Prokuroria apelon vendimin e gjykatës për tragjedinë në Gjirokastër
Autori i Lajmit: RedaksiaPërplasjet mes Gjykatës së Gjirokastrës dhe Prokurorisë në lidhje me vendimet për përgjegjësit e shembjes së një pallati ku humbën jetën tre persona, do të zgjidhen nga Apeli. Prokuroria e Gjirokastrës ka dorëzuar dje në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për çështjen penale ndaj 7 të akuzuarve për rrëzimin e një pallati 5-katësh, rreth një vit më parë në qytetin e Gjirokastrës, ku humbën jetën tre shtetase, mes të cilëve, një fëmijë dhe ngelën të pastrehë 14 familje.
Apelimi
Burime nga Prokuroria e Gjirokastrës, pohuan se akuza nuk do të tërhiqet nga vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit Gjirokastrës, për shkak se ngjarja e 9 nëntorit 2008 ka pasur tri viktima dhe vendimi i gjyqësorit ishte tepër i ulët, krahasuar me kryerjen e veprës penale. Sipas të njëjtave burime, mësohet se, përveç cilësimit ligjor për të pandehurin kryesor të ngjarjes, vendimi për fajësinë e 3 zyrtarëve të Bashkisë të ngarkuar me mbikëqyrjen e punimeve të ndërtimit, është i padrejtë. Vetëm një ditë pas përvjetorit të parë të shembjes së pallatit pesëkatësh në lagjen "11 Janari”, trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Desad Avdulaj, shpalli të pafajshëm 3 nga 7 të akuzuarit si shkaktarë të tragjedisë me argumentin "për mungesë provash" dhe dënoi gjithsej me 12.6 vjet burg e 1.5 milion lekë gjobë 4 të akuzuarit e tjerë. Ndryshe nga pretenca e dhënë nga Prokuroria e Gjirokastrës, e cila kërkoi 38 vjet burg dhe 2.4 milionë gjobë, administratori i firmës "Arti" sh.p.k., Sotiraq Janora u dënua me 6 vjet burg, Afërdita Papamihali, ish-sekretare e KRRT së Bashkisë, u dënua me 2.6 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë, Admir Shehaj, ish-inspektor në Inspektoratin e Ndërtimit pranë Bashkisë u dënua me 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë, ndërsa Gjergji Meçi, inxhinieri i firmës, u dënua 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë. Trupi gjykues vendosi për 4 të pandehurit, heqjen e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare.
Hetimet
Nga hetimet u arrit në përfundimin se pallati 5-katësh i ngritur në një kodër në lagjen "11 Janari", u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine tjetër të re pranë tij. Shkak i shembjes ishte bërë rrëshqitja e dheut, e cila kishte ardhur nga punimet që po zhvilloheshin për ndërtimin e një pallati pak metra më larg. Pallati 5-katësh ku banonin 20 familje, u shemb më 9 janar të këtij viti në mesditë në qytetin e Gjirokastrës. Ministria e Brendshme konfirmoi pak pas ngjarjes së rëndë se shkak i shembjes ishte bërë rrëshqitja e dheut, e cila kishte ardhur nga punimet që po zhvilloheshin për ndërtimin e një pallati pak metra më larg. Policia arriti të shpëtonte 15 persona, ndërsa 3 humbën nën rrënoja. Pas kërkimeve, nën rrënoja, u gjetën trupat e pajetë të tre personave.
Ky lajm është publikuar: 17/12/2009