Nuk e përballojnë dot koston e kthimit në shtëpitë e tyre
Barinjtë e fshatrave të Rrethit të Kukësit, të cilët janë izoluar në zonat e përmbytura, kanë kërkuar dje ndihmë për evakuimin e tyre dhe gjësë së gjallë. Janë gjithsej 10 barinj, të cilët prej ditësh kanë mbetur në disa kodrina të Bushatit, Dajçit dhe në stomet e Tomorricës etj. Të kontaktuar me telefon nga gazeta “Shqip”, barinjtë kanë thënë se vërshimi i ujërave në zonat ku ndodhen ka marrë me vete dhjetëra krerë dele. “E vetja rrugë shpëtimi për ne mbetet largimi prej këtu”, ka thënë Liman Karanxha, i cili shtoi se ndodhej në një kodrinë të vogël bashkë me tufën prej 1 mijë krerësh dele në zonën e quajtur Mali i Jushitit. “Jemi në gjendje shumë të vështirë. Ujërat vijojnë të vërshojnë me intensitet të madh dhe shumë qengja na i kanë mbytur”, tha bariu tjetër, Sami Lashi.
Disa të afërm të barinjve nga Kukësi, të cilët kishin udhëtuar në vendngjarje të shqetësuar, thanë se për evakuim duheshim kamionë të mëdhenj. “Ne nuk kemi mjete dhe as të holla për të përballuar privatisht evakuimin”, thanë ata, duke parë se vetëm rikthimi në fshatrat e Kukësit mund të ishte shpëtimi për ta, pasi fusha kudo po rrezikohet nga uji. Situatën e barinjve e ka cilësuar si kritike edhe prefekti i Kukësit, Elez Maçi, si dhe kryetari i qarkut, Shefqet Bruka, të cilët i janë drejtuar komunitetit të biznesit për ndihmë, pasi kostoja e evakuimit të deleve, siç thanë ata, është shumë e madhe. “Ne u kemi dërguar në zonat ku ndodhen mjekë veterinerë bashkë me specialistë të tjerë të Drejtorisë së Bujqësisë, por mund të them se situata e barinjve është shumë e vështirë”, tha prefekti Maçi.