Premtimet e pa mbajtura të kryeministrit
Deputetë socialistë rendisin dështimet e qeverisë “Berisha” dhe komentojnë buxhetin e ri si mashtrimin e radhës
TIRANË- Paraqitja e projekt-buxhetit nga kryeministri është pritur me kundërshtime të ashpra nga deputetët e majtë në parlament. Në fillim ka qenë deputeti Braçe, i cili i ka kujtuar kryeministrit se përpara se të bëjë premtime të tjera elektorale, ai duhet të japë shpjegime për mosarritjet e qeverisë së tij për këto tre vite. Sipas Braçes, ndërkohë që kryeministri, për vitin 2008, kishte premtuar rritje ekonomike dyshifrore, ajo nuk ka qenë më shumë se 6 %. Po ashtu, anëtari i Komisionit të Ekonomisë, bëri të ditur se, ndërkohë që ishte premtuar një lehtësim i biznesit nga qeveria, kjo e fundit po ia merr frymën atij, duke i vendosur ligjin e referencave, në të cilin i kushtëzon numrindhe pagën e punonjësve. “Shqiptarët vazhdojnë të paguajnë TVSH-në për çdo gjë që konsumojnë, në shifrat 20 për qind, ndërkohë që ju kishit premtuar uljen e saj ”, - theksoi Braçe. Ndër të tjera, ai bëri të ditur se ende nuk janë asfaltuar 400 kilometrat rrugë rurale që kishte premtuar qeveria. “Ju u betuat se do ta kthenit vendin në ritmet e ëndërruara. Në 2009-n, FMN-ja referon 3.7% rritjen ekonomike. Premtoi se deficiti nuk do të jetë më i lartë se 4 për qind, në 2009-n, FMN-ja e cakton 5.2%, shtoi Braçe, duke nënvizuar kështu dy premtimet e pa mbajtura.
“Ju premtuat ujë dhe drita 24 orë, zoti kryeministër, por unë po ju them se jo që ky premtim nuk u përmbush, por çmimi i energjisë është rritur me 35 %, ju premtuat se do të zgjidhnit problemin e pronësisë brenda vitit të parë të mandatit tuaj, në vitin e parë jo që jo, por as në vitin e tretë. Ju u premtuat fermerëve se do t’ua jepnit karburantin me 40 lekë për litër, por nuk ishit aq largpamës të parashikonit luhatjet e mëdha të çmimit të karburanteve. Ju deklaruat fitore, por unë po ju them se sapo vulosët humbjen tuaj me këtë buxhet”, - deklaroi deputeti socialist.
“Unë vij nga zona e ullirit, ku banorët kujdesen, e rrisin, por nuk e shesin dot. Këtë fjalim që ngjan me një kokërr ulliri, shqiptarët nuk e hanë dhe nuk kanë për ta ngrënë, zoti kryeministër, por do të vazhdojnë të qeshin me ty", - deklaroi Braçe në lidhje me projektin e mbjelljes së 20 milionë rrënjëve ullinj që kishte deklaruar Berisha. “Që nga koha e Skënderbeut janë mbjellë shumë herë më pak rrënjë ulliri, ndërkohë që ti deklaron se do të mbjellësh për 6 muaj 20 milionë rrënjë”, - deklaroi me ironi Braçe. Në vazhdën e përmendjes së premtimeve të pa mbajtura nga qeveria, deputeti socialist preku edhe rrugën Lushnjë -Vlorë, e cila është me dy vjet vonesë, ndërsa i cilësoi demagogji deklaratat e kryeministrit për rritjen e pagave në arsim, kompjuterizimin dhe hapjen e shkollave profesionale. Sa për dyfishimin e pagave të mësuesve, Braçe deklaroi se, sot, mësuesi paguan 4050 lekë tatim mbi pagën. "Në 12 muaj mësuesi, paguan një rrogë si tatim ndaj jush", - pohoi ai. Një pjesë e deklaratave të kryeministrit Berisha, në lidhje me raportet e rritjes së pagave dhe pensioneve, parashikuar në projekt-buxhetin 2009, u pritën me të qeshura nga deputetët e majtë. Sipas kryeministrit, ky buxhet do të jetë buxheti, i cili do të rrisë mesataren e pagave të ulëta, në nivele më të larta, në krahasim me vendet e rajonit, madje më shumë se Bullgaria e Rumania që janë anëtare të Bashkimit Evropian.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------Ish- ministri socialist ka komentuar dje buxhetin nga ana teknike, duke e cilësuar si joreal
Malaj: Dështuat në integrimin e vendit
TIRANË- Në të njëjtën linjë të kundërshtimit të buxhetit, ka vazhduar edhe deputeti socialist, Arben Malaj. Duke i numëruar të gjithë defektet e buxhetit, ai theksoi se ai nuk është asgjë më shumë, vetëm se një mashtrim. “Ju, zoti ministër i Financave, duhet të keni guximin t’u thoni shqiptarëve se të ardhurat për vitin 2009 nuk do të jenë më të larta se ato që u realizuan në vitin 2008. Duhet të keni kurajë t’u thoni shqiptarëve se keni dështuar dhe se nuk do të jeni të aftë të mblidhni si duhet taksat dhe të luftoni ekonominë informale”, - pohoi deputeti Malaj. Më tej, ish-ministri i Financave ka akuzuar qeverinë se nuk ka mundur të mbledhë shumën e duhur të lekëve për rrugët rurale dhe se ka dështuar në integrimin e vendit. “Ju nuk mund t’u tregoni këto shifra shqiptarëve, pasi ata përballen çdo ditë vetë me çmimet e larta”, - shtoi Malaj. Sipas tij, në buxhetin i vitit 2008, për rrugët rurale, ishte parashikuar nga qeveria një investim prej 400 milionë eurosh, ndërkohë që janë investuar vetëm 10 milionë të tilla.