E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakome, banorët në pritë për të dytën ditë

KUNDËRSHTIMI/ Banorët e Nivicës vazhdojnë të kundërshtojnë firmën ndërtuese të fshatit turistik

SARANDË – Në Kakome gjendja duket se nuk u përmirësua aspak as në ditën e dytë të protestës. Përballja mes banorëve dhe punonjësve të firmës “Riviera” bëhet pa incidente apo përdorim force. Makinat qëndrojnë të bllokuara duke iu vendosur gurë nën rrota dhe banorët qëndrojnë natë e ditë me zjarre të ndezura për të përballuar të ftohtët. Ndërsa punonjësit presin të fillojnë punë një orë e më parë. Policia e Shtetit nuk ndërhyn as për të zhbllokuar rrugën, as për të hequr pritat e vendosura nga banorët. Në mesditë pati një reagim të banorëve dhe çaste irritimi me punonjës të mediave, që, sipas tyre, nuk e kanë pasqyruar gjendjen në kryqëzimin e Kakomesë ashtu siç ishte. Në rojë nga banorët janë angazhuar paradite kryesisht mosha e trete dhe një pjesë e mirë janë gra, për të vazhduar natën me të rinj dhe burra të shëndetshëm. Shiu dhe të ftohtët e kanë rënduar sakrificën që po bëjnë banorët, ndërsa burimet nga punonjësit e firmës konfirmojnë se nuk do të largohen nga vendi pa nisur punimet në Kakome. Përfaqësia e Nivicës shprehet se do të vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë derisa të largohen të ardhurit dhe makineritë e ngujuara në kryqëzimin e Kakomesë. Një e moshuar rreth të tetëdhjetave thotë se kanë njoftuar djemtë në Greqi e Itali që të vijnë e të mbrojnë tokat e tyre. Ndërkohë, të dyja palët kanë vërejtje për policinë që nuk ndërmerr asnjë veprim. Përfaqësuesit e firmës thonë se banorët nuk kanë asnjë të drejtë të bllokojnë makineritë në rrugën nacionale, prandaj duhet të ndërhyjnë për të hequr gurët dhe njerëzit nga rruga. “Nivica nuk është shtet brenda shtetit”,- thonë ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›