E Diel, 1 Nëntor 2026

Prefiksi i Kosovës, Berisha: Të flasin ekspertët

Berisha dhe Toure

Kryeministri Sali Berisha tha dje se fillimisht duhet të jenë ekspertët që duhet të flasin për vendimin e fundit të Parlamentit kosovar për të marrë prefiksin e Shqipërisë +355. I pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp me sekretarin e Përgjithshëm të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, Hamadoun Toure, Kryeministri tha se lidhur me këtë rezolutë, në parim jam plotësisht dakord dhe është ide e shkëlqyer, por do të ishte mendimi im përfundimtar pasi të konsultohesha me ekspertët e fushës dhe ata të financave. Sepse në rast se në rrafshin financiar, Kosovës i krijon ndonjë shmangie kjo gjë, natyrisht, do të mendoja që duhet të studiohej më hollësisht. Në parim jam plotësisht dakord. Nga ana tjetër, Toure u shpreh: Kur një vend njihet nga Kombet e Bashkuara, atëherë ne i vendosim kodin këtij vendi. Kodi i fundit që u dha ishte ai për Sudanin Jugor. Ky kod jepet dy orë pas deklarimit, që bëhet nga Kombet e Bashkuara. Ndërkohë ne marrim të njëjtin vendim në rast se ky vendim merret nga OKB-ja. Teknikisht ne përgatitemi dhe më pas nuk do të ketë asnjë problem. Sekretari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, përshëndeti dje miratimin e Rezolutës në Parlamentin e Kosovës për unifikimin e prefiksit kombëtar dhe i kërkoi qeverisë shqiptare të nisë procedurat për unifikimin e prefiksit mes dy shteteve. I kërkojmë qeverisë shqiptare të fillojë menjëherë procedurat që kodi +355 të jetë i njëjti portal hyrës edhe për Kosovën. Të mos krijohet asnjë pengesë dhe këto procedura të mbyllen para datës 28 nëntor 2012, tha Balla. Sekretari i Grupit Parlamentar të PS kërkoi dhe një rezolutë nga Kuvendi i Shqipërisë. Grupi Parlamentar socialist do ti propozojë Kuvendit të Shqipërisë një rezolutë të njëjtë për unifikimin e prefiksit, tha Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›