VV proteston të enjten kundër marrëveshjes

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që ratifikimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë të pritet me demonstrata.
Lideri dhe nënkryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, gjatë një konference të jashtëzakonshme për media, kanë thirrur popullin për të kundërshtuar marrëveshjen Thaçi - Daçiç, në demonstratën që do të mbahet më 27 qershor para Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Qeveria e Kosovës po orvatet që ta ratifikojë në Kuvendin e Kosovës Marrëveshjen Thaçi-Daçiç e ndoshta edhe Planin e Zbatimit. PDK-ja do që ta shpërndajnë përgjegjësinë edhe me LDK-në e AAK-në dhe t’i nënshtrojë të dyja këto. Kështu Daçiçi po e përdor Thaçin dhe marrëveshjen me të për ta avancuar Serbinë edhe drejt BE-së edhe brenda Kosovës, ndërkaq Thaçi po e përdor Daçiçin dhe marrëveshjen me të për t’i dominuar LDK-në dhe AAK-në si dhe për imunitet ndaj EULEX-it. Një Qeveri e cila edhe nga Freedom House është cilësuar si regjim gjysmë-autoritar kurrsesi nuk do të duhej të flasë në emrin tonë dhe të marrë vendime për neve. Kuvendi i Kosovës do të jetë Kuvend dhe do të jetë i Kosovës vetëm në masën në të cilën është rezistencë ndaj kësaj Qeverie. Thaçi dhe qeveritarët e tjerë janë të përfshirë në korrupsion dhe në krim të organizuar. Kjo Qeveri është Qeveri mafioze dhe bisedat e përgjuara të aferës "Pronto" që dolën në publik e dëshmuan këtë gjë”, ka thënë pos tjerash Kurti. /Indeksonline/