E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti i Tiranës padit Ramën për abuzime me lejet e ndërtimit

Kruja: KRRT e Tiranës ka dhënë leje ndërtimi për subjekte ndërtuese që nuk kanë depozituar dokumentacionin pranë kësaj zyre
Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, do të padisë kryebashkiakun Edi Rama për abuzimet me lejet e ndërtimit gjatë periudhës kohore 2000-2005. Kruja ka publikuar dje objekte që kanë përfituar leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin e urbanistikës. Për këtë prefekti do të kallëzojë penalisht kryetarin e Bashkisë Tiranë, KRRT-në e bashkisë dhe zyrën e urbanistikës.
Padia
Kësaj radhe konflikti mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës është zhvendosur brenda pushtetit vendor, ku këtë herë ka qenë kreu i prefekturës së Tiranës, Keltis Kruja. Sipas një deklarate për mediat, Kruja ka publikuar dje se ai do të kallëzojë penalisht kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për abuzimet me lejet e ndërtimit dhënë gjatë vitit 2000-2005. Sipas prefektit Kruja, këto leje janë dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin për urbanistikën.
“KRRT e Tiranës, në kundërshtim të hapur me ligjin për urbanistikën, gjatë viteve 2000-2005 ka dhënë leje ndërtimi për subjekte ndërtuese, të cilat nuk kanë depozituar dokumentacionin pranë kësaj zyre dhe nuk kanë marrë të firmosur dhe vulosur lejen përkatëse”, - thuhet në deklaratën e prefektit Kruja.
Sipas këtij institucioni, në bazë të neneve 49 dhe 50 të ligjit për urbanistikën, zyra e Urbanistikës dhe Këshillit Teknik janë direkt përgjegjëse për shkeljet e konstatuara.
“Të dyja këto zyra janë pjesë e administratës së Bashkisë Tiranë dhe përbëhen nga njerëz të emëruar nga kryetari i bashkisë. Prefekti i qarkut Tiranë, me autoritetin që i jep ligji dhe i vendosur në zbatimin e tij, do të kallëzojë penalisht kryetarin e bashkisë, KRRT-në e bashkisë dhe zyrën e Urbanistikës për dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin”, - përfundon deklarata.
Abuzimet
Kësaj radhe, kreut të Bashkisë së Tiranës do t’i duhet t’i përgjigjet një tjetër padie të ardhur nga prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, i cili bazuar në dokumentacione, deklaron se gjatë periudhës kohore të viteve 200-2005 ka identifikuar subjekte ndërtimi që kanë përfituar leje pa paraqitur asnjë dokument në zyrat përkatëse. Sipas Krujës, kjo ka ndodhur pasi në administratën e bashkisë dhe në zyrat e Urbanistikës janë njerëz të kryebashkiakut. Për veprimet e mësipërme, të cilat bien krejtësisht në kundërshtim me ligjin për urbanistikën, do t’i duhet të përgjigjet përpara një gjykate.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›