E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premiera e parë

‘Dosja H’, sipas romanit të Ismail Kadaresë, e dramatizuar nga Ag Apolloni, në regji të Agim Sopit, do të jetë shfaqja e parë që do të jepet premierë në Teatrin Kombëtar për këtë vit.

Këto ditë në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar provat për shfaqjen “Dosja H”, bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit Ismail Kadare me dramatizim të Ag Apollonit, regjinë e së cilës do ta bëjë regjisori Agim Sopi.

Në shfaqje janë të angazhuar një kast i autorëve të mirënjohur si: Arben Kastrati, Lumnije Sopi, Hazir Miftari, Anisa Ismaili, Sabri Fejzullahu, Çun Lajqi, Ard Ismaili, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Veton Osmani, Ramadan Mala, Selman Jusufi, Selman Lokaj etj. Po ashtu e përfshirë në këtë shfaqje do të jetë edhe trupa e baletit të Kosovës.

Për kostumet do të përkujdeset kostumografja Samka Feri, skenografinë do ta bëjë Afrim Gora, muzikën Trimor Dhomi, ndërsa koreografinë Ilir Kerni.

Premiera e kësaj shfaqjeje planifikohet të jetë premiera e parë e Teatrit Kombëtar për vitin 2012.

“Dosja H” është një rrëfim për dy studiues irlandezo-amerikanë, Maks Roth dhe Vili Norton, të cilët në vitet ’30 të shekullit të njëzet vijnë në veriun e Shqipërisë, me magnetofon në duar, për ta kërkuar tharmin e epëve të Homerit. Të dy studiuesit kërkojnë lidhjet ndërmjet këngëve kreshnike shqiptare dhe këngëve homerike, duke arritur në përfundimin se toka shqiptare është trualli i fundit ku ende gjallon delli homerik. Ky kërkim i dy folkloristëve të huaj vihet në dyshim nga autoritetet shqiptare dhe rrezikohet nga shërbimet sekrete serbe.

Krahas përgjimit, kemi edhe linjën e dashurisë që ushqehet nga Dezi, shoqja e nënprefektit, ndaj folkloristit Vili Norton. Dezi duke qenë një grua që nuk mund të ngelet shtatzënë për shkak të sterilitetit të burrit të saj, porsa dëgjon për ardhjen e folkloristëve, bën plane për t’i takuar dhe për t’u njoftuar me ta, nga të cilët asaj i pëlqen Vili me të cilin synon të sjellë në jetë një foshnjë. Mirëpo, gjatë intrigës, ajo, pos takimeve me Vilin, bie edhe në duart e përgjuesit dhe mbarsja e saj mbetet një enigmë, ashtu siç mbetet enigmë çështja homerike.

Kështu, gërshetohen linjat, forcohet intriga, shpejtohet ritmi dhe tensionohet konflikti derisa të arrihet klimaksi me thyerjen e magnetofonit nga dora e zgjatur e Serbisë, e cila nuk mund të pajtohet me faktin që shqiptarët janë popull i lashtë në Ballkan dhe që, për më shumë, epi homerik i ka rrënjët në këngët shqiptare.

Pra, “Dosja H”, duke qenë një vepër që ka brenda dimensionin politik, u flet mirëfilli raporteve ndërmjet shteteve ballkanike, por edhe korrespondon me aktualitetin politik shqiptar e ballkanik dhe nxjerr në shesh vlerat tona kombëtare, trashëgiminë tonë të pasur kulturore si dhe sfidon politikën antishqiptare bashkë me primitivizmin dhe ksenofobinë e një shtrese shqiptare. Në këtë aspekt, “Dosja H” është një dramë që vazhdon të luhet në kurriz të kombit shqiptar, të cilit megjithatë i dalin në ndihmë disa shtete, ashtu siç i dolën në ndihmë dy folkloristët amerikanë Albert Lord dhe Milman Parry, të cilët janë arketipe të Maks Rothit dhe Vili Nortonit.

“Dosja H” ka të gërshetuara tri perspektiva shikimi: vendi ynë i vrojtuar me sytë e të huajve (Maksi dhe Vili), me sytë e fqinjëve (murgu serb) dhe me sytë e shqiptarëve (nënprefekti, Dezi, rapsodët etj.). Aty vihen në lojë veshët e spiunëve, oreksi nacionalist i fqinjëve dhe tradhtitë bashkëshortore gjersa paraqet tokën shqiptare mes ekzotikes dhe reales, me një ngjarje mes groteskes dhe tragjikes, mes të vjetrës dhe të resë, si dhe mes fqinjëve dhe botës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›