Prej cilit prift duhet të ruhet qeveria shqiptare?!
Angjiu Kostandinu - shën Sava dhe "prifti" i PS-së, Edvin Rama
E di se shumë lexues nga titulli, nëse nuk e lexojnë këtë analizë, do të thonë: "Çfarë hyn në meselenë e shën Kostandinit grek dhe shën Savës serb, "prifti" i Partisë Socialiste në Tiranë, Edvin Rama"? Po le të shpjegohemi. Në rrugën "Angjiu Kostandinu" të Athinës ushtarët e përzgjedhur grekë për paradë shtetërore, në vëmendjen e Presidentit të vendit e të udhëhequr nga politikanë të Athinës kënduan në kor këngë antishqiptare dhe bënë thirrje për asgjësimin e tyre. Në vargjet e kënduara kamerat e shumta kanë fiksuar fyerjet më të mëdha të shekullit si dhe thirrjet raciste të vrasjes së shqiptarëve në emër të Krishtit dhe kishës. ("Tha gjini makeljo, meta tha ekdhitho, otan tha proskinisete simea ke stavro"). Në Serbi, përveç akademikëve, politikanëve, shtetarëve, kisha dhe priftërinjtë serbë janë në pararojë të thirrjeve për luftë e dhunë të përsëritur kundër shqiptarëve. Një ditë para ushtarëve grekë, kronikat televizive të natës së 24 marsit jepnin reagimin dhe veprimtaritë e kishës serbe në Kosovë kundër NATO-s dhe aksionit të saj për të shpëtuar nga asgjësimi shqiptarët e kërcënuar për zhdukje totale po prej këtyre kallauzëve të pangopur me gjak, me dhunë, me terror, duke u thirrur në emër të kishës e të Krishtit. Një avokat i shquar nga Bremeni në Gjermani, para dy vitesh deklarohej: "Si kristian ndihem i turpëruar tek dëgjoj thirrjet e kryepeshkopit serb për luftë e gjakderdhje kundër shqiptarëve". Bëhej fjalë për deklaratën e kryepeshkopit serb në të cilën i bëhej thirrje Rusisë të ndërhynte me armë kundër pavarësisë së Kosovës. Nuk e di si ndihet Evropa demokratike tek dëgjon thirrjet e ushtarëve grekë për gjak e për luftë, vendin e të cilëve ajo e ka shpallur si modelin e demokracisë!!! Nuk do të ndalem në atë që ndodhi në Athinë. Ajo ngjarje është bërë e njohur dhe nuk i bën shqiptarët të ndihen të frikësuar apo të nënshtruar. Madje, në psikologjinë e bashkëkombësve tanë, ngjarje të tilla më së shumti kanë ndikim pozitiv. Thjesht për shkak të harresës sonë të pamotivuar. Nëse nuk do të ndodhnin herë pas here ngjarje si ajo e 25 marsit në Athinë, atëherë do të besonim shpejt se grekët e serbët "kanë ndryshuar". Megjithatë, edhe pse tashmë jemi anëtarë të NATO-s, pra kemi zënë një vend të barabartë me 29 vendet që e përbëjnë atë, vazhdojmë të ndihemi inferiorë. Që politika shqiptare shfaqet inferiore dhe jo e barabartë me fqinjët, kjo dëshmohet me disa lëshime serioze, të cilat u bëhen atyre. Në këto vite ka ndodhur kështu në raportet e Shqipërisë me Greqinë. Edhe në këtë rast nuk do të rendis lëshimet që ka përfituar Greqia në këmbim të mënjanimit të vetos së saj për integrimin tonë euroatlantik. Megjithatë, nuk mund të mos ndalesh në disa prej faktorëve, që kanë sjellë një situatë të tillë jo të favorshme e absurde. Në shtypin shqiptar, të lidhur me "priftin" e PS-së së Tiranës, Edvin Rama, lexon vetëm sulme kundër qeverisë për të tilla "lëshime" ndaj Greqisë, por edhe ndaj Serbisë. Ndërkohë, në to dallon faktin se nuk ka sinqeritet. Deklaratat e PS-së dhe aleatëve të saj nuk nisen nga alternativa e interesit kombëtar, thjesht ato barten si interesa personale për "diskreditimin" e qeverisë dhe marrjen e pushtetit me metoda jo të ligjshme prej opozitës. Do të ishte ideale që qeveria shqiptare, e cilitdo krah politik, të reagonte në raste të tilla me dinjitet e me forcë. Më së paku t'i denonconte veprime të tilla në të gjitha strukturat e organizmave ndërkombëtarë. Ajo që ndodhi në Athinë më 25 mars, do t'i trondiste vetë miqtë e Greqisë në Evropë, në NATO, në SHBA e në OKB. Por a është e aftë qeveria shqiptare ta bëjë këtë në mënyrën si e dëshiroj unë? Analiza e zhvillimeve të tetë muajve të fundit më sjell në përfundimin se qeverisë shqiptare i mungon guximi për t'u përballur me shtetin grek, edhe pse Greqia në këto kohë nuk ka kohë të merret me vetveten. Duart e qeverisë shqiptare i ka lidhur opozita, e drejtuar nga "prifti" i selisë rozë dhe Bashkisë së Tiranës. Ai mbetet sponsor i drejtpërdrejtë i akteve antishqiptare që përpunohen e zhvillohen jo vetëm në Beograd e në Athinë. Këtë përfundim ma përforcon një zbulim i ri i ditëve të fundit i botuar në gazetën "standard", në të cilën u publikuan dëshmi se vrasja e Avni Rustemit në vitin 1924 ishte sponsorizuar dhe organizuar nga shërbimet e fshehta të Serbisë. Atëbotë, Shqipëria i ngjante Shqipërisë së sotme. Opozita ishte ngritur në këmbë dhe kërkonte që me dhunë të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve që ishin zhvilluar në dhjetorin e vitit 1923. Lufta e brendshme ishte gati të shndërrohej në një katastrofë kombëtare. Turrat e druve të zjarrit antishqiptar i kishte grumbulluar opozita e atëhershme. Serbia vetëm sa i kishte vënë zjarrin turrës së druve, duke vrarë Avni Rustemin. Prej asaj kohe, sidomos më 1997, ngjarjet janë zhvilluar gjithnjë me të njëjtin skenar. Me këtë skenar ishte likuiduar gjithashtu lideri i demokracisë shqiptare, Azem Hajdari. Por në këtë rast, për fatin e mirë të Shqipërisë, forca politike që përfaqësonte idealet e Azem Hajdarit, ishte më e përgjegjshme sesa kundërshtarët e saj politikë të së majtës. Ajo reagoi me forcë, duke shkaktuar dëme te godina e qeverisë, por pa e çuar Shqipërinë në katastrofën e luftës civile si më 1924, 1944 dhe 1997-n. Ndërsa "prifti" Edvin Rama tashmë i është bashkuar kauzës së revolucioneve të tipit 1924, 1944 dhe 1997, edhe pse ai e njeh faktin që këto revolucione i kishte aranzhuar dhe sponsorizuar Serbia dhe Greqia, me qëllimin e vetëm që "t'i dëshmonte botës" se "shqiptarët nuk meritojnë shtet" (tani qëllimi i përbashkët i tre priftërinjve - tri personazheve që përmendëm në titull - është t'i dëshmojnë botës se "shqiptarët nuk e meritojnë integrimin"). Me sa duket, qeveria shqiptare këtë radhë nuk dëshiron të përsërisë "gabimin" e viteve 1994-1997, kur kishte mbajtur një qëndrim të fortë kundër synimeve ekspansioniste greke dhe kjo ka disa arsye: Së pari, të gjithë jemi dëshmitarë së atëherë opozita socialiste e viteve 1995-1997 ishte vënë me zell kundër politikës "së forcës" të ish-Presidentit të vendit, duke u bërë shërbimin e radhës politikave antishqiptare të Athinës e Beogradit. Kush nuk e njeh këtë fakt, mjafton të shfletojë shtypin e opozitës socialiste të kohës. Pikërisht për këtë qëllim Edvin Rama kërkon sot qëndrimin "e fortë" të qeverisë kundër Greqisë dhe Serbisë. Ai dëshiron që menjëherë pas kësaj të shtojë asetet si "mik i Beogradit dhe Athinës" dhe ta emërtojë qeverinë si "armike" të Shqipërisë, sepse "pa nevojë" "shkakton përçarje dhe armiqësi me fqinjët". Në këtë rast opozita do të siguronte mbështetjen e këtyre fqinjëve që thërrasin për vrasjen e shqiptarëve dhe më pas do ta përdorte mbështetjen e tyre për të ripërsëritur revolucionet e dhimbshme të së kaluarës. Së dyti, çdo opozitë në botë i ofron shtetit dhe qeverisë mbështetjen e saj në rastet kur vendet fqinje shpallin qëndrime të tilla si ato të 24 marsit nga serbët dhe 25 marsit nga grekët. Opozita shqiptare e Edvin Ramës një ditë më pas ka bërë të kundërtën. Asambleja e PS-së ka vendosur që të protestojë për "kauzën e kutive". Pra, Rama ka vendosur ta mbledhë turrën e druve e ta bëjë atë gati për Athinën e Beogradin që kur të duan ato t'i vënë zjarrin Shqipërisë. Shteti i sheh këto përpjekje dhe përpiqet që në mesin dy të këqijave të zgjedhë atë më pak të dhimbshme. E keqja më pak e dhimbshme janë lëshimet e tipit të varrezave greke, të cilat dhe ashtu janë të qortueshme. E keqja më pak e dhimbshme është gjithashtu t'u buzëqeshësh pa nevojë udhëheqësve serbë në Beograd. Gogoli grek e serb po duket më pak i rrezikshëm sesa gogoli i "priftit" të PS-së. Ose më shkoqur: Duke paralizuar destruktivitetin e brendshëm, mund të parandalohet ndezja e katastrofës nga jashtë. Së treti, mjeti më efektiv për të paralizuar ata grekë e serbë që bëjnë thirrje për shfarosjen e shqiptarëve është integrimi i plotë i Shqipërisë dhe Kosovës në BE. Sa më shumë që të zvarritet ky proces, aq më shumë lëshime do të kërkojë sidomos Athina. Madje të tilla kërcënime bën edhe ndonjë vend tjetër ballkanik, anëtar i BE-së. Dhe nga kjo dalim në përfundimin se Greqia dhe fqinjët e tjerë armiqësorë janë shumë të interesuar të zvarritet vendimi i BE-së për integrimin e plotë të Shqipërisë. Thjesht që të përfitojnë në kohë për të rritur pazarin në kurriz të interesave të shqiptarëve. Por interesi imediat yni është integrimi. Që të bëhet kjo, duhet pajtim me politikat armiqësore të fqinjëve, sepse "prifti" i PS-së, Edvin Rama, është vënë kryq në rrugën e integrimit. Deri më sot nuk e ka bërë këtë me kaq egërsi as "prifti" i Athinës. Nëse ai do të ofronte bashkëpunim, solidaritet dhe kontribute, atëherë punët do të ishin ndryshe. Grekët dhe as serbët nuk do të guxonin të fyenin e kërcënonin shqiptarët në emër të Zotit e të Krishtit. Ndaj dhe është e diskutueshme nëse qeveria shqiptare duhet të ruhet prej priftit të PS-së së Tiranës apo prej kërcënimeve të Athinës e Beogradit!!!