E Diel, 1 Nëntor 2026

Prej privatizimit të Albpetrolit, po spikat edhe më shumë një opozitë populiste e fataliste

10-09-2012 / Nga Ermal Kozici

Që të bësh demagogji elektorale dhe te hedhësh çdo ditë parulla populiste kundër atyre që qeverisin, është një punë jo e mundimshme. Çështja është nëse analistët e lidhur pas qerres së Partisë Socialiste (të inkurajuar edhe nga “thellësia” e mendimeve dhe e deklaratave të politikanëve të majtë të tipit Braçe), e dinë me të vërtetë se çfarë do të thotë procesi i fundit i privatizimit të Albpetrolit, apo kujtojne se e dinë. Filluan të dalin me tabela pagesash, me krahasime sa marrin ndërmjetësit e negociatorët e privatizimeve dhe sa merr një i punësuar në fast food. Sa marrin ata dhe sa marrin njerëzit që japin konsulencë profesionale, sa kursen shteti dhe sa harxhon prej këtyre pagesave etj. Sigurisht që atyre u dhemb çdo privatizim sepse nuk u mbetet asgjë kur të jenë me fat e të vijnë ndonjëherë në pushtet. Asnjëherë nuk janë mobilizuar kaq shumë “analistë”, “ekspertë të punësimit”, “ambientalistë”, “ekonomistë” të dështuar që kanë mbajtur madje edhe poste qeveritare, figura të dukshme dhe të padukshme të pushtetit majtist që po çmenden me gjoja kujdesin për pasurinë kombëtare. E meqenëse në rastin e Albpetrolit nuk mundën të thonë gjërat e zakonshme si shitje falas apo dhënie nën kosto e djersës dhe gjakut të popullit (oferta ngacmuese e 850 milionë eurove ishte bombë për shpresat e tyre) menduan të hedhin në treg populizmin vulgar me sulme kundër negociatorëve dhe figurave që qeveria ka kontraktuar për të administruar një proces shumë të ndërlikuar, si ai i privatizimeve strategjike dhe me rëndësi shumë të madhe jo vetëm për vendin tonë, por për gjithë rajonin. E ngaqë të mjerët socialist dhe komunistë, të vjetër e të rinj janë angazhuar me të madhe të sqarojnë rolet dhe shumat që janë futur nëpër xhepa apo kanë ndërruar duar (sipas mendësisë populiste të së majtës) janë ngatërruar keq dhe po bëjnë gafa të njëpasnjëshme. Po hidhen përpjetë e po shkulin flokët se ndërmjetësit janë agjentë të Serbisë, madje edhe rusë të konvertuar në azerë e ku ta dish çfarë (meqenëse me amerikanët nuk ua mban të dalin hapur). Për ta askush nuk duhet të ketë asnjë lidhje me privatizimet dhe qeverinë e aq më pak të ndihmojë në proces. Në të vërtetë ata janë kaq të zhgënjyer sa nuk dinë si të përballen me qeverinë e Berishës që nuk pushon së vrapuari me një energji të pazakontë edhe pas gati dy mandatesh qeverisje. Qeveria ndërkaq duket se përballë parullave populiste për shkatërrim të pasurisë kombëtare dhe shitje në dëm të interesave të shqiptarëve, ka arritur që të ketë në radhët e saj njerëz dhe grupe interesash shumë të orientuara dhe të mëdha, të huaj që paguhen shumë mirë e që e meritojnë pagën e tyre për shërbimet që ofrojnë. Duhet të ketë një fund në të gjithë britmën zhurmëmadhe të opozitës, e cila nuk do që vendi të përparojë nën kundërshtarët e tyre politikë sepse sa më të mëdha arritjet aq më të pakta shanset që të fitojë sërish zgjedhjet. Po të ishte për ta, Shqipëria nuk duhet të kishte as ujë e drita 24 orë, as rrugë, as kompani të mëdha turistike, as investitorë të mëdhenj, as biznese të mëdha e të guximshme, as tunele, as treg të lirë dhe asgjë. Por ja që vendi ka nevojë për njohjet dhe diturinë e kompanive të mëdha konsulente që përgatisin procesin e privatizimeve sipas standardeve europiane dhe ndërkombëtare. Nuk mund të angazhosh në këto lloj privatizimesh pensionistë të preferuar të PS-së dhe as administratorë aktualë të vendit që me gjithë përpjekjet nuk janë në lartësinë e administrimit të miliarda dollarëve. E pra shumë mirë bën qeveria që kontrakton dhe merr individë dhe firma të njohura konsulente për probleme të vështira. Nuk mund të ecet më me dërrasën e zezë të Tahirit, me krerë të emëruar politikisht në krye të sindikatave, me të paditur, me kryetarë unionesh apo me gjithfarë soj prurjesh që socialistët i kanë për të mbushur demagogjinë e tyre populiste. Vendi do ecë përpara duke ndjekur vizionin dhe procesin global të tregut të lirë dhe të njerëzve që janë më të zotë se të tjerët për ta përfaqësuar atë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›