E Diel, 1 Nëntor 2026

Mendime dimërore nga Wallace Stevens

 

Poeti amerikan Wallace Stevens prezantohet në “Poetekë” nga Ambasadori Withers. Një shkas që diplomati të zbulojë lidhjet e hershme me poezinë

Wallace Stevens, një nga zërat më të njohur të poezisë moderne amerikane krahas bashkëkohësve si Eliot, Pound, Williams, vjen për lexuesin shqiptar me një “Mendje dimri”. Një përmbledhje poezish të zgjedhura, shqipëruar nga poeti Parid Teferiçi. Për të prezantuar këtë poet në edicionin IV të “Poetekës”, ishte një bashkëkombas i Stevens, ambasadori amerikan John L. Withers. Edhe pse përfaqësues i një vendi të madh, Withers la pas kornizat e ceremonialit zyrtar diplomatik, për të ofruar kujtime personale mbi lidhjen e tij të hershme me poezinë. Ai tregon se libri i parë me poezi, që ka lexuar qysh fëmijë ishte “Bija e Hënës” e poetit Henry Longfellow, të cilin ia kishte dhënë mësuesja e tij. Ishte pikërisht ajo, që dikur kishte “profetizuar”, se Johni, i vogël asokohe, do të ishte një mjeshtër i fjalës. “Ky ishte momenti i parë, kur ndjeva dashurinë për poezinë”, - u shpreh Withers, i cili më tej, nuk la pa përmendur edhe letërsinë shqipe, në veçanti një vepër të shkrimtarit Fatos Kongoli. Ndjeshmëria e tij ndaj poezisë dhe njohuritë mbi letërsinë shqipe e bënë Withers pjesë natyrale të “Poetekës”, ku fjala kryesore është poezia.

Libri “Mendje Dimri” e Stevens, bën pjesë në serinë e botimeve të revistës “Poeteka”. Në të përfshihen poezi të zgjedhura të autorit nga vitet 1915 deri në vitet e fundit të jetës së tij, 1955. Libri shoqërohet me një pasthënie nga shkrimtari Besnik Mustafaj, i cili në shënimet e tij e ka cilësuar Stevensin, poet gjenetikisht amerikan. Mustafaj thekson se “njeriu i Stevensit nuk është trashëgimtar i një historie heroike kombëtare apo tragjike qoftë ajo. Por ai është një bartës i një të sotmeje fort të ndërlikuar, në të cilën ndërthuren mjaftueshëm të gjitha problemet filozofike, dilemat dhe pasiguritë, me të cilat ballafaqohet qytetari më i mbrojtur i globit e që është qytetari amerikan i shekullit XX.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›