E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premiera Pritja merr fund… Virginia Woolf, sonte në Tiranë!

Autori i Lajmit: RedaksiaPrej muajsh ka qenë në qendër të vëmendjen mediatike dhe me të drejtë, pasi bëhet fjalë për Virginia Woolf. Ndërsa entuziazmi ishte gjithnjë në rritje, në përpjestim të zhdrejtë shkonin ankthet e pritjes… Ngjitja e saj në skenë po vonohej. Një odise e nisur që nga gushti kur edhe u dha lajmi për herë të parë, por që vijoi për muaj me radhë, për arsye që do ti lexoni më poshtë… Duhet thënë se “Kush ka frikë nga Virginia Woolf", vepra e autorit bashkëkohor, Edward Albee është e vetmja shfaqje e re e Teatrit Kombëtar për këtë sezon.
Erdhi premiera
Më në fund në skenë. Është mendimi i parë që të vjen ndër mend kur lajmërohet shfaqja e premierës "Kush ka frikë nga Virginia Woolf", sonte, ora 19.00, salla e madhe e Teatrit Kombëtar. Vonesa ndodhi për shkak të ngjarjeve që e ndoqën veprën e Edward Albee-t që në muajin gusht kur regjisori Kushtrim Bekteshi erdhi në Tiranë për të filluar punën. Largimi i aktorëve Ndriçim Xhepa dhe Luiza Xhuvani dhe zëvendësimi i tyre me Eva Alikajn dhe Viktor Zhustin, shtyrja e shfaqjes së 13 nëntorit, siç ishte parashikuar në kalendarin artistik të sezonit, për probleme shëndetësore të aktores Eva Alikaj dhe ajo e 19 nëntorit për shkak të dëmtimit në prova të aktores Eftiola Laçka, bënin të mendoje se premiera e vetme e këtij sezoni do ti kalonte 2010-s.
Por, takimi me median i drejtorit të Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, i regjisorit Kushtim Bekteshi dhe dy aktoreve të pranishme, Eva Alikaj dhe Eftiola Laçka, e rrëzoi poshtë këtë hamendje. I pyetur nga gazetarët nëse kjo kohë e gjatë ka shërbyer për një rishikim të konceptit regjisorial, për më tepër ushtrim të aktorëve me rolet, regjisori Bekteshi pohoi: "Shfaqja nuk kishte nevojë për rishikim, pasi ishim gati për premierën. Do të ishte joserioze po të rishikohej sërish koncepti regjisorial", duke theksuar se shfaqja nuk u shty për arsye të mospërgatitjes së trupës së aktorëve.
Flasin aktorët
Duke iu referuar veprës së autorit bashkëkohor, Edward Albee, përshtatjes me rolet të aktorëve Eva Alikaj, Eftiola Laçka, Viktor Zhusti dhe Helidon Fino, punës së skenografes Lierka Hribard dhe kostumeve të Anila Zajmit, drejtori Skrami e quajti këtë prodhim të Teatrit Kombëtar "një nga bashkëpunimet më ambicioze". Më pas regjisori Bekteshi foli për veprën, personazhet që ka krijuar autori i saj dhe punën që ai ka bërë për ti zbërthyer ata, për ti sjellë sa më të vërtetë për publikun. "Vepra flet për njerëz që kanë frikë ta jetojnë jetën pa iluzione", thotë Bekteshi dhe shpjegon se edhe dekori i tejdukshëm dhe kostumet janë një mënyrë për të treguar jetën e këtyre personazheve iluzorë, "ikjen nga konceptimi realist e futjen e elementeve surrealistë në shfaqje". Pas Bekteshit, aktorja Eva Alikaj foli për punën që ka bërë me rolin e Martës. "Ka qenë një luftë. Jam përpjekur dhe kam punuar shumë", u shpreh ajo duke përmendur shkëputjen për një kohë të gjatë nga teatri dhe vendimin radikal që mori për tiu kthyer sërish punës në skenë, tanimë me një kontratë fikse. Ndryshimi i tonit të zërit të saj të linte të kuptoje sesa i dashur është ky rol për të, ose siç ajo vetë tha: "një rol që e kam ëndërruar".
Ja sesi tregon Eva Alikaj për personazhin e gruas koketë:
"Marta është një grua potente. Duke flirtuar me personazhin tjetër, ajo kërkon ta plagosë, ta dëmtojë, dhe po të jetë e mundur edhe ta shkatërrojë të shoqin. Thelbi i veprës është konflikti midis Martës dhe Xhorxhit. Ata janë të dy të shkatërruar. Për të kapërcyer dështimet që kanë pasur në jetë, akuzojnë, zihen dhe lëndojnë tjetrin, edhe forcat e fundit i përdorin për të dëmtuar njëri-tjetrin", shprehet aktorja dhe sqaron se përveçse cigareve dhe alkoolit, personazhi i Martës nuk ka të përbashkëta as me Lola Blaunin, personazhin që ka interpretuar para dy vjetësh në skenën e TK-së, dhe as me karakterin e saj.
Vepra
Me një gjuhë të thjeshtë, të shqipëruar nga Gjergj Peçi, dramaturgu amerikan Albee në veprën "Who is afraid of Virginia Woolf" (1962) flet për konfliktet në çift të Xhorxhit 36-vjeçar, profesor historie (në rol Viktor Zhusti), me 52-vjeçaren Marta, një karakter i fortë dhe i papërmbajtur, e bija e rektorit të universitetit. Zënkat, sharjet, fyerjet që i bëjnë njëri-tjetrit, dalin gjatë një vizite në shtëpinë e tyre të çiftit të ri, Hanit (Eftiola Laçka) dhe Nikut (Helidon Fino). Edhe pse autori i veprës e ka mbështjellë bukur gjenezën e problemit të tyre, duke na ngatërruar me probleme të tipit tradhti bashkëshortore, dominim i gruas së fortë, monotoni e një jete të gjatë bashkë, në thelb, është mungesa e një fëmije në familjen e tyre, të cilin fëmijë ata "e krijojnë", i japin jetë nëpërmjet fantazisë së tyre. Nga e njëjta gjë vuan edhe çifti tjetër, që megjithëse duket më i përmbajtur, jeton një marrëdhënie të ftohtë, të shtirur, të ndërtuar mbi bazë interesash. Këto do të rrëfehen në shfaqjen e regjisorit maqedon Kushtrim Bekteshi më 17 deri më 20 dhjetor në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar.

Ky lajm është publikuar: 17/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›