Sa afër dhe sa larg Brazilit jemi?
Me fitoren ndaj Qipros, ekipi ynë përfaqësues i futbollit është vënë në krye të grupit kualifi kues për fi nalet e Botërorit 2014. Kështu, duket se jemi drejt rrugës për në Brazil, atje ku pas dy vjetësh do të mblidhet ajka e botës futbollistike. Edhe pse është shpejt për një analizë të hollësishme të asaj ç'ka u shfaq në mbrëmjen e kësaj të premteje ndaj ekipit qipriot, po aq shpejt është duke na ardhur edhe ndeshja e dytë kualifikuese e të martës së 11 shtatorit ndaj Zvicrës në Lucernë, gjë që na shtyn për një reflektim, gjithsesi po aq kalimthi, të gjendjes reale të futbollit tonë, larg atyre iluzioneve çoroditëse që shpesh na kaplojnë, si në rastin konkret. Në fakt, mjeshtëria e shënimit të golave të fitores në minutat e fundit, shoqëruar me entuziazmin e një numri tifozësh dukshëm më të shumtë se në ca ndeshje paraardhëse, ishin elementë për të bërë optimist shumëkënd. Sidoqoftë, në këtë llavë gëzimi të ligjshëm që të jep fitorja 3-1 ndaj skuadrës qipriote, ekziston rreziku i mbytjes në të e ndonjë kritike apo sugjerimi, detyrime këto që rrjedhin nga të gjitha ato që na ofroi ndeshja startuese e përfaqësueses sonë, për kualifikueset e Botërorit 2014. Të vazhdosh duartrokitjet, tam-tamet apo çfarëdo zhurme tjetër rreth kësaj fitoreje, pa u ndalur aspak tek të metat e dobësitë e skuadrës sonë, sidomos deri në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes, kur ende nuk ishte siguruar tri pikëshi, kjo nuk i shërben aspak asaj që na pret në Zvicër, ku kundërshtari do të jetë ndryshe dhe jo kaq "zemërmirë" sa ky që kaluam. Të gjithë e pamë se sa të vështirë e kishte skuadra jonë ndaj një kundërshtari si Qipro, pa ndonjë biografi të pasur si përfaqësuese, por që me pasimet e shkurtra, të shpejta e të sakta i dha një leksion të mirë trajnerit tonë De Biazi, për të kuptuar se çfarë do të thotë një fizionomi e vërtetë loje, që Kombëtarja jonë, për hir të së vërtetës, nuk e kishte thuajse gjatë gjithë kësaj ndeshjeje. U fol shumë dhe çuditërisht vazhdojnë ta idolizojnë si të zbritur nga qielli lojtarin e sapo mbërritur në dyert e kombëtares sonë, Alban Mehën, i cili nga një kategori inferiore e Bundesligës Gjermane, do të vinte për të na zbuluar Ervin Skelën, ende një mungesë e madhe për futbollin tonë. Por, me atë që pamë, ky lojtar, ashtu si dhe debutuesi tjetër 28-vjeçar, Burim Kukeli, gjithashtu nga trevat e Kosovës, nuk arritën të bëjnë ndonjë gjë më të madhe e më të mirë sa ç'shohim të bëjë p.sh. në kampionatin shqiptar Gilman Lika, që edhe pse i grumbulluar disa herë, nuk po arrin të bëhet titullar i Kombëtares! Të bësh gjuajtje vend e pa vend, duke mos e vënë në vështirësi portën kundërshtare, kjo nuk do të thotë se je një zbulim i mirëpritur. Gjithashtu, të luash në çdo cep të fushës, pa shumë qartësi dhe ndonjëherë pa arsye, sa të meritosh edhe karton të verdhë, kjo i ngjan asaj që thuhet se, një tenor nuk e duartrokasin nga që qëron fytin, po për të kënduar. Natyrisht, nuk dua të nënvleftësoj aspak ndonjë cilësi që mund të mbartin në karrierën e tyre debutuesit kosovarë të kësaj ndeshjeje, gjithsesi, ajo që paraqitën në lojën e tyre të parë në Kombëtare ishte larg asaj rruge që ne kërkojmë të na çojë në Brazil. Trajneri De Biazi këtë herë fitoi edhe nëpërmjet golit të Edgar Canit, që edhe pse ka muaj që është pa skuadër, i jepet e drejta për të qenë pjesë e Kombëtares! Në botë nuk ngjet kështu, por mesa duket eksperimente të tilla vlejnë për në Shqipëri dhe, sidomos, kur ato kanë sukses, ne i duartrokasim, por jo duke ngjallur besim për të ardhmen, por për t'u ushqyer përsëri me iluzione. Goli i Erion Bogdanit, gjithashtu na mahniti për nga ekzekutimi i gjuajtjes së fortë e të saktë nga larg, por, kështu shënoi n'atë mbrëmje edhe një lojtar i Luksemburgut ndaj Portugalisë së Kristiano Ronaldos, megjithatë, duke përfshirë edhe atë gjuajtje mjeshtërore të lojtarit të njohur maqedonas, Pandev në shtyllën e portës kroate, të gjitha këto nuk flasin aq shumë për një realitet të pastër, se sa për një rastësi të mundshme, siç na ndodhi edhe ne ndaj qipriotëve, në rastin më fatlum. Për t'u bërë më të sinqertë në arsyetimin tonë, le t'i rikthehemi edhe njëherë lojës së qipriotëve atë mbrëmje ndaj nesh, kur ata me lehtësi dhe teknikë e qarkullonin aq shpejt topin sa na vinin shpesh në rolin e inferiorit. Le të rikujtojmë edhe mjaft detaje të tjera që ajo skuadër i shfaqi ndaj nesh dhe që me siguri do të dijë t'i shfrytëzojë më mirë në fushën e vet gjatë ndeshjes së kthimit. Por deri pas një viti, do shumë kohë dhe, më tepër se për rrugën e largët për në Brazil, atëherë ka më shumë mundësi që të luftojmë për të mos u radhitur në vendet e fundit, si gjithmonë...
(er.nu/GSH/BalkanWeb)
(er.nu/GSH/BalkanWeb)