Gripi i derrit A/H1N1, vdes 18 vjeçarja, 8 muajshe shtatzënë
Autori i Lajmit: Entela DurajNjë vajzë 18 vjeçare shtatzënë e prekur nga gripi i derrave ka ndërruar jetë dje pasdite në spitalin Infektiv të QSUT-së duke shënuar kështu viktimën e 5-të në Shqipëri. Lajmi është konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik. E reja 18-vjeçare 8 muajshe shtatzënë ishte nga qyteti i Kuçovës, dhe prej gjashtë ditësh ishte shtruar në spitalin infektiv në QSUT dhe mbahej në repartin e terapisë intensive. Vdekja e 18 vjecares e rrit në 5 numrin e viktimave në Shqipëri. Dje drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero bëri të ditur në media se 18 vjeçarja ka gjetur vdekjen rreth orës 16:00 ndërsa ishte në muajin e tetë të shtatzënisë. “Ishte në muajin e 8 të shtatzënisë, një infeksion nga gripi tek kjo grua e re nuk u përballua dot me gjithë ndërhyrjen e specializuar” theksoi Pipero. Ndërsa bën thirrje për kujdes ndaj higjienës personale, Pipero thekson se situata e gripit pandemik është nën kontroll dhe vala e infeksionit ka pësuar rënie. Ndërkohë edhe shefi i Infektivit në QSUT, Dhimitër Kraja, shpjegoi dje në media se pacientja nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër. Ai shtoi se gratë shtatzëna janë në grupin e riskut. Sipas rekomandimeve të OBSH-së, shtatzënat duhet të jenë të parat që duhet të vaksinohen nga A/H1N1.Statistikat botërore tregojnë se një nga kontigjentet më të rrezikuara janë gratë shtatzënë, pasi vetë barra e lodh organizmin dhe sjell çrregullime, çka rrezikon që ato ta kalojnë gripin më rëndë se të tjerët. Sipas informacioneve të ISHP-së deri më sot regjistrohen 334 të prekur nga gripi i derrit ku mosha mesatare e rasteve të prekura është 23 vjeç. Sipas ISHP deri sot në këtë Institut janë marrë 2357 mostra të grupmoshave 15-24 vjeç. Ditën e diel më 13 dhjetor një 31 vjeçar nga Vlora humbi jetën nga virusi i rrezikshëm. Ai kishte pasur një gjendje gripale ku është trajtuar në kushtet e shtëpisë dhe kur është përkeqësuar është shtruar me urgjencë në spital, por nuk mundi të mbijetojë. Mësojmë se i riu me incialet E.M, nga Vlora, nuk kishte pasur probleme shëndetësore më parë, siç kanë qenë rastet e tjera me sëmundje kronike. Ndërkohë vetëm një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë kishte konfirmuar vdekjen e dy personave të tjerë, që kuroheshin në spital nga virusi i rrezikshëm, njohur si gripi i derrit. Dy viktimat ishin nga Shkodra, një burrë dhe një grua perkatesisht 53 dhe 47 vjeç. Ndërsa viktima e parë ka qenë një burrë 57-vjeç nga Sukthi i Durrësit që ndërroi jetë ne 3 dhjetor në Sanatorium ku ishte i shtruar pas komplikacioneve që shfaqi nga prekja me virusin A/H1N1. Ky person vuante nga sëmundje kronike të zemrës si dhe kishte një sëmundje të pashërueshme në prostatë. Prekja nga A/H1N1 i ka krijuar komplikacione me organet e frymëmarrjes duke i marrë edhe jëtën.
Pesë viktimat qe humbën jetën
Rasti i parë
Një burrë i moshës 57-vjeçare nga Sukthi i Durrësit humbi jetën më 3 dhjetor pas prekjes me AH1N1. Viktima vuante prej shumë kohësh nga tumori beninj i prostatës si dhe kishte kaluar edhe infarkt miokardi të një forme të agravuar, megjithatë shkaku i vdekjes së tij ka qenë infeksioni me virusin A H1N1.
Rasti i dytë
Ishte një 47-vjeçare nga Shkodra, e cila vuante nga patologji të tjera. Gruaja humbi jetën ditën e shtunë dhe vuante prej kohësh nga hipertensioni në mushkëri dhe obeziteti.
Rasti i tretë
Bëhet fjalë për një 53-vjeçar me iniciale R.SH., që ndodhej prej datës 6 dhjetor në spitalin e Shkodrës dhe po kurohej nga gripi vdekjeprurës. Burri 53-vjeçar humbi jetën po ditën e shtunë dhe mjekët thanë se vdekja është shkaktuar nga virusi A/H1N1. Mësohet se pacienti vuante nga pneumonia masive bilaterale.
Rasti i katërt
Mbrëmjen e së shtunës është shënuar viktima e katërt në Shqipëri që humbi jetën nga gripi i derrit. Ai ishte 30 vjeç nga qyteti i Vlorës, dhe sapo ishte kthyer nga emigracioni. I riu ishte trajtuar vetëm në shtëpi me antibiotikë, ndërsa ditët e fundit ishte shtruar në spital për shkak se nuk kishte pasur përmirësime. Ai ishte shtruar në gjendje të rëndë në Senatoriumin e Tiranës, ku edhe ndërroi jetë.
Rasi i pestë
Vajza 18 vjeçare nga Kuçova e cila humbi jetën ditën e djeshme. Vdekja e saj ndoshta ishte më tragjikja deri më tani duke qenë se e reja ishte edhe 8 muajshe shtatzënë. Mjekët thanë se ndryshe nga katër rastet e tjera vajza nuk vuante nga sëmundje kronike. Por ajo pati një infeksion nga gripi i cili tek kjo grua e re nuk u përballua dot me gjithë ndërhyrjen e specializuar.
2.357
mostra janë marrë nga Tirana dhe rrethet, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me këtë virus në Shqipëri është 334. Shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë.
334 persona
në të gjithë vendin numërohen zyrtarisht të prekur deri tani me gripin e derrit, ndërkohë në laboratorin e virologjisë konfirmohen çdo ditë rreth 6 raste të reja me AH1N1.
5 viktima
u shënuan brenda një jave nga gripi i derrit AH1N1 në vendin tonë. Mjekët konfirmuan se viktimat vuanin edhe nga sëmundje kronike
16 mijë
pacientë kanë paraqitur shenja gripale (gripi sezonal) gjatë muajit nëntor e deri më tani dhe kanë marrë mjekimin në QSUT
20-45 vjeç
është mosha mesatare e të prekurve me gripin e derrit. Mjekët thonë se pjesa më e madhe e të prekurve ( bashkë edhe me 4 viktimat) vuajnë nga sëmundje të tjera shoqëruese
Ky lajm është publikuar: 17/12/2009