Premiera e Kometës, njëzet vetë në sallë
Shkodër
Ka zgjedhur Shkodrën regjisori Fatmir Koçi për premierën e filmit “Koha e Kometës”, me skenar i bazuar në romanin e shkurtër “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë. Në mbrëmjen e 23 tetorit, salla e kinemasë “Millenium”, e para ndër kinematë shqiptare që po shfaq filmin në fjalë ka qenë me fare pak njerëz. Menaxheri i kinemasë ka shprehur keqardhje për publikun e pakët duke e zhveshur veten nga çdo lloj përgjegjësie mbi promocionin e dobët. Në fakt “Koha e kometës” është njoftuar vetëm një ditë para.
Megjithatë, regjisori Koçi nuk e ka kursyer respektin e thellë për qytetin e Shkodrës ku gjithnjë janë projektuar filmat e tij, qysh nga fillimet. Shkodra për të është një ndër qytetet e pakta në Shqipëri “ku ndjeshmëria si ndaj asaj që bëhet mirë si ndaj asaj që nuk bëhet mirë është ende e gjallë.” Megjithatë shfaqjen e “Kohës së kometës” në këtë qytet ai nuk e quan test, por një prurje, “një afrim me atë që unë kam bërë, është ajo që unë kam dashur t’ia afroj Shkodrës e cila ka qenë një qytet që brenda vetvetes ka pasur lirinë e vet. Për mua ka rëndësi të veçantë Shkodra jo për atë që thuhet si klishe “Shkodra -qytet i kulturës”, por për atë që ai është një vend ku kulturat herë harmonizohen dhe herë janë në konflikt dhe kjo përbën në fund të fundit bazën e një shoqërie.”
Në prezantimin për aq të pranishëm sa ishin, regjisori i “Tirana, viti zero” (2001), tha se “Koha e kometës” është një dramë që nis nga kultura jonë, që nis nga historia jonë. Në radhë të pare, ai e ka quajtur “një histori dashurie”.
Filmi është ndjekur me vëmendje nga spektatorët, kryesisht artistë vendas.
Për dramaturgun Fadil Kraja veprat e Kadaresë, në përgjithësi, janë filozofike dhe ekranizimi i tyre është i vështirë pasi iu mungon rrëfimi i fabulës në mënyrë tradicionale. Kraja vlerëson faktin që regjisori Koçi është përpjekur t’i shmanget sa më shumë fabulës së “Vitit të mbrapshtë” dhe të merret me një linjë, atë të dashurisë,“ndërsa shkapërdamja është në stilin e Kadaresë. Vetë shkrimtari është shprehur se ekranizimet e veprave të tij dalin mediokre. Mendoj se në rastin e filmit të Fatmir Koçit, kjo është një sukses, pasi ai është munduar të shmangë filozofinë dhe t’i japë filmit një karakter human.”
Për aktoren e Teatrit “Migjeni”, Merita Smaja, “ky është një realizim i bukur që na thotë se gjithmonë shqiptarët janë vrarë me njëri-tjetrin, fatkeqësisht e kërkojnë luftën brenda vetes.”
Të tjerë si aktori komik Zef Deda ka vlerësuar si të shkëlqyer realizimin teknik dhe e quan një film modern, edhe pse ngjarjet na çojnë në vitin 1914, në prag të Luftës së Parë Botërore, në kohë që duhej të ishte historike, por që është një mishmadh primitiv kufijsh. “Ka momente komike pasi në luftrat e popullit tonë ka diçka komike brenda. Kemi vuajtur shumë prej këtyre luftërave. Për kë kemi luftuar, e thotë filmi vetë, dhe përse duhet luftuar ka qenë paksa e vështirë për tu kuptuar nga populli ynë në shekuj. Ajo luftë që përmendet në film dhe nis nga një grup djemsh, vjen aq e brumosur tek mendimi i shqiptarëve për luftë e vetëm për luftë. Dhe lufta e duhur kurrë nuk u bë. Kurrë nuk u bë ajo luftë që do e çonte vendin tek dashuria e fortë për njëri-tjetrin”,- komenton Deda.