Premier Liga, të mëdhenjtë pranë eksodit
Premier Liga është gati të bëjë pazar në Europë dhe të bastisë kampionatet ku stërlina dhe joshja e futbollit anglez kanë një fuqi të madhe e të parezistueshme, por ka edhe një fluks të kundërt: eksodi i detyruar i lojtarëve që nuk hyjnë më në punë e klubeve të mëdha dhe që mund të garantojnë një rendimet plus në realitete të tjera.
Çelsi është klubi që mund të vendosë disa lojtarë në merkato. Emri më me peshë është ai i Didie Drogba. Qendërsulmuesi bregfildishtas, 33 vjeç, nuk është më një djalosh dhe malaria ka qenë një goditje e keqe, por është ende një lojtar i një niveli mjaft të mirë. Problemi është paga e tij: i mësuar me rrogat luksoze të Abramoviçit, kërkon shumë. Tjetër emër i rëndësishëm në listën e atyre që mund të ikin është Esien. Mesfushori ganez, 28 vjeç, që sapo ka deklaruar qëllimin për t’u rikthyer në kombëtare, po luan me një farë vazhdimësie, por nuk është kthyer ende në nivelet e tij pas operacionit në gju që e bëri të mos luajë në Botërorin 2010. Maluda e Kalu janë në dyshim. I pari ka shënuar shumë, por në momente krizazh, sjellja e tij nuk i ka pëlqyer aspak Abramoviçit, ndërsa bregfildishtasi mund të shitet për të arkëtuar para. Bosingva, Ferreira, Zhirkov e Anelka janë emra të tjerë në listën e shitjes.
Berbatov, 30 vjeç, qëndërsulmuesi bullgar i Mançester Junajtidit, po përjeton një situatë të çudtishme. Është kryegolashënuesi i Premier Ligës me 21 gola, por Ferguson është i gatshëm të heqë dorë prejt ij. I pëlqen Totenhemit, por ka merkato në të gjithë Europën, edhe në Itali. Tek Arsenali, sulmuesi maroken Shamak, 27 vjeç, është zhdukur nga qarkullimi në skuadrën e parë që nga nëntori dhe dëshiron të largohet. Në ditët e shkuara kanë qarkulluar fjalë se ka një interesim të Lacios. Të tjerë lojtarë që Arsenali është gati t’i vendosë në merkato janë bregfildishtasi Ebue, 28 vjeç, dhe Arshavin, 30 vjeç, por rusi mund të kthehet në shtëpi. Liverpuli, ku Dalglish sapo ka rinovuar kontratën për tre vite të jera, mund të lëshojë mesfushorin portugez Meireles, 28 vjeç, ndërsa në dyshim është edhe Xho Kol, që nuk ka dëshmuar asgjë nga aftësitë e tij në “Anfield” që pas mbërritjes nga Çelsi në këtë sezon. Nga Evertoni mund të peshkohet mesfushori belg Felaini, 23 vjeç. Te Totenhemi është Niko Kranjçar, 26 vjeç, që kërkon të ndryshojë ambient. Është një talent dhe ia vlen të vësh bast tek ai.
Te Mançester Siti, në krye të listës së largimeve është Karlos Tevez. Argjentinasi duket se është zhgënjyer me skuadrën jokompetitive të krijuar nga sheiku Mansur dhe Roberto Mançini, ndaj ka ndërmend të largohet sa më parë. Skuadrat e interesuara për të janë të shumta: Reali, Interi, Juventusi etj. Argjentinasit i duhet vetëm të zgjedhë.