E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefektura, Task-Forcë për tregtimin e gazit

02/04/2009  Kreu i Kontrollit të Enëve për lëndët e djegshme ngre shqetësim shitjen e pakontrolluar

ELBASAN- Prefektura Elbasan ka organizuar një grup Task-Force për kontrollin e tregtimit të gazit në Elbasan, qytete të tjera, por edhe në komuna. Në një takim ku merrnin pjesë përfaqësues të Inspektoratit të Gazit, të PMNZSH, të policisë së shtetit, por edhe specialist të emergjencave pranë prefekturës është vendosur ngritja e këtij grupi kontrolli për monitorimin e të gjitha pikave të tregtimit, por edhe të depozitave, të cilat përbëjnë problem sidomos për zonat rurale.

Alarmi

Sekretari i Përgjithshëm i prefekturës në Elbasan, Admirim Kongoli, tha se edhe prefektura Elbasan po zbaton vendimin e qeverisë sipas të cilit është parashikuar ngritja e një grupi pune për kontrollin e depozitimit, tregtimit, cilësisë së enëve të gazit dhe zbatimit të kushteve të sigurisë. Në takim kanë marrë pjesë të gjithë ata që do bëhen pjesë e Task-Forcës. Ky grup do të fillojë punën në ditët në vazhdim dhe për këtë janë përcaktuar edhe ditët dhe grafiku i kontrolleve duke përfshirë të gjithë qarkun e Elbasanit, por sidomos atje ku janë shfaqur shqetësime nga qytetarët. Një prej inspektorëve të gazit në prefekturë Engjëll Matraxhiu tha se shqetësim të madh paraqesin disa depozita gazi sidomos në zona periferike apo rurale ku nuk kanë dijeni apo kontroll. “Ka pika gazi në afërsi të shtëpive, as të deklaruara, as të ligjëruara dhe mjaft problematike, pasi në çdo kohë përbëjnë rrezik për jetën. Pranë depozitave luajnë fëmijë dhe banorët as nuk kanë përgjegjësinë më të vogël për rrezikun që hasin çdo ditë”. Ai madje ka kërkuar bashkëpunim sidomos me njësitë vendore rurale për të denoncuar raste abuzive ku bashkë me ushqimet, në shtëpia po në vende aspak të sigurta shitet gaz.

Kontrolli

Matraxhiu tha gjithashtu se bombolat e gazit do të jenë nën testimin e këtij inspektorati për të mos lejuar që tragjedi si ato që janë hasur në qytete të tjera të mos përsëriten.

Në këtë strukturë do të luajnë rolin e tyre ekspertët zjarrfikës, agjentët e policisë, inspektorë të naftës e gazit, por edhe drejtues të pushtetit vendor. Në këtë takim është kërkuar edhe një koordinim me njësitë vendore sidomos me policët bashkiakë apo komunarë për të pasur rezultat në këtë aksion kundër njësive që tregtojnë gaz pa plotësuar kushtet e sigurisë. Po kështu edhe për sa i përket depozitave të gazit, të cilat konsiderohen edhe më të rrezikshme. Këto objekte duhet të jenë larg zonave të banuara dhe nga pronarët duhet të jenë garantuar kushtet e ndërhyrjes në rast të rënies së një zjarri dhe siguri për punëtorët. Në Elbasan depozitat e gazit janë kryesisht në rrugën Elbasan-Metalurgji, ndërsa për disiplinimin e pikave të shitjes asgjë nuk është arritur deri tani dhe poshtë pallateve apo ndërtesave të tjera të banuara vazhdojnë të qëndrojnë bombola, të cilat janë një rrezik permanent për të gjithë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›