E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prej dy vitesh, të papunët kërkojnë zbatimin e VKM 261

Mbetet ende pa zgjidhje kërkesa e 606 ish-punëtorëve të ARMO-s, të dalë në reformë pas privatizimit të rafinerisë së naftës. Me anë të një letre drejtuar Kryeministrit Sali Berisha, ish-punëtorët kërkojnë respektimin e VKM 261, datë 27 shkurt 2008, sipas të cilit u jepet shpërblim dhe asistencë kategorive të caktuara të dalë në reformë nga procesi i privatizimit të ARMO-s, në qershor 2008. Problemi u duk se mori zgjidhje pas takimit që ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, me një grup të punëtorëve të ARMO-s, duke premtuar shlyerjen në kohë të pagesave. Ngërçi është krijuar te zbatimi i vendimit dhe institucioni që duhet ta kryejë atë, pasi as shteti dhe as kompania private që ka blerë 85 për qind të ARMO-s nuk merr përsipër të bëjë pagesat.
“Deri tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat përpjekjet tona 2-vjeçare për zgjidhjen e problemit të pagesës së 606 punëtorëve të kompanisë ARMO, të dalë të papunë nga reforma e kryer në muajin qershor 2008”, thuhet në një pjesë të letrës dërguar Kryeministrit më datën 5 janar 2010. Ata kërkojnë shpjegime se cila është arsyeja që nuk zbatohet vendimi numër 261 për dhënien e shpërblimit dhe pse nuk ka transparencë lidhur me procesin. Në letër thuhet se ndoshta qeveria nuk ka para për të shlyer detyrimin ligjor, edhe pse në vendimin e privatizimit është theksuar se ARMO i ka kapacitetet financiare.
“Nuk kuptojmë përse diskriminohen punonjësit e ARMO-s të dalë në asistencë, duke mos u dhënë shpërblimin që u takon në bazë të vendimeve të qeverisë dhe Kodit të Punës, kur në të njëjtën kohë 1100 punonjësit e ‘Albpetrol’-it të dalë të papunë i kanë marrë të gjitha pagesat”, citon letra. Rafineria e ARMO-s u privatizua në vitin 2008, në masën 85 për qind të saj, nga një grup kompanish të huaja, me vlerë rreth 128 milionë euro. Gjatë vitit 2009, shoqëria ka kaluar në disa remonte për shkak të amortizimit, duke ndikuar në situatën financiare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›