E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradimi i Kumbaros, dosja mbërrin në Londër

Autori i Lajmit: Ornela ManjaniProkuroria e Krimeve të Rënda nis drejt Anglisë dosjen “Kumbaro”. Një akuzë shtesë dhe fakte të reja në lidhje me implikimin e tij në rrëmbimin e Remzi Hoxhës, pritet të kthejnë sërish në qeli ish-punonjësin e SHIK-ut. Burime nga organi qendror i akuzës bënë të ditur dje, se pas njohjes së drejtësisë angleze me dosjen, do të nisin edhe procedurat për ekstradimin e tij. Vendimi i drejtësisë angleze për ekstradimin e Kumbaros do të jepet më 18 dhjetor të këtij viti. Përsëritja e kërkesës për të arrestuar Ilir Kumbaron erdhi pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të lënë të lirë të dyshuarin për rrëmbim personi.

Kërkesa

Dosja e plotë është nisur dje Londrës, vendimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për të pandehurim Ilir Kumbaro. Vendimi i gjykatës i ka rihapur rrugën procesit për ekstradimin e ish-punonjësit te SHIK-ut, Ilir Kumbaro, ndaj të cilit organi i akuzës ka ngritur 3 padi për “rrëmbim dhe torturim” ndaj 3 personave, gjatë kohës që ushtronte funksione të lartë në Shërbimin Informativ në vitin 1995. Ish-drejtuesi i SHIK, Kumbaro, u ndalua në Londër, pas një urdhërarresti ndërkombetar të Interpolit, që e akuzon atë si të përfshirë drejtpërdrejt në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha dhe rrëmbimin dhe torturimin e Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopulit.

Avokatët

Avokatët e Kumbaros iu drejtuan Gjykatës së Krimeve të Rënda për tejkalim të afateve të paraburgimit, por akuza iu përgjigj me një tjetër lëvizje, duke i ngritur një tjetër padi, mbi dëshmitë e të dëmtuarit Avdyl Loshaj. Vendimi për arrest me burg pa afat për Ilir Kumbaron, dhënë nga autoritetet shqiptare të drejtësisë, do ti paraqitet gjykatës në Londër. Drejtësia angleze do të vendosë mbi ekstradimin ose jo të Ilir Kumbaros drejt Shqipërisë më 18 dhjetor.

Lirimi

Gjykata e Lartë në Shqipëri ka dhënë pak ditë më parë vendimin për shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj ish-agjentit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro, aktualisht i arrestuar në Londër dhe person i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Vendimi është shpallur dje nga një trupë gjykuese, e cila drejtohej nga kryesuesi Gani Dizdari. Çështja shkoi në Gjykatën e Lartë, pasi avokatët e Kumbaros kërkuan shuarjen e masës së arrestit ndaj ish-drejtorit të SHIK-ut të Tiranës, duke argumentuar: Dosja penale ndaj tij është regjistruar në hetim në vitin 2003. Pas këtij viti, prokuroria arrestoi tre persona, ndërsa Kumbaro u shpall në kërkim. Një vit më vonë tre të arrestuarit morën dëmshpërblim për burgimin e padrejtë disamujor, ndërsa Kumbaro vazhdonte të ishte person në kërkim ndërkombëtar. Prokuroria e pezulloi çështjen, pasi vepra penale për të cilën u akuzuan katër agjentët, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, ishte amnistuar në qershor të vitit 1997.

Zhdukja e biznesmenit dhe përfshirja e SHIK-ut

Dosja e vjetër e zhdukjes së biznesmenit maqedonas Remzi Hoxha, që daton në vitin 1995 është rihapur nga prokuroria. Ndërsa tashmë janë sërish nën hetim dhe krerë të SHISH-it, si të dyshuar në zhdukjen e mistershme të këtij biznesmeni. Deri tani janë katër ish-punonjës të SHIK-ut, të cilët dyshohen si të implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në vitin 95. Të pandehur për këtë çështje janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro. Budjon Meçe ndodhet në spital, për shkak të një sëmundjeje, ndërsa Ilir Kumbaro është në Londër. Më 4 maj, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në mungesë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të pandehurit Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, të cilët dyshohet se janë implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Katër ditë pas kësaj Gjykata e Krimeve të Rënda i komunikoi Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit këtë masë sigurie, ndërsa mungonte sërish Budjon Meçe. Arben Sefgjini e cilësoi të padrejtë vendimin e prokurorit, pasi, sipas tij, “pretendimet e tij (prokurorit) janë të pavërteta”.

Ky lajm është publikuar: 17/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›