha se AKBN-ja, e cila jep licencat për firmat private të shfrytëzimit të mineralit, e cila është e përfshirë në Task-Forcën e ngritur, ende nuk ka përcaktuar firmat private që ushtrojnë aktivitet të jashtëligjshëm. Në këtë analizë pune të Task-Forcës, prefekti nuk ka harruar të vlerësojë punën e strukturave vendore si: tatim-taksat, sigurimet shoqërore, zyra e punës etj., pjesëmarrëse në këtë Task-Forcë edhe pse nuk u dhanë rezultate konkrete të arritura prej tyre. “Mjaft nga firmat private të shfrytëzimit dhe seleksionimit të mineralit, nuk kanë bërë rrethimin e zonës ku ata veprojnë, duke mundësuar kështu futjen në këto zona të personave të paautorizuar për punë. Gjithashtu, kemi firma që lejojnë gra dhe fëmijë të punojnë në sipërfaqet e tyre”, tha prefekti. Shqetësimi i tij lidhet me mungesën e transparencës nga ana e ministrisë për të bërë publike firmat private që shkelin kontratat. “Nga studimet e bëra nga AKBN-ja dhe RISHM-i (reparti i shpëtim-minierave) janë shpallur disa firma që kryejnë aktivitet në zona të rrezikshme, si dhe me mbivendosje shfrytëzimi, duke nxitur konflikte me njëra-tjetrën. Sipas plan-veprimit që METE na paraqiti duhej që brenda pesë ditëve të përcaktoheshin se cilat ishin firmat që ne si Task-Forcë duhej të merrnim masa për pezullimin e tyre. Por deri më tani asnjë emër nga METE që ne të veprojmë”, tha Seiti. Puna e jashtëligjshme dhe mbivendosja e zonave të shfrytëzimit, kanë qenë dhe mbeten ndër shkaqet kryesore të konflikteve mes firmave. Kanë kaluar muaj nga ngritja e kësaj Task-Force dhe deri më tani nuk ka asnjë rezultat konkret.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›