Prej Gazës, ku?
Ta nxjerrësh në tryezë të negocimit izraelito-palestinez një plan gjithëpërfshirës zgjidhjeje, i cili i adreson të gjitha çështjet e statusit final, me kompromise që të dyja anët mund të binden dhe të detyrohen që t’i pranojnë, do të kërkojë aftësi politike. Fatkeqësisht, ky kualitet ka munguar në mënyrë agonizuese në skenën diplomatike të Lindjes së Mesme për pothuajse aq gjatë sa çdokush mund ta mbajë mend
Fjalët më të mençura gjatë Luftës së Dytë të Gazës mund të jenë thënë nga një izraelit që jeton në një kibuc në afërsi të kufirit të Gazës. “Nëse dëshironi të më mbroni... Mos i dërgoni për ne forcat izraelite të mbrojtjes në mënyrë që të ‘fitoni;”, ka shkruar Michal Vasser në “Haaretz”, më 15 nëntor. “Filloni të mendoni për aspektin afatgjatë dhe jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme. Përpiquni të negocioni derisa tymi i bardhë të dalë nga oxhaku. Ia zgjatni dorën presidentit palestinez, Mahmoud Abbas. Ndaloni ‘vrasjet e shënjestruara’ dhe shikoni në sytë e civilëve të tjetrës anë, po ashtu”. Izraeli, natyrisht, është i vendosur që të mbrohet nga sulmet me raketa. Mirëpo, mësimi i nxjerrë nga dy dekadat e fundit është se sulmet ndalojnë dhe intifadat nuk fillojnë, kur ka një gjasë për paqe – dhe se, kur nuk ka gjasa të tilla, militarizmi palestinez është i paizolueshëm. Gjasat e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme me dy shtete që tani po negociohet me Autoritetin Palestinez të Mahmoud Abbasit në Bregun Perëndimor – dhe nga “Hamasi” i Gazës që doli fitues në këtë qytet me anë të votave të popullit – mund të jenë e pakta dhe të pamjaftueshme. Mirëpo, alternativa e vetme është një qark i pandalshëm periodik i dhunës vdekjeprurëse ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.
Prioriteti urgjent është qetësimi dhe stabilizimi i situatës në Gazë. Mirëpo, që të mos ketë shpërthime të tjera edhe më të rënda, politikëbërësit izraelitë duhet t’i shtrojnë vetes disa pyetje fondamentale. Kështu duhet të veprojnë edhe mbështetësit e vazhdueshëm të tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet, sikurse ky imi. Si mund të nxitet paqja nëse eliminimi apo pakësimi dramatik i aftësisë së “Hamasit” e lë Gazën në duart e edhe të më shumë grupeve militante dhe u jep islamikëve nëpër rajon një tjetër mjet rekrutimi? Si shërbehet siguria kombëtare e Izraelit kur me veprimet e saj në Gaza dhe mosveprimin me Abbasin, ai i rrezikon traktatet e kamotshme dhe vështirë të fituara paqësore me Egjiptin dhe Jordaninë (që të dyja këto tani duken më se të brishta, me gjithë faktin se kanë kaluar nëpër Pranverën arabe)? Si mund liderët e preferuar palestinezë të Izraelit, Abbas dhe kryeministri, Salam Fayyad, të lihen me shumë pak kapacitet besueshmërie që të negociojnë, në rast se bisedimet nuk mund të fillojnë derisa, siç insiston Izraeli, nuk zmbrapsen nga kushti i tyre minimal për ngritjen e kolonive në territoret e okupuara? Për të gjitha këto çështje, së cilave Izraeli ua minimizon rëndësinë, Iniciativa Paqësore Arabe e vitit 2002 ofron akoma një marrëveshje tejet të rëndësishme: normalizimin e plotë të marrëdhënieve nga e gjithë bota arabe në këmbim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqësore. Për sa kohë, ky qëndrim i Ligës Arabe mund të mbijetojë pa avancimin e bisedimeve paqësore?
Një tjetër pyetje e madhe për Izraelin është nëse mund të pranojë pasojat në rast se një zgjidhje me dy shtete zhduket krejtësisht nga agjenda. Izraeli, siç ka paralajmëruar babai themeluesi i shtetit, David Ben-Gurion, mund të jetë një shtet hebraik, mund të jetë një shtet demokratik dhe mund të jetë një shtet që okupon të gjithë Izraelin historik; por nuk mund të jetë që të tria këto. Sipas librit të fakteve botërore të CIA-s, hebraikët janë më të shumtë në numër se sa johebraikët, nga 6.4 milionë në 5.6 milionë, në të gjithë rajonin e Palestinës historike. Mirëpo, me një shkallë shumë më të ulët të lindjeve dhe emigracionin në rënie, është vetëm çështje kohe kur hebraikët do të bëhen minoritet.
Me Gazën që ende digjet, çështja e një tjetër flake është në pritje. Çfarë supozohet të fitojnë Izraeli dhe mbështetësit e tjerë të tij nga rezistimi këmbëngulës i Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për pranimin e Palestinës si një “shtet vëzhgues” joanëtar (me status si të Vatikanit), i cili tanimë duket si gati për t’u prezantuar dhe ka kaluar me një shumicë ndërkombëtare, më apo rreth 29 nëntorit? Teksti i draftrezolutës që tani po qarkullon nuk përmban ndonjë gjuhë ofenduese. Bën të qartë se anëtarësimi i plotë në OKB mbetet të përcaktohet dhe se çështja e statusit përfundimtar, ajo e kufijve, refugjatëve, Jerusalemit dhe sigurisë mbesin të negociohen. Vërtet se kalimi i një rezolute të tillë mund t’u japë palestinezëve një lloj qëndrimi që tani u mungon për të kërkuar persekutime në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për shkeljet e pretenduara të të drejtës ndërkombëtare. Mirëpo, Gjykata nuk është një gjykatë për t’u tallur dhe pretendimet pa substancë mund të priten të trajtohen ashtu si duhet. Shtetësia palestineze gjithnjë ka qenë një kërkesë e domosdoshme për paqen dhe sigurinë afatgjate të Izraelit dhe është kryesisht në interes të Izraelit që ta shuajë dhe jo ndezë edhe më shumë çështjen.
Kjo domosdoshmëri është bërë edhe më urgjente tani se kurrë më parë për sa u përket realiteteve të reja të pushtetit në rajon. Thënë troç, Izraeli duhet ta trajtojë votën e OKB-së jo si një justifikim për konfrontimin e ri, por si një mundësi për një start të ri për negociatat serioze. Reagimi i SHBA-së është çelësi: në vend se ta ndëshkojë Autoritetin Palestinez dhe mbase edhe OKB-në po ashtu, SHBA-ja duhet ta përdorë rezolutën për të propozuar një lloj ndërprerësi diplomatik, për të cilin bota kaherë ka ushqyer shpresa. Natyrisht, ta vësh në tryezë një plan gjithëpërfshirës zgjidhjeje, i cili i adreson të gjitha çështjet e statusit final, me kompromise që të dyja anët mund të binden dhe të detyrohen që t’i pranojnë, do të kërkojë aftësi politike. Fatkeqësisht, ky kualitet ka munguar në mënyrë agonizuese në skenën diplomatike të Lindjes së Mesme për pothuajse aq gjatë sa çdokush mund ta mbajë mend.
Gareth Evans, ministër i Jashtëm i Australisë, për tetë vjet dhe kryetar emeritus i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, aktualisht është rektor i Universitetit kombëtar australian dhe bashkëkryesues i Qendrës Globale për Përgjegjësi të Mbrojtjes. Shkrimi u botua së pari në “Project Syndicate”