E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompensimi i energjisë, 22 milionë USD të varfërve

Autori i Lajmit: RedaksiaFakti që vendimi për rritjen e energjisë në masën 13 për qind do të dëmtojë të parët konsumatorët, është pranuar dhe nga kryeministri i vendit Sali Berisha. Për këtë arsye Këshilli i Ministrave ka vendosur në dispozicion të familjeve të varfra 22 milionë dollarë, të cilët pritet të përdoren për kompensimin e energjisë elektrike. Kryeministri u shpreh se kjo rritje, e cila është e papërfillshme për industrinë, por shumë e madhe për institucionet buxhetore nxjerr para qeverisë detyrën për mbrojtjen e plotë dhe totale të pasojave të rritjes tek të gjithë personat në ndihmë ekonomike dhe pensione të ulëta sipas kritereve të përcaktuara. “Kjo rritje është mjaft më e ulët për 300 kilovatët e parë dhe shkon duke u rritur për konsumet përtej këtyre 300 kilovatëve, të cilat në tërësi janë familje me të ardhura mbi mesataren ose mesatare. Rritja është jo e përfillshme për industritë. Rritja është shumë e madhe për institucionet buxhetore. Është pothuaj dyfishim çka nxjerr para nesh këto detyra. Së pari mbrojtjen e plotë dhe totale të pasojave të rritjes tek të gjithë personat në ndihmë ekonomike dhe pensione të ulëta sipas kritereve të përcaktuara”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri bëri të ditur se është ndarë fondi prej rreth 22 milion dollarësh, i cili do të përdoret për skemën e mbulimit të rritjes së çmimit për shtresat në nevojë. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që skema e mbulimit të rritjes për shtresat në nevojë të jetë operative që më 1 janar, në mënyrë që këto shtresa të kenë zero efekt nga rritja dhe dua tu them këtu se janë mbi 70 % e konsumatorëve të cilët bien në konsumimin deri në 300 kilovat. Ndaj dhe për shtresat në nevojë mbulimi do të jetë i plotë dhe total”, tha ai.

Shkurtimi i shpenzimeve

Në kuadrin e masave për shkurtimin e shpenzimeve në administratë, Kryeministri Berisha kërkoi nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, që në bashkëpunim me Sekretarët e Përgjithshëm të të gjitha institucioneve të vendosin rregulla të rrepta për mospërdorimin e llambave inkandeshente në institucione shtetërore dhe zëvendësimin e tyre me ndriçues të tjerë. “Llambat inkandeshente nuk mund të ekzistojnë më, në asnjë institucion shtetëror. BE që është nga ana tjetër edhe bashkimi i të pasurve të botës i ndaloi ato llamba, me vendim të veçantë”, tha Kryeministri. Të njëjtën masë, Kryeministri kërkoi që të merret edhe shkollat dhe spitalet e vendit. “Zëvendësimi i këtyre llambave me urgjencë është kushti i të gjitha kushteve për të frenuar rritjen e shpenzimeve administrative.

Ekspertët kundër ERE-s

Ekspertët e energjetikës kundërshtojnë rritjen e çmimit të energjisë në një kohë kur faktorët e brendshëm dhe të jashtëm favorizojnë uljen e tij, ashtu siç po ndodh edhe në shumë vende të Evropës. Sipas tyre, qytetarët po paguajnë për keq menaxhimin e kompanisë, por edhe për paktin që qeveria ka lidhur me pronarin e ri të OSSH-së. “Kushtet janë për të ulur çmimin e energjisë elektrike edhe tek bizneset edhe tek familjarët që e paguajnë energjinë elektrike rregullisht. Tregu ku ne e blemë energjinë elektrike favorizon uljen e çmimit sepse çmimet e energjisë elektrike nga prodhuesit janë të ulura. Të shtrihemi tek menaxhimi i kompanisë që është një faktor për të diskutuar çmimin. Menaxhimi i kompanisë lë shumë për të dëshiruar. Për rritjen e çmimit kanë rënë dakord edhe ERE edhe CEZ edhe qeveria e ka bekuar, edhe parlamenti që ka nxjerrë ligjin për të rritur energjinë 4 vjet rresht nga 2009-2014. ” shpjegon Pajtim Bello, ekspert i energjetikës. Për ekspertët, më të prekurit nga rritja e çmimit të energjisë janë bizneset, veçanërisht në sektorët bazë të ekonomisë si industri, tregti dhe shërbime. “Në përgjithësi bizneset janë goditur më rëndë se sa kategoritë e tjera. Goditja që u bëhet bizneseve në këtë kohë krize nuk është normale. Në të gjithë Evropën çmimet e energjisë po ulen nuk po ngrihen, tek ne po ndodh e kundërta.” shprehet Pajtim Bello, ekspert i energjetikës. Rritja e çmimit të energjisë do të shtojë kostot e biznesit, çka do të thotë se nuk përjashtohet një rritje e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në tregun e shitjes me pakicë. Kjo duke pasur parasysh eksperiencën e deritanishme, ku bizneset kostot shtesë ua kanë faturuar konsumatorëve.

Shtrenjtimi i energjisë,
qytetarët të pakënaqur

Vendimi i Entit Rregullator të Energjisë për rritje të çmimit të energjisë do të dobësojë buxhetin e qytetarëve, të cilët thonë vendimi ishte i paarsyeshëm. Qytetarët thonë se qeveria duhet të rishikojë çmimin pavarësisht kontratës, për shkak se fuqia ekonomike e tyre nuk mund ta përballojë këtë shtrenjtim. Konsumatorët thonë se e kanë shumë të vështirë ti paguajnë faturat e energjisë e elektrike edhe me çmimet aktuale. Rritja e çmimit të energjisë, miratuar nga ERE parashikon rritje të çmimit në masën 13%. Për familjet që konsumojnë deri në 300 kilovat orë në muaj do e paguajnë energjinë me 7.7 lekë nga 7 lekë që e kanë paguar deri më tani. Për konsumin mbi 300 kilovat orë çmimi bëhet 13.5 lekë nga 12 lekë që ishte.

Ky lajm është publikuar: 17/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›