E Diel, 1 Nëntor 2026

Agim Qirjaqi, lamtumirë dhe tronditje morale!

Kur dy javë më parë aktori Agim Qirjaqi kaloi një krizë të rëndë dhe në krahë e mbajtën kolegët e miqtë e tij të afërt - kujtesa ishte tronditëse; se si ishte lënë të zbriste shkallët nga pavijoni i Neurologjisë pa asnjë kujdesje. Por, më tronditëse për kolegët ka qenë kur lajmi i vdekjes u ka mbërritur dhe aktori krejtësisht i vetmuar është mbajtur në krahë, është ndërruar e larë nga nëndrejtori i teatrit, Besim Kurti, dhe pak miq rrotull. Mbrëmjen e ndarjes nga jeta çdokush në Teatrin Kombëtar është përballur me vetveten; jo vetëm se iku aktori, por si ai jetoi, vetmia e tij. Sëmundja e rëndë që e kishte zënë prej vitesh, duke ia dekompozuar krejtësisht fizikun, më shumë shoqërohej nga mëshira dhe dhembshuria kur e shihnin në rrugë. Vetëm kaq. Kolegët e tij e kanë lidhur këtë situatë me nostalgjinë e teatrit, kur dikur kolektivi ishte më dashamirës, kur shumë njerëz miq e kolegë nuk ta lëshonin jetën si qen, a të të shpërfillnin në rrugë. Kjo ishte natyra e teatrit, ashtu siç pohojnë, jetë në kolektiv. Ndërsa sot, rasti i Agim Qirjaqit i ka tronditur ata jo vetëm për moshën e parakohshme që shkoi, por për rastin se si shoqëria, komuniteti i tyre është transformuar në copa guri, që njeriu sot vdes në mëshirë të fatit, krejtësisht i izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë së shëndetshme. Ky kufi jetese nga dje në jetë kolektive, në ditët e sotme, ku mund hipokrizia, është reflektimi që morën aktorët me ikjen e Qirjaqit - si njeri dhe aktor i potencës artistike. Vetëm dje ka kuptuar ky komunitet artistik se sa larg të vërtetave shpirtërore gjenden me njëri-tjetrin, se fajin nuk ua kanë kohët e sotme, por ajo lënda e vlerave morale e shpirtërore që ushqyen e bartën nga koha e djeshme; njerëz të frikësuar, servilë e hipokritë. Ndaj dje është përjetuar akoma më keq ikja e Agim Qirjaqit - i lëshuar krejtësisht nga vëmendja, shpërfillja dhe injorimi i aktorit nga ai komunitet që kur iu desh qoftë dhe për role të treta e të katërta në skenë ua plotësonte kërkesën. Ndërsa në mbrëmjen që u nda nga jeta, njeriu që nuk duket, që rend rreth teatrit, që e njeh këtë histori më mirë se kushdo, Besim Kurti, i ka shërbyer aktorit. Ai ul kokën dhe nuk flet gjatë, sepse për shërbimin që duhej tia bënte kolektivi, ai i ka marrë bekimet. Qirjaqi është fenomeni që dhemb në teatër, por dhe ka tronditur mbi krizën e vlerave morale e sidomos për të vërtetën. Qirjaqi u lind në Kolonjë në vitin 1950. Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave "Rrugë të bardha" i Viktor Gjikës (Profesori), "Lulëkuqet mbi mure" i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i shkollës) etj. Me këtë të fundit fiton çmimin e parë në Festivalin II të Filmit, më 1977. Më 1989 largohet për herë të dytë nga Teatri Kombëtar, këtë herë për një trajnim 2-vjeçar pranë të famshmit Xhorxho Strehler (Giorgio Strehler) në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe pastaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës. Rikthehet në Teatrin Kombëtar më 1991 këtë herë më i dhënë pas regjisë. Ndonëse vazhdon të interpretojë në teatër dhe në film, të mbajë herë pas herë kurse me studentët e regjisë në Akademinë e Arteve, është gjithmonë e më aktiv në regji. Lista fillon me "Rikardi III" të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me "Fando e Lis" të Arrabalit, me të cilën fiton çmimin "Aleksandër Moisiu" në festivalin e vitit 1994, "Marrëzia e madhështisë" të Vangjel Kozmait, "Këngëtarja tullace" të Ioneskos dhe mbaron me "Armiku i popullit" të Ibsenit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›