E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Jo koalicion me PD e PS në 2013

Ish-presidenti Bamir Topi

Ish-presidenti i zë vendin Gazmend Oketës në krye të partisë së re: Sfidë personale e mision qytetar.

Çështjet e pronës, votës, Drejtësia e integrimi, ende pa zgjidhje

Ish-presidenti Bamir Topi ka ngjitur dje për herë të parë shkallët e godinës së Frymës së Re Demokratike, për të marrë drejtimin e kësaj partie. Pas takimit të parë të zhvilluar në fillim të muajit gusht erdhi edhe ftesa e komisionit nismëtar të FRD-së, e cila, ashtu siç edhe pritej, u pranua nga Topi, i cili në ditën e tij të parë zhvilloi edhe një takim me themeluesit. Ish-nënkryetari i PD-së u prit në hyrje të godinës, fare pranë partisë ku ishte anëtar deri në vitin 2005, nga Gazmend Oketa, Aleksandër Biberaj, Andi Seferi e Edlira Gjoni.
Topi
Marrja e detyrës së re nga ish-presidenti dhe një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike u prit me duartrokitje nga anëtarët e kësaj force politike, të cilët ishin të shumtë në numër në sallën ku do të zhvillohen mbledhjet e Këshillit Kombëtar. Në fjalën e tij Topi tha: Në përputhje me deklarimet e mia të mëparshme, dëshiroj të shpreh sot publikisht vendimin politik për tu bërë pjesë aktive e FRD-së, duke e parë këtë si një sfidë personale dhe një mision qytetar për të bërë më të mirën e mundshme në shërbim të qytetarëve dhe vendit. Ai u shpreh se FRD-ja do të jetë një zëdhënëse e vendosur e qytetarëve, ndërkohë që kritikoi dy forcat kryesore politike, të cilat i bëri përgjegjëse për dështimet gjatë këtij tranzicioni. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetës Panorama, ai në të njëjtën kohë përjashtoi çdo mundësi për të bërë koalicione parazgjedhore me PD-në dhe PS-në. Ne përjashtojmë në mënyrë absolute (ndonëse politika ka një term Kurrë mos thuaj kurrë), të paktën atë mendim që unë po shpreh sot, që është edhe ajo çka kemi konsultuar me kolegët: në zgjedhjet e vitit 2013 ne nuk bëjmë koalicion me asnjë nga partitë e vjetra të tranzicionit, që do të thotë me partinë në pushtet dhe Partinë Socialiste, tha ish-kreu i shtetit. Topi e vuri theksin gjatë fjalimit të tij edhe në disa çështje të rëndësishme që shqetësojnë shoqërinë, si ekonomia, pronat, administrata publike, privatizimet dhe pakti detar me Greqinë. Për shumicën e qytetarëve, ashtu si edhe për mua dhe bashkëpunëtorët e mi, është e papranueshme fakti se Shqipëria prej 20 vitesh vijon të jetë vendi i vetëm ish-komunist që nuk ka marrë ftesën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, një vend ku nuk janë zgjidhur ende gjashtë çështjet themelore të një sistemi politik demokratik: çështja e pronës, çështja e votës, çështja e drejtësisë, çështja e administratës publike, ajo e ndarjes së drejtë me të kaluarën dhe çështja e integrimit.

Kuvendi i FRD-së, në tetor
Muaji i ardhshëm do të jetë më i rëndësishmi për jetën e brendshme të Frymës së Re Demokratike. Pas ngritjes së degëve nëpër rrethe, do të mbahet edhe Kuvendi i parë i kësaj partie, i cili do të zgjedhë drejtuesit e të gjitha niveleve, Kryesinë e partisë si dhe Këshillin Kombëtar. Ashtu siç edhe pritet, në këtë kuvend Bamir Topi do të kandidojë për postin e kryetarit, ku do të marrë edhe mandatin e parë katërvjeçar.

Na lejoni të dëgjohemi
Në fjalimin e parë si kryetar i FRD-së, Topi u bëri thirrje votuesve duke thënë: Na lejoni të dëgjohemi, të takohemi, të flasim dhe na gjykoni nga gjërat që bëjmë dhe alternativa që paraqesim. Premtimi ynë është se do të jemi zëri juaj më i besuar, do të mbetemi një parti qytetare, për qytetarët dhe me qytetarët. Fatin tonë e vendosim çdo ditë vetë ne, duke marrë përgjegjësi dhe duke mbajtur përgjegjësi, duke menduar të lirë dhe duke vepruar të lirë.

Oketa i lë vendin Topit deri në Kuvendin e FRD-së
Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, e drejtoi vetëm pak muaj Frymën e Re Demokratike. Dje ai u largua nga posti ku ishte komanduar, për ti hapur rrugë drejtimit të partisë nga ish-presidenti Bamir Topi. Përpara se ti drejtoheshin publikut, krerët e Frymës së Re Demokratike zhvilluan edhe një takim në sallën e mbledhjeve, ku Topi mori zyrtarisht drejtimin e kësaj force politike. Vendimin politik për anëtarët e FRD-së e komunikoi në daljen para mediave ish-kreu i komisionit nismëtar, Gazmend Oketa. Në mbledhjen e fundit të grupit nismëtar të FRD-së u mor vendimi për pranimin e propozimit tim që ti besohet drejtimi i FRD-së deri në kuvendin e ardhshëm zotit Bamir Topi. Ky nuk është një privilegj për zotin Topi, por besoj se është përgjegjësi dhe angazhim më shumë për të. Dua të falënderoj Topin, i cili në vend të tërhiqej dhe të shijonte qetësisht periudhën paspresidenciale, vendosi ti bashkohet projektit tonë, u shpreh ish-ministri i Mbrojtjes i PD-së. Në përfundim të konferencës për shtyp, Topi së bashku me drejtuesit e rinj të Frymës së Re Demokratike u larguan nga selia, kati i katërt i së cilës do të jetë edhe zyra e re për ish-presidentin.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›